Katër të rinj, përfshirë dy 17-vjeçarë, janë vënë nën akuza të rënda në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se përdhunuan dhe mbajtën të izoluar një grua në një banesë në Weston-super-Mare, Somerset.
Sipas Policisë së Avon dhe Somerset, ngjarja ka ndodhur më 21 qershor. Pas hetimeve të kryera nga një njësi e specializuar, u arrestuan Tommy Campbell, 19 vjeç, Rio Welling, 18 vjeç, si dhe dy të mitur, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik për shkak të ligjit britanik.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, Campbell akuzohet për gjashtë raste përdhunimi, sulm seksual, mbajtje të paligjshme dhe shkaktim të lëndimeve trupore. Welling përballet me dy akuza për përdhunim dhe një për mbajtje të paligjshme. Njëri prej 17-vjeçarëve akuzohet për tre raste përdhunimi, ndërsa tjetri për një rast përdhunimi dhe shkaktim të lëndimeve trupore.
Të katër të akuzuarit u lanë në paraburgim dhe u paraqitën këtë të shtunë para Gjykatës së Kurorës në Taunton. Policia bëri të ditur se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurorës, ndërsa viktima vijon të marrë mbështetje nga shërbimet e specializuara.
© SYRI.net