Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar kërcënime të reja ndaj Iranit, duke paralajmëruar Teheranin se ushtria amerikane është e gatshme të reagojë në rast të një tentative për vrasjen e tij.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se ka urdhëruar përgatitjen e lëshimit të 1 mijë raketave drejt Iranit nëse qeveria iraniane do të zbatojë kërcënimet për ta eliminuar atë.
“1 mijë raketa janë gati për t’u lëshuar dhe synojnë Republikën Islamike të Iranit, me mijëra të tjera që do të pasojnë menjëherë”, shkroi Trump, duke shtuar se urdhrat janë dhënë dhe ushtria amerikane është “e gatshme dhe e aftë” për të goditur objektivat iraniane.
Paralelisht, sipas një raporti të Axios, administrata amerikane i ka vendosur Iranit një afat për të deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe për të ndaluar sulmet ndaj anijeve tregtare. Mesazhi i është përcjellë Teheranit si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes ndërmjetësve rajonalë.
Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Irani ka shkelur një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar disa javë më parë, duke kryer sulme të përsëritura ndaj anijeve tregtare në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Tensionet janë rritur pas përplasjeve të armatosura në rajon, ndërsa Trump deklaroi gjatë Samitit të NATO-s se armëpushimi “ka mbaruar”, duke përdorur tone të ashpra ndaj udhëheqjes iraniane.
Në qendër të përpjekjeve diplomatike është takimi mes ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe homologut të Omanit Badr al-Busaidi në Muscat. Omani po luan rolin e ndërmjetësit mes palëve, ndërsa diskutimet pritet të fokusohen te kriza në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, brenda regjimit iranian ka përplasje për mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve dhe vijimin e negociatave me administratën Trump. Ata pretendojnë se disa elementë në Iran kërkojnë një marrëveshje, ndërsa të tjerë kanë ndjekur një linjë më të ashpër.
Washingtoni pret që Teherani të japë një deklaratë publike pas takimit në Oman, duke konfirmuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare. Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se refuzimi i kërkesave do të sillte “pasoja serioze” për Iranin.
© SYRI.net