Autoritetet europiane kanë sekuestruar 20 milionë cigare dhe 38.4 ton gjethe e duhan të prerë, duke goditur dy rrjete ndërkombëtare kriminale me bazë në Spanjë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes disa vendeve europiane, Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit dhe Europol-it.
Sipas OLAF-it, rrjetet kriminale dyshohen se prodhonin, shpërndanin dhe trafikonin produkte të falsifikuara të duhanit, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 10 milionë eurosh.
Muajin e kaluar, autoritetet kryen 23 kontrolle në banesa, ambiente biznesi dhe magazina industriale në disa provinca spanjolle.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu 18 automjete, pajisje për prodhimin e duhanit, pajisje elektronike të koduara, 170 mijë euro para në dorë dhe disa armë zjarri. Në total u arrestuan 50 persona, ndërsa dy prej të dyshuarve iu dorëzuan autoriteteve polake.
Në operacion morën pjesë Guardia Civil e Spanjës, Byroja Qendrore e Hetimeve e Polonisë, Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë, Byroja e Policisë Kriminale e Lituanisë, si edhe OLAF dhe Europol.
Drejtori i OLAF-it, Petr Klement, tha se duhani i falsifikuar paraqet rrezik edhe më të madh për shëndetin sesa produktet e zakonshme të duhanit, ndërsa theksoi se tregtia e paligjshme e cigareve dëmton të ardhurat publike dhe financon krimin e organizuar. Sipas OLAF-it, hetimet për këtë çështje vijojnë.
© SYRI.net