Rriten sulmet kibernetike të mundësuara nga IA-ja, kriminelët synojnë bizneset në gjithë botën

Rriten sulmet kibernetike të mundësuara nga IA-ja, kriminelët synojnë bizneset në gjithë botën

22:19, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se kriminelët po përdorin inteligjencën artificiale (IA) për të kryer sulme kibernetike gjithnjë e më bindëse, duke e bërë më të lehtë shënjestrimin e bizneseve dhe organizatave, transmeton Anadolu.

Sipas një raporti të transmetuesit publik finlandez Yle, zyrtarët finlandezë të sigurisë kibernetike thonë se kërcënimet mbeten në nivel të lartë, ku ndër rreziqet më të zakonshme janë mashtrimet “phishing”, sulmet me “ransomware”, vjedhja e llogarive dhe sulmet ndaj zinxhirit të furnizimit.

Mikko Hypponen, drejtor i kërkimeve në kompaninë e sigurisë kibernetike Sensofusion, ka thënë për transmetuesin se inteligjenca artificiale e ka bërë krimin kibernetik më efikas. Sipas tij, kriminelët tashmë mund të përdorin IA-në për të shkruar programe keqdashëse, për të krijuar email-e mashtruese, për të identifikuar objektivat dhe për të automatizuar pjesë të sulmeve të tyre.

“IA-ja shkruan finlandisht më mirë se shumica e finlandezëve”, ka thënë Hypponen, duke paralajmëruar se edhe gjuha komplekse finlandeze nuk përbën më pengesë për mashtrimet në internet.

Anssi Kärkkäinen, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Finlandës (NCSC-FI), ka thënë se IA-ja po i bën sulmet “më të lehta, më të lira dhe më bindëse”, veçanërisht kur kriminelët shtiren si individë ose organizata të besueshme.

Megjithatë, ai ka thënë se IA-ja nuk është shkaku kryesor i rritjes së kërcënimeve. Faktorë të tjerë përfshijnë motivet financiare, praktikat e dobëta të sigurisë kibernetike dhe rritjen e numrit të sistemeve të lidhura me internetin.

Një raport i kompanisë “Check Point Software Technologies” ka zbuluar se sulmet kibernetike ndaj objektivave në Finlandë janë rritur krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Kompania tha se arsimi, kërkimi shkencor, administrata publike dhe telekomunikacioni janë ndër sektorët më të goditur.

Ekspertët u bëjnë thirrje organizatave të forcojnë masat e sigurisë, duke përfshirë përditësimin e rregullt të programeve kompjuterike, monitorimin e pajisjeve dhe sistemeve, si dhe mbajtjen e kopjeve rezervë të besueshme të të dhënave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco