'Nuk i çuam bomba Izraelit'. SHBA përgatit raportin sekret për shkeljet në Gaza

'Nuk i çuam bomba Izraelit'. SHBA përgatit raportin sekret për shkeljet në Gaza

10:48, 08/05/2024
A+ Aa A-

Plani i Izraelit për fillimin e ofensivës në Rafah, ka ndikuar negativisht tek administrata amerikane duke bërë që kjo e fundit të ndalojë dërgimin e një sasie të konsiderueshme armësh si pjesë e programit të ndihmës për Tel-Avivin. Lajmi është bërë i ditur nga Reuters i cili citon burime të zyrtarëve të administratës amerikane.

“Ndërsa udhëheqësit izraelitë dukej se po i afroheshin vendimit për inkursionin në Rafah, ne filluam të shqyrtojmë me kujdes transferimet e propozuara të armëve të veçanta në Izrael që mund të përdoren në Rafah. Si rezultat i atij rishikimi, ne kemi ndalur një dërgesë armësh javën e kaluar. Ajo përbëhet nga 1 mijë e 188 bomba dhe shumë armë të tjera konvencionale.” Deklaratë e zyrtarit amerikan për Reuters.

Sakaq administrata e Joe Biden planifikon përfundimin e një raporti konfidencial për Kongresin në të cilën Izraeli besohet ka shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar gjatë luftës së tij në Gaza.

Një iniciativë kjo që mund të çojë në pasoja të rëndësishme dhe të acarojë më tej ndasitë pro dhe kundër Tel-Avivit brenda SHBA-së.

Por presioni amerikan pak gjasa ka të ndikojë në vijimin e ofensivës së Izraelit në Rafah. Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë çdo propozim të Hamasit për armëpushim duke i konsideruar dashakeqëse.

"Unë urdhërova, me miratimin e Kabinetit të Luftës, të vepronim në Rafah. Brenda disa orësh forcat tona ngritën flamujt izraelitë në vendkalimin Rafah dhe hoqën flamujt e Hamasit. Propozimi i Hamasit kishte për qëllim të pengonte hyrjen e forcave tona në Rafah. Nuk ndodhi. Izraeli nuk do të lejojë Hamasin të rivendosë sundimin e tij të mbrapshtë në Rripin e Gazës”.

Grupi militant palestinez Hamas akuzoi Izraelin se po përpiqet të minojë përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën shtatëmujore që ka shkatërruar Gazën dhe ka lënë qindra mijëra njerëz të saj të pastrehë dhe të uritur.

Gjatë natës, trupat izraelite vranë të paktën shtatë persona dhe disa të tjerë u plagosën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco