Kush është Ebrahim Raisi, presidenti i Iranit, që dyshohet se është zhdukur

Kush është Ebrahim Raisi, presidenti i Iranit, që dyshohet se është zhdukur

22:33, 19/05/2024
A+ Aa A-

Fati i Presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi mbetet një mister, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonte ra në veri-perëndim të Iranit.

Ebrahim Raisi, 63 vjeç, fitoi zgjedhjet presidenciale të Iranit të vitit 2021, me një votë që regjistroi pjesëmarrjen më të ulët në historinë e Republikës Islamike.

Një figurë radikale, dikur kreu i gjyqësorit iranian, ai konsiderohet si një mbrojtës i Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, dhe disa analistë kanë spekuluar se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar pas vdekjes së tij ose dorëheqjes nga posti.

I lindur më 14 dhjetor 1960 në Mashhad, Raisi u rrit në një familje klerike dhe mori një arsim fetar. Siç raportohet nga Encyclopedia Britannica, supozohet se ai mori pjesë aktive në revolucionin islamik të viteve 1978-79 që çuan Shahun në mërgim dhe vendosën një sistemi qeveritar të bazuar në vizionin e Khomeinit. Pas revolucionit iranian ai iu përkushtua mbështetjes së regjimit të sapolindur kundër opozitës së brendshme.

Në vitin 1985 ai u bë zëvendësprokuror në Teheran dhe në vitin 1988, gjatë luftës Iran-Irak, Khomeini urdhëroi ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë të cilët ai i akuzoi për bashkëpunim me Irakun, duke emëruar Raisin në një komitet të ngarkuar me përcaktimin nëse të burgosurit ishin apo jo besnikë ndaj qeverisë. Për përfshirjen e tij në ekzekutimin masiv të mijëra të burgosurve politikë ai u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara.

Pas ardhjes në pushtet të Ali Khameneit në vitin 1989, Raisi filloi ngjitjen e tij në sistemin gjyqësor iranian. Pavarësisht pozicionit të tij, në nivel të lartë brenda regjimit, Raisi ka ndërtuar një imazh si kritik i qeverisë, parimor dhe i ashpër ndaj korrupsionit.

Ai u përplas me Hassan Rouhani në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, duke e kritikuar atë për përfundimin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore. Pas emërimit të tij në krye të drejtësisë në vitin 2019, Raisi ndoqi menjëherë çështje korrupsioni ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe biznesmenëve të shquar, ndonëse në mënyrë selektive.

Kur kandidoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, ai vazhdoi të pozicionohej si personi kundër korrupsionit qeveritar dhe shprehu mbështetje për negocimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare bërthamore që merr parasysh interesat iraniane, shkruan Lapsi.al

Nën Raisin, Irani pasuron uraniumin në nivele gati bërthamore dhe pengon inspektimet ndërkombëtare, forcon lidhjet me Kinën dhe besohet se ka armatosur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, si dhe ka nisur një sulm masiv me dron dhe raketë në Izraeli në kontekstin e luftës së tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Irani ka vazhduar gjithashtu të armatosë milicitë e saj në Lindjen e Mesme, si rebelët Houthi të Jemenit dhe Hezbollahun e Libanit.

Presidenca e Raisi-t dëshmoi gjithashtu protesta masive që shpërthyen në 2022 mbi vdekjen në paraburgim të Mahsa Aminit. Amini, një kurdo-iraniane 22-vjeçare, u arrestua me akuzën e shkeljes së kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë, duke mos mbajtur shaminë në mënyrë korrekte. Vdekja e saj shkaktoi një valë protestash brenda dhe jashtë vendit, të cilat u shtypën ashpër brenda vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco