Më shumë se 10 fëmijë mesatarisht kanë humbur një ose të dyja këmbët e tyre çdo ditë në Gaza që nga 7 tetori, me shumë amputime të kryera pa anestezi, tha të dielën një organizatë bamirëse, duke nënvizuar situatën e tmerrshme humanitare në enklavën palestineze pas më shumë se tre muajve bombardime nga Izraeli.
Në një deklaratë duke cituar statistikat e Kombeve të Bashkuara, drejtori i Save the Children për territorin e pushtuar palestinez, Jason Lee, tha se "vuajtja e fëmijëve në këtë konflikt është e paimagjinueshme dhe aq më tepër sepse është e panevojshme dhe plotësisht e shmangshme".
“Vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve dënohet si një shkelje e rëndë ndaj fëmijëve dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.
Save the Children iu referua vërejtjeve të zëdhënësit të UNICEF-it, James Elder, i cili pasi u kthye nga Gaza, tha më 19 dhjetor se rreth 1000 fëmijë kishin humbur njërën ose të dyja këmbët që nga 7 tetori, kur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit dhe shpërtheu lufta.
Organizata bamirëse citoi gjithashtu një deklaratë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në të cilën agjencia tha se shumë nga këto operacione te fëmijët u kryen pa anestezi, duke pasur parasysh mungesat e rënda në furnizime mjekësore dhe mallra bazë në Gaza.
Lee tha se kishte parë "mjekët dhe infermierët të mbingarkuar plotësisht" kur fëmijët silleshin me plagë shpërthimi.
“Ndikimi i të parit të fëmijëve me kaq shumë dhimbje dhe mungesës së pajisjeve, ilaçeve për t'i trajtuar ose për të lehtësuar dhimbjen është i tepërt edhe për profesionistët me përvojë,” tha ai.
Fëmijët kanë gati shtatë herë më shumë gjasa të vdesin nga dëmtimet e shpërthimit sesa të rriturit pasi ata janë më të prekshëm dhe më të ndjeshëm ndaj lëndimeve, sipas shoqatës.
"Kafka e tyre nuk është ende plotësisht e formuar dhe muskujt e tyre të pazhvilluar ofrojnë më pak mbrojtje, kështu që një shpërthim ka më shumë gjasa të copëtojë organet në barkun e tyre, edhe kur nuk ka dëme të dukshme," tha Lee, duke bërë thirrje për një "armëpushim përfundimtar" dhe të lejojnë rrjedhën e ndihmave humanitare dhe barnave.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë vazhdimisht se nuk po synojnë civilët dhe se Hamasi përdor infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, si mburojë për sulmet e tij ndaj Izraelit.
Të paktën 22,835 palestinezë janë vrarë dhe 58,416 të tjerë janë plagosur në Gaza që nga 7 tetori, tha të dielën Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza e drejtuar nga Hamasi.
© SYRI.net