Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Rusia shton dërgesat e naftës në Kinë përmes Arktikut

Rusia shton dërgesat e naftës në Kinë përmes Arktikut

23:22, 04/10/2023
A+ Aa A-

 

Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër shtimin e kohëve të fundit të dërgesave të naftës së papërpunuar ruse në portet kineze përmes Rrugës së Detit të Veriut (NSR), një shenjë e rritjes së bashkëpunimit midis Pekinit dhe Moskës në rajonin e Arktikut, ndërsa Rusia përballet me sanksione të ashpra perëndimore lidhur me agresionin e saj në Ukrainë.

“Askush nuk po kërkon konflikt atje. Do ta ndjekim këtë zhvillim sa më shumë që të mundemi”, tha të martën John Kirby, koordinator i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Këtë vit janë shënuar mbi dhjetë dërgesa nafte me anije ruse drejt Kinës përmes Arktikut, rrugë e cila kalon nga Deti Barents për në ngushticën e Beringut.

Vitet e mëparshme nuk ka patur dërgesa nafte drejt Kinës përmes Arktikut, përveç një udhëtimi provë në fund të vitit 2022, sipas të dhënave nga Qendra për Logjistikën e Lartë të Veriut pranë e Universitetit Nord.

Ndërsa sanksionet ekonomike perëndimore kanë ulur kërkesën për naftë bruto ruse dhe Kina është e gatshme ta blejë atë, Moska po hap portën e saj të Arktikut për Pekinin, thotë Malte Humpert, themelues i Institutit Arktik.

“Burimet që më parë shkonin në Evropë tani janë devijuar për në Azi, veçanërisht në Kinë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Është një zgjedhje pragmatike për Moskën. Transporti nëpërmjet Arktikut është 30% më i shpejtë se rruga tradicionale përmes Kanalit të Suezit dhe gjithnjë e më e lehtë për t’u përshkuar pasi ndryshimet klimatike nënkuptojnë më pak akull për anijet cisterna.

Rritja e trafikut mbart një rrezik më të lartë mjedisor, veçanërisht pasi Moska njoftoi se do të fillojë të përdorë anije cisternë që nuk janë të përforcuara për të përballuar trashësinë e akullit, për të transportuar naftë nëpër Arktik.

“Nëse do të ketë rrjedhje nafte në pjesën lindore të Arktikut, rrymat e ujit shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara”, i tha Zërit të Amerikës Rebecca Pincus, drejtore e Institutit Polar në Qendrën Wilson. “Nafta do të përhapet përtej kufijve ndërkombëtarë dhe kjo është një situatë shumë alarmante.”

Krahasuar me mesataret e vitit 2022, këtë vit Kina ka rritur importin e naftës ruse me rreth 23%, në 400,000 fuçi në ditë. Zoti Kirby i kërkoi Pekinit që të respektojë kufirin e çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën ruse të vendosur nga aleatët perëndimorë pas agresionit rus në Ukranë.

Megjithatë, të dhënat tregtare nxjerrin në pah se nafta e papërpunuar ruse aktualisht po shitet me rreth 80 dollarë për fuçi, duke bërë që Sekretarja e Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Janet Yellen, ta pranojë javën e kaluar se efektiviteti i kufirit të çmimit mund të zbehet.

Marrëdhëniet Kinë-Rusi

Ndërsa kompanitë perëndimore të energjisë, përfshirë firmat Shell dhe British Petroleum, u tërhoqën nga Rusia për shkak të agresionit vitin e kaluar, Moska po varet gjithnjë e më shumë nga Pekini si një burim financimi për projektet energjetike, si “Terminali Yamal LNG” dhe plane të tjera infrastrukturore për zhvillimin e rajonit të Arktikut.

Për Kinën, e cila nuk ka vijë bregdetare në Arktik por në vitin 2018 e shpalli veten një fuqi “afër Arktikut”, investimi në projektet ruse mund t’i lehtësojë synimet e saj për të zgjeruar rolin në Arktik, për të rritur qasjen tek rrugët e transportit detar dhe burimet natyrore, si dhe për të forcuar pushtetin e saj gjeopolitik.

Deri më tani, ambiciet e Kinës janë penguar nga Moska, e cila ka rreth 53% të vijës bregdetare të Oqeanit Arktik, dhe mbron rolin e saj dominues në rajonin polar. Përballë izolimit ekonomik për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, rezistencës ruse mund t’i vijë fundi.

“Po ndjekim nga afër nëse Moska është aq e dëshpëruar saqë është e gatshme të përmbushë kërkesat dhe kushtet kineze”, i tha Zërit të Amerikës Rebecca Pincus, drejtore e Institutit Polar në Qendrën Wilson.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, i hodhi poshtë shqetësimet për një aleancë strategjike në rritje midis Moskës dhe Pekinit, duke thënë se bashkëpunimi i tyre në Arktik ka qenë kryesisht “ekonomik dhe shkencor”.

Ai sugjeroi se administrata nuk po synon të frenojë fuqinë e Rusisë në territorin e saj. “Ne duam të shohim një rajon të lirë, të hapur dhe të begatë në Arktik, nga i cili mund të përfitojnë të gjitha vendet që kufizohen”.

Tetë vende kufizohen me Arktikun: SHBA, Rusia, Kanadaja, Danimarka (nëpërmjet Grenlandës), Islanda, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda. Shtetet janë anëtare të Këshillit Arktik, një forum bashkëpunimi për të trajtuar sfidat e përbashkëta si ndryshimi i klimës, rrugët e transportit detar dhe të drejtat e popullsive indigjene.

Këshilli i pezulloi aktivitetet me Moskën menjëherë pas pushtimit të Ukrainës. Morten Høglund, kryetar i Zyrtarëve të Lartë të Arktikut, i tha Zërit të Amerikës se në gusht grupi arriti konsensus për të rifilluar aktivitetin e grupeve të punës, hapi i parë në rifillimin e bashkëpunimit./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco