Manovra detare me aleatët mes tensioneve në rritje në Paqësor

Manovra detare me aleatët mes tensioneve në rritje në Paqësor

21:41, 02/10/2023
A+ Aa A-

Forca të marinës nga Filipinet, Britania, Kanadaja, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara filluan të hënën një stërvitje të përbashkët dy javore në Oqeanin Paqësor mes tensioneve të rritje në rajon.

Stërvitja me pjesëmarrjen e mbi 1800 trupave pason bllokimin nga Pekini javën e kaluar të qasjes së peshkatarëve filipinas në një zonë të kontestuar në Detin e Kinës Jugore, e cila tani kontrollohet nga Kina.

Stërvitjet e këtij viti, që po mbahen në pjesën jugore të ishullit Luzon, janë një përpjekje për të përmirësuar luftën kundër nëndetëseve, mbrojtjen ajrore dhe operacionet e kërkim-shpëtimit, thanë zyrtarët e forcave detare të Filipineve.

"Me këtë shfaqje force dhe angazhim aktiv të aleatëve dhe partnerëve tanë, stërvitja është më tepër se sa thjeshtë një përpjekje për përmirësimin e aftësive ushtarake", tha shefi i forcave detare të Filipineve, kundëradmirali Toribio Adaci në ceremoninë e fillimit të stërvitjes.

"Ky është një simbol i partneriteteve tona të qëndrueshme dhe angazhimit tonë të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Azi-Paqësorit", shtoi ai.

Në fjalën e tij, Zëvendës Admirali Karl Thomas, komandant i Flotës së Shtatë të Marinës Amerikane, tha: "Është e rëndësishme që të gjitha vendet të kenë të drejtën të lundrojnë dhe të operojnë pa frikë në Detin e Filipineve Perëndimore”.

Deti i Filipineve Perëndimore i referohet pjesës së Detit të Kinës Jugore, që Manila thotë se është pjesë e territorit të Filipineve.

Në këtë stërvitje, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dy anije ushtarake, ndërsa Britania, Kanadaja dhe Japonia, secila nga një. Stërvitja e organizuar nga Filipinet do të zgjas deri më 13 tetor.

Forcat detare të Australisë, Francës, Indonezisë dhe Zelandës së Re kanë dërguar vëzhgues dhe ekspertë në këtë stërvitje.

"Unë jam i bindur se asnjë agresor i mundshëm nuk duhet të ketë asnjë iluzion tjetër përveç faktit se ky është një grup i vendeve të forta, një ekip i fortë i forcave detare që lundron dhe vepron së bashku", shtoi Zëvendës Admirali amerikan Karl Thomas./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco