Rrugët që vrasin dhe miliardat e mirëmbajtjes!

Rrugët që vrasin dhe miliardat e mirëmbajtjes!

22:50, 10/01/2023
A+ Aa A-
Nga Julian Hoxhaj

Aksidentet rrugore vijonë të marrin jetë! Fillimi i këtij viti nisi me aksident tragjik në Rrugën e papërfunduar të “Arbërit”. Kjo rrugë, që tashmë është kthyer në gropë thithëse parashë publike, ka marrë shumë jetë njerëzish këto vite. Zakonisht, ndër shkaqet renditen: Fajin e ka shpejtësia, alkoli, parakalimi gabuar, lagështira etj etj. Mirëpo, pakkush flet për një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, gjendjen teknike të rrugëve!

Një ditë më parë, kolegia Ambrozia Meta pyeti ministren Belinda Balluku pikërisht për aksidentin në rrugën e papërfunduar të “Arbërit”. Ministrja shmangu përgjegjësinë e rrugës, duke u shprehur se segmenti ku ndodhi aksidenti me tre viktima, është i drejtë dhe i përfunduar kohë më parë! Kjo nuk është e vërtetë! Segmenti ku ndodhi aksidenti nuk ka përfunduar, madje nuk ka as sinjalistikë (dy ditë pas aksidenteti shkoi ARRSH dhe vendosi tabela), dhe nuk ka as kushtet minimale të sigurisë teknike!

Por, nëse me rrugën e “Arbërit” qeveria justifikohet se nuk ka përfunduar, çfarë ndodh në akset e tjera që kanë përfunduar!
Sa për njohuri, Shqipëria shpenzon (vetëm ARRSH pa llogaritur bashkitë) miliona euro çdo vit për mirëmbajtjen e rrugëve! Vetëm në vitin 2022, janë tenderuar më shumë se 7 miliardë lekë dhe janë shpenzuar nga buxheti i shtetit më shumë se 6.7 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro vetëm për mirëmbajtje rrugësh! Tenderat janë publik, lehtësisht të verifikueshëm dhe shpesh problematik, për shkak se janë pa garë dhe ndoshta jepen me vlera të fondit limit! Por kjo është temë tjetër! Ajo që na intereson është fakti se vetëm për mirambjajte rrugës në një vit, qytetarët shqiptarë kanë paguar nga taksat e tyre 65 milionë euro!

Ku shkojnë këto para? A mirëmbahen rrugët në Shqipëri? A kanë sinjalistikë? A janë në gjendje teknike?

Po ju rikujtoj dy nga akset më problematic (sipas këndvështrimit tim personal pa marr rol eksperti): Tiranë-Korçë dhe Tiranë – Durrës. Ky aks që lidh lindjen me perëndimin e Shqipërisë, mund të cilësohet nga më të degraduarit teknikisht, me sinjalistikë jashtë standardeve, që sjell shpesh pasoja të rënda për drejtuesit! Aksi nga Elbasani deri në Qafë Thanë, nëse shkon sot, është tmerrësisht i dëmtuar! Lëvizje të trupit të rrugës (është aks kombëtar me fluks të madh lëvizjesh), ngritje ulje në disnivel, mungesa barrierash mbrojtëse, rrjetash, mungesë sinjalistike apo dhe element të tjerë sigurie, që do të garantonin lëvizje normale dhe të sigurt për mjetet dhe qytetarët!

Ky aks, është burim i përditshëm aksidentesh në gjithë gjatësinë e tij. Vetëm sot, kthesat famëkeqe të Murrashit ishin përsëri pjesë e kronikës së zezë, një mjet përfundoi përsëri në lumë, fatmirësisht pa viktima! Për të ardhur te aksi tjetër, Tiranë-Durrës! Nëse e sheh me dron këtë rrugë është ngjashëm me hartën e Botës, ka aq shumë qepje e shqepje asfalti, sa vështirë ta kuptosh nëse është rrugë apo çfarë! Së fundit, në një pjesë të rrugës u ribë rehabilitim i saj, u qep përsëri asfalti, dhe nëse kalont tani, sheh se asfatli i ri është bërë shkallë-shkallë! Gjatë muajve të fundit në këtë rrugë janë shënuar disa aksidente, pasojat kanë qenë tragjike me disa viktima! Kjo rrugë ka thithur shumë herë fonde rehabilituese, të cilat një Zot e di se ku kanë shkuar!

Solla në kujtesë vetëm këto dy akse, për të mos përmendur akse të tjera të cilësuara si “rrugë të vdekjes”, për shkak të aksidenteve të shumta me pasoja të rënda për jetën e njerëzve! Ndaj, në kushtet kur faji mbetet i viktimës apo i fatkeqit që përfshihet në aksident, dhe ARRSH vijon të tenderojë miliona euro, SPAK dhe Prokuroritë e rretheve kurrë nuk do të shohin se si shpërndorohen miliarda lekë për rrugët që vrasin!

P.S. Ku ndodhi sot aksidenti ka nje kthese 90 grade, e cila s`ka asnje tabele qe thote: hap syte o vella se do besh not me peshqit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco