Konventa që u infektua me Covid në moshën 67 vjeçare

Konventa që u infektua me Covid në moshën 67 vjeçare

16:27, 03/09/2020 Nga Gerti Shella
A+ Aa A-

Nga Gerti Shella

Konventa Europian ‘Për mbrojtjen e të drejtave të njëriut dhe lirive themelore’, e njohur ndryshe si Konventa Europiane për te Drejtat e Njeriut, KEDNJ hyri ne fuqi në 3 shtator 1953. Ajo u hap për firmosje nga shtetet anëtare që në 4 nëntor 1950 në Romë. sot Konventa mbush 67 vjeç. Shqipëria komuniste nuk e ratifikoi asnjeherë Konventën më të rëndësishme Europiane.  U desh të rivendosej demokracia që vendi ynë ta ratifikonte KEDNJ në vitin 1996, me ligjin nr 8137 (dt 31/7/1996). Me të njëjtin ligj u ratifikuan edhe protokollet 1, 2, 4, 7 dhe 11 të Konventës. 

Për shkak të kushteve të pandemisë, Qeveria Shqiptare, me një akt të paprecedentë, pezulloi në Prill 2020 nenin 8 dhe 11 të Konventës. Këto nene garantojnë paprekshmërinë e banesës si dhe të dretën për tubime. Në Noten Verbale që Qeveria i dërgoi Këshillit të Europës përcaktohej ndër të tjera që  ‘Aplikimi i masave të marra nga Qeveria çojnë në nevojën për derogimin nga disa detyrime që ka Republika e Shqiperise sipas Neneve 8 dhe 11 te Konventes per Mbrojtjen e te Drejtave te Njeriut, Neneve 1 dhe 2 te Protokollit te Konventes dhe Nenit 2 te Protokollit 4 te Konventes’.

Shqipëria është ndër rastet e rralla në Europë që i ka ngritur parimet e KEDNJ në të njëjtën hierarki me parimet e Kushtetutës. Për shkak të pandemisë, në Shqipëri të drejtat dhe liritë themelore u pakësuan. Në kushtet kur e drejta e tubimit është indikator i demokracisë, mund të thuhet se vetë Demokracia u dëmtua. 

Derogimi i neneve të Konventës, megjithatë nuk e ndali pandeminë. Shqipëri është një ndër vendet e goditura rëndë dhe me rezultate të dobëta në adresimin e situatës. Qytetarët e saj janë të ndaluar të udhëtojnë në shumë vende europianë. Së fundmi ishte Polonia që mbylli kufijtë për qytetarët shqiptarë. Vetë Shqipëria i hapi dyert për çdo turist të mundshëm, sapo uli masat drakoniane që mbyllën në izolim (burg shpie me të drejtë ajrosje vetëm disa orë). Karantina u hoq zyrtarisht në 18 maj 2020 ndërkohë që efektet negative të saj ende nuk janë larguar.   

Në 15 shtator 2020, Shqipëria përgatitet të hapë shkollat, edhe pse pandemia është prezent që prej fillimit të vitit. Ekpertët parashikojnë se do të ketë një shtim të rasteve në vjeshtë, edhe për shkak të aktivizimit të zinxhirit të transmetimit.  

Është paradoksale që teksa 600 mije nxënës përgatiten të shkojnë në shkolla në 15 shtator, Shqipëria vijon të mbajë të pezulluar të drejtën e tubimit. Rreth 600 mijë nxënës do të tubohen de-fakto dhe de-jure rregullisht në shkolla. Ndryshe nga aktivistët sindikalë apo partiakë, të cilët tubohen me raste, fëmijët do tubohen ÇDO DITE…600 mijë nxënës që mblidhen bashkë cdo ditë dhe shpëndahen nëpër shtëpitë e tyre çdo natë…për t’u mbledhur sërish të nesërmen. Në një muaj, që ka 24 ditë efektive mësimi, në Shqipëri pritet të tubohen 14 milion persona . Në tubimin më të madh politik të organizuar ndonjëherë, nuk kanë marrë pjesë më shumë se 40 mijë persona në një event të vetëm. 

Nëse një tubim, në kushte klasike ndodh në ambjente të hapura (kjo nuk lejohet hë për hë nga Qeveria), fëmijët tanë do grumbullohen çdo ditë në ambjente të mbyllura, ku pritet të rrinë të paktën 3 orë. Qeveria po bën çmos që fëmijët të ‘tubohen’ në 15 shtator me mijëra, por nuk po kujtohet të heq ‘embargo’ ndaj nenit 8 dhe 11 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Covid 19 kishte ‘fuqinë’ për të infektuar KEDNJE, për t’i marrë frymën demokracisë, për të gjymtuar lëvizjen e lirë në Shqipëri. Nëse i shton edhe disa sëmundje bashkëshoqëruese që i gjeti aty, si mungësa e gjykatës kushtetuese, mungesa e gjykatës së lartë, Shqipëria ngjan vërtet me një rast të dëshpëruar. Neni 6 i KEDNJ garanton të drejtën për një gjykim brenda afateve të arsyeshme. Vetëm rastet e akumuluar në Gjykatën e Lartë duan më shumë 35 vite të shqyrtohen.

Centralizimi i plotë i pushtetit në një duart e një force të vetme politike, klientelizimi dhe keqpërodorimi i parave publike në kohë pandemia, e shumë sëmundje të tjera që nuk mund të listohen në një shkrim të vetëm e bëjnë Shqipërinë një rast të dëshpëruar. Po të kishte këmbë, me siguri do të hidhej nga ballkoni për ta mbyllur me dinjitet dramën e saj te pambarimtë…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco