Strati në ‘Odeon’: Veprat në magazinat e miqve, në këmbim të fitoreve s'mora asnjë

12:40, 07/04/2024
A+ Aa A-

 

Rekordmeni i mozaikëve, Saimir Strati, është i zhgënjyer nga mosvlerësimi i krijimtarisë së tij, nga institucionet shtetërore.

Në "Odeon", artisti u shpreh se asnjë nga institucionet nuk ka treguar mirënjohje për punën e jashtëzakonshme të tij, ndër vite e për lartësimin e Shqipërisë kudo në botë.

Saimir Strati tha se veprat, që janë rekorde "Guinness" nuk kanë kushte optimale për t'u ruajtur. Ato janë të magazinuara në hapësirat e lira të miqve të tij.

Egla Xhemalaj: Dua t'ju pyes pak sa i përket kësaj vepre madhështore që ju keni sjellë e që na ka bërë krenarë anekënd botës. Si ruhet ajo? Ka kushte optimale? Ne në Shqipëri na mungojnë edhe hapësirat e ekspozimit. Galeria e Arteve dhe Muzeu Historik po i nënshtrohen rikonstruksionit, e megjithatë dhe hapësira të tjera për të mbajtur veprën tuaj madhështore, ngase flasim për përmasa shumë të mëdha nuk ka. Si ia bëni për t'i ruajtur ato? Sa i prekur jeni për këtë realitet, ngase për artistin vepra është shumë e shtrenjtë, është një punim që shtrihet në kohë, po më tepër është edhe diçka që buron nga shpirti, është ngjizur tek ai e pastaj dokumentohet përmes veprës, përmes krijimit. Në raport me këtë situatë, si ndiheni? Ç'po bëhet për veprën tuaj? Keni marrë ju, ndoshta ndonjëherë ndonjë iniciativë për t'ju drejtuar institucioneve shtetërore, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës apo dhe instancave të tjera shtetërore?

Saimir Strati: Ka de jure, ka dhe de facto. Ka shpirtërore, ka dhe ligjore. Qasja ndaj rekordeve që unë kam realizuar në Shqipëri nuk ka qenë as de jure, as de facto. Unë nuk kam marrë asnjë telefonatë, as një duartrokitje institucionale. Nga 2006 deri më tani janë ndryshuar shumë ministra kulture. Po t'u referohemi numrave, janë 11 rekorde që kam bërë unë përgjatë këtyre viteve janë ndërruar 10 apo 11 ministra. Nuk mund ta bësh dot gati dosjen për të trokitur në Ministrinë e Kulturës për faktin e thjeshtë se nuk ka një ligj që t'i ta mbështetësh kërkesën tënde.

Unë po flas si rekordmen, se si artistë është subjektive. Nuk mund të thuash ti që unë jam artisti më i mirë dhe kërkoj një hapësirë për ekspozimin e veprave, se kështu që të gjithë artistët në Shqipëri brenda studiove të tyre janë gjeni. Unë po flas vetëm për rekordet që janë unike në botë.

Nuk ka asnjë lloj interesimi. Pyetja tjetër që ju bëtë, a kam trokitur. Kam trokitur përmes medieve, që nga viti 2006 e deri më tani. Këto kërkesa i kam bërë vetëm në Shqipëri nuk i kam bërë në gjuhë të tjera. Këtë që po ua them ju nuk e them përtej kufijve të Shqipërisë. Andej duhet ta kafshoj pak gjuhën, sepse duhet të mbroj Shqipërinë. Një pyetje bëhet përtej Shqipërisë: Sa rekorde janë në Shqipëri? Janë 8 të tilla. Po vijmë t'i vizitojmë në Shqipëri. Ju them duhet të presim pak se Shqipëria është vendi i vogël e duhet gjetur një hapësirë, se nuk kam si ta justifikoj.

Veprat janë thjeshtë të magazinuara ku kam unë disa miq që kanë mundësinë t'i mbajnë. Unë nuk e kam një studio. S'kam studio për krijimtarinë, herë pas here duhet të paguaj ndonjë qira, shpesh shpërngulem nga këtu vete te një mik, është jetë shumë e vështirë e artistit, ngase unë s'kam pasur asnjë mbështetje nga shteti shqiptar, dhe po ju them që megjithëse i kam dhënë këtë të mirë Shqipërisë në këmbim unë nuk kam marrë asnjë qindarkë. Kam kërkuar të më japin vetëm ekspozimin e veprave.

Egla Xhemalaj: S'keni marrë asnjëherë asnjë përgjigje mbrapsht?

Saimir Strati: Nuk kemi ligj ne, jemi akoma hibrid. Janë burra shteti që nuk po merren sot me vrasje që kanë ndodhur X vite më parë, jo më të merren me punë artistësh. Shumë mbrapa është Shqipëria, shpresoj të bëhet diçka për brezat në vijim.

Rrëfimin e tij në "Odeon" në Syri Tv, artisti e përmbylli duke zbuluar se është duke punuar për çeljen e një ekspozite. Ai do të udhëtojë drejtë Turqisë, ku do të mbahet ceremonia e nderimit për veprën e 11-të që është pjesë e rekordeve "Guinness", portretin e Kemal Ataturkut. Më tej, artistin e presin edhe seminare e workshop-e në mbarë botën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco