Rekordmeni i mozaikëve, Saimir Strati: Ja pse më duartroket bota

22:48, 06/04/2024
A+ Aa A-

Rekordmeni i  "Guinness", Saimir Strati, tregoi në "Odeon" se si është pritur e receptuar vepra e tij përtej kufijve.

Një nga arsyet që artisti duartrokitet kaq gjatë përtej Shqipërisë, është puna e jashtëzakonshme që bënë për të marrë materialet e industriale e për t'i kthyer mrekullisht në art, nga e cila përftohet një shije e veçantë estetike.

Egla Xhemalaj: Artistët në përgjithësi jetojnë si bohemë të vërtetë, si njerëz që i rebelohen realitetit, si njerëz që përpiqen që këtë hapësirë ta mbushin me ngjyra. Ju keni jetuar si një njeri që ka krijuar kaq shumë vepra arti të realizuara kaq bukur, në formë estetike, po gjithashtu edhe në përmbajtje. Është shumë e rëndësishme që kur të vijë një moment, artisti të lërë një bagazh të gjatë e të gjerë, e të gjallë po ashtu të veprës së tij. Të shihet e të kundrohet mirë nga pasardhësit, po megjithatë si ju kanë pritur përtej kufijve, aty ku njerëzit kanë kërshërinë ta njohin veprën e një artisti, por kanë kërshërinë ta njohin edhe artistin vetë, Saimir Stratin këtë herë.

Saimir Strati: Është shumë bukur që jo vetëm si artist, si Saimir Strati por një nga kushtet që unë vendosja është që para se të më thuhet apo shkruhej emri, të dilte së pari kombësia. Është shumë me rëndësi që Shqipëria të prezantohet mirë. Jam i lumtur që kam lënë shenja kudo në botë. Kur më pyesin, pse Shqipëria ka mundësi të tilla, u them sepse jemi në vend që na përfshinë Mesdheu. Meqë po flasim për këtë pjesë është një nga sekretet më të veçanta, që gjithë mozaikët më të bukur në botë janë në zonën e Mesdheut. Si duket aty ka qenë qendra e kulmit njerëzor.

Mozaikët janë më të parë, më të prekshëm. Ata që na tregojnë edhe për lashtësinë. Mozaikët kanë më shumë informacion për jetën e shoqërinë, në cilat statuse jetonin. Natyrisht një mozaik në kohët e perandorive helene dhe romake e më pas, i kanë poseduar vetëm njerëz me një status, me një famë të jashtëzakonshme. Mozaiku është elitar. Sot është pak në zhdukje sepse njerëzit janë thjeshtëzuar në shije, kjo është e përgjithshmja.

Kur lëviz nëpër botë sheh që ka njerëz që e duan. Për këtë vlerësohem shumë në botë, për pjesën që po i jap art të bërë me materie industriale, kundër industrisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco