VIDEO-SYRI TV/ 'Princi i vogël' i shumëdashur për fëmijët, Hoxhaj: Të mos shohim vetëm bardhezi

17:04, 01/04/2024
A+ Aa A-

‘Princi i vogël’ historia më e dashur e fëmijëve anekënd botës ngjitet në skenën e Teatrit Ekeperimental në formën e një shfaqje për vogëlushët. Nën konceptimin regjisorial të Rafael Hoxhajt pjesa jep mesazhe të rëndësishme për botën e fëmijëve dhe të rriturve.

Nga Egla Xhemalaj-SYRI TV

Një histori që ka rrokur gjithëkohësinë. Me një hijeshi të pazakontë te ‘Princi i vogël’ prezantohemi me një djalosh, që lë planetin e tij të vogël për të udhëtuar nëpër botë, dhe  njihet me sjelljet tekanjoze të të rriturve përmes një sërë takimesh të jashtëzakonshme. Klasiku më i dashur i fëmijëve anekënd botës, është kthyer mrekullisht në një shfaqje teatri nga regjisori Rafael Hoxhaj.

‘Është vepra e dytë pas Biblës më e botuara dhe më e përkthyera në botë, është një përrallë për një të rritur për ta lexuar kalamajt. Pse? Sepse unë e quaj një si tip thirrje, që ne i bëjmë të rriturve për të gjetur fëmijën që kanë brenda tyre për të mos humbur shpresat, për të mos humbur ëndrrat edhe ta projektojmë ne si të rritur një të ardhme të plotë sa më të ndritur për fëmijët’.

E konceptuar si një tablo e bardhë, me feksje ngjyrash nga skena në skenë, ‘Princi i vogël’ hedh dritën e ëndërrimeve te vogëlushët.

‘I gjithë koncepti im regjisorial është një tablo e bardhë, duke marrë si shembull thellësinë, shembull çiltërsinë e pastërtinë, ashtu siç janë fëmijët dhe e gjitha kjo tablo e bardhë do të vizatohet me ngjyra. Është një lloj projeksioni që ne u bëjmë fëmijëve që ata të na shohin si dritë për të ardhmen e tyre. Në qoftë se ne vizatojmë mirë në tablonë e tyre, ata do të kenë një jetë plotë ngjyra, plot ëndrra, nuk do ju shuhen, ndërsa në qoftë se shkojmë te ngjyra e errët do reflektohet shumë mirë te fëmijët. I përket një teatri fizik, një teatri me pantomimë, një teatri me kërcim dhe një teatri, i cili jo më kot është fëmija i parë që do projektohet si universi, ashtu edhe brendësia e princit.’

‘Princi i vogël’ bën vërejtje të shumta rreth jetës dhe të natyrës njerëzore, ndërsa mesazhet ngacmojnë edhe botën e të rriturve.

‘Fëmijët na mësojnë ne se si duhet ta shohim botën, të mos shohim vetëm bardhezi. Tjetra është rëndësia e shtëpisë, rëndësia e vendit, e familjes. Shtëpiza jonë sado e vogël që të jetë, kur ka dashuri është gjithmonë e mjaftueshme. Flet për miqësinë e vërtetë, flet për raportet njerëzore dhe flet për dashurinë e qenies njerëzore deri në skaj.

Procesi i punës deri te ngjitja në skenë ka qenë sfiduese për Hoxhajn.

‘Është regjia ime e parë për fëmijë. Sfiduese në ekstrem sepse duhet tu përshtatesh fëmijëve të futesh në botën e tyre. Kështu ishte një mënyrë që të kthehesh pas e ta shijosh jetën si kalama, duke u gëzuar për gjëra të vogla’

‘Vetëm me zemër mund të shohësh qartë. Sytë nuk e shohin dot thelbësoren’, mendon ai dhe ky ndoshta është një nga mësimet më të bukura të Princit të vogël.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco