VIDEO/ Valentina Myteveli në ‘Odeon’: Sajza pa tmerre me sy, të mbijetuarve t’u kërkojnë falje

21:20, 30/03/2024
A+ Aa A-

Jam symadhja Sajza. Kam pasur sytë më të bukur, më të mëdhenjtë e më të habiturit në botë. Vdiqa kur po mbushja 8 vjeç. Tani jam bijë e ujit. Rrjedh dhe bares – shpirt i trazuar ujërash. Zanat e Korabit, thoshte gjyshja, kanë qenë të bukura si unë. Por jo sa unë. Nuk quhet fare koha kur po vdisja… Isha skelet…

Baba që më vuri këtë emër nuk e di ku është. Nuk di a është gjallë. Veç jam e sigurtë, se nuk do të doja të ishte me ne… në këtë kamp… ta vinin këta policë në rresht… ta ngarkonin me dru, si një kafshë. Më pëlqen të mendoj, se baba asht larg…

Gjyshja vdiq e para. Mbeta me mamin. E shihja në mbrëmje kur kthehej gjysëm e vdekur nga mali dhe barra e druve. Pastaj ndodhi diçka shumë e keqe me të: ia kishin gërvishtur lëkurën nën rroba dhe ia kishin kafshuar trupin me dhëmbë. Ndonjë bishë e egër mali duhet t’i jetë sulur, me siguri… sepse unë ia shihja gjurmët e dhëmbëve deri në gushë.

Ajo i shtronte gërvishtjet me një pomadë. Pastaj, ato ditë, iu shfaq sëmundja. ‘Sëmundje toke’ i thoshin, ngase ajo binte në jermi dhe përpëlitej e gërvishtte tokën me thonj, derisa nxirrte shkumë të bardhë në cepat e buzëve. Fliste një gjuhë të panjohur. Nuk e dija se çfarë gjuhe ishte ajo. Asoherësh ajo nuk më njihte.
Një ditë e sollën në kampanon thuajse të vdekur. Gratë thanë se rrugës për në mal, e kishte zënë sëmundja e tokës, kish nisë të hidhej përpjetë, duke ulëritur dhe, në atë gjendje, teksa hidhej e vërtitej në jermi, e kishte rrahur kapter Selfo me çizmet e tij të tmerrshme prej hekuri. Kur ia zbuluan trupin e bardhë mamit, lëkura i qe mbushur me flluska të zeza. Shërimi i saj zgjati me muaj. Ajo nuk më vinte re. Nuk më njihte.

Që nga ajo kohë rashë në dashuri me vdekjen. E dëshiroja shumë. Natë për natë u lutesha yjeve të më merrnin. Kur po vdisja me të vërtetë, mami sa qe ngritur nga lëngata.
‘Çfarë do bëhet me ne, mam, pasi të vdesim?’, – e pyeta.
‘Kur vdesin vajza të bukura si ti, nga dheu mbin një lule e bukur, magjistare, që mban emrin tënd, Sajza’, – tha ajo.
‘Po unë isha, ma… isha… tani s’jam më e bukur. Tani jam skelet…’.
Po mami befas më shpërfilli. Dy minuta më vonë vërtet nuk më njihte më. Megjithatë ia di për nder. Më tha një gjë shumë të bukur. Gjithmonë kam dashur të jem një lule e rrallë, e pangjashme me askënd. Do të vazhdoj prapë të jem si një lule.
Më varrosën dhe prisja stinën e shpërthimit. Por kur duhej të mbinte lulja nga dheu e hiri im, më zhvarrosën e më varrosën në një vend tjetër. Kjo më mërziti shumë. Duhej pritur një stinë tjetër.

Pas nëntë muajsh, se lulet mbijnë në pranverë. Pranvera erdhi, por… s’qe e thënë: sërish më zhvarrosën dhe ma çuan varrin, kësaj here, mu buzë Vjosës.
‘Stinën tjetër, patjetër do të çel’, mendova. E treta, e vërteta. Veçse s’u desh të vijë stina tjetër. I fundit erdhi buldozeri. Ai i mori me koritë të gjitha varret dhe i hodhi në lum.
Kështu, pra, mbeta pa varr.
Sa keq!
Qenka thënë, që në këtë botë të trishtuar, të mos çelë kurrë një lule-Sajza…

(‘ SAJZA’ TREGIM NGA AGRON TUFA)

EMISIONI I PLOTE: 

Nga drithmat e vogëlushes që rrëfen e zhvarroset në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental vjen emocioni dhe pikëllimi i balerinës së dansit konteporan, Valentina Myteveli. Interpretuesja tregoi në ‘Odeon’ për mallëngjimin që i ngjalli tregimi i Agron Tufës,  në momentin e parë kur e lexoi.

Balerina rrëfeu vështirësitë e lëvizjeve, përjetimet kur mbi të qëndronte një shtresë e konsiderueshme dheu, që e mbulonte gjithë trupin e asaj. Myteveli kërkoi nga të rinjtë të shkojnë në teatër e të njohin historinë. 

Pjesë nga biseda

Egla Xhemalaj: Nga dheu ku varrosen vajzat e bukura, mbi një lule magjike, lule Sajza. Një rrëfim ndryshe Valentina, një rrëfim që na drithëroi shpirtin ne si shikues në si publik, absolutisht edhe ty që dilje nga dheu magjike, ashtu sikurse lulja që ka përjetuar vuajtje të jashtëzakonshme në kampin famëkeq të Tepelenës, një rrëfim që mbushi sytë e publikut me emocione, me trishtim, me lot e një pjesë që të tregoj magjike ashtu si lulja. Si ka ardhur ky rol te ty dhe sa e vështirë ka qenë që këtë shfaqje kaq dinamike ta përcillje mrekullisht nëpërmjet lëvizjeve trupore, që le të themi kanë qenë mjaft të vështira ngase të duhej që gjithë kohën të ishe në koherencë edhe me rrëfimet e aktoreve të mëdha si Raimonda Bulku e Adriana Tolka.

Valentina Myteveli: Është përgjegjësi e madhe të ndajë skenën me dy aktore të tilla. Jam ndjerë me fat sepse unë jam një performuese e dacit kontemporan dhe baletit klasik. Kjo ka qenë shfaqja ime e parë, në formën e një shfaqeje teatri, dokumentar për më tepër. Kur Endri më ofroi rolin jam ndjerë e privilegjuar.

Kam pritur shumë gjatë që të merrja një rol në teatër. Monologu nuk është i shkurtër. Është një monolog goxha i vështirë, pasi edhe pse historia është goxha prekëse, e dhimbshme, është një histori që ka shpresë brenda. Nga ana e regjisorit ne nuk kemi dashur të mbajmë ose të luajmë rolin e një vajze të vogël 8 vjeçare, thjeshtë të mbajmë naivitetin e saj, por ta sjellim në mënyrë sa më të vërtetë të jetë e mundshme, pa shumë drama brenda, pa lot.

Kalimet kanë qenë shumë të vështira, pasi ka pjesë që janë shumë prekëse, shumë të vështira emocionalisht, si pjesa kur ajo i flet mamit të saj për herë të fundit, kur mami ka akoma komunikim me botën e jashtme sepse kishte një periudhë të gjatë që nuk kishte më komunikim me vajzën e saj. Fjalët e fundit që i tha vajzës për t’i dhënë pak shpresë se për t’ia bërë pak më të lehtë vdekjen ishin fjalë shumë të bukura dhe Sajza e mban aty shpresën e saj dhe është shpirti që ka mbetur në kampin e Tepelenës.

Është ajo që i ka parë të gjitha tmerret me sy dhe endet akoma aty nëpër kamp, duke mbajtur shpresën dhe gjithmonë duke dashur të mbijë një lule nga ajo sepse ende nuk ka mbirë. E gjithë shfaqja është e konceptuar e atillë që unë hedh dheun sipër e sikur jam ende në pritje ‘hë se do të mbijë tani’, por nuk ndodh kurrë. Është një fund tragjik, por ka shpresë brenda. Shpresa ka lidhje me faktin se ne duhet të njihemi me historinë, me atë që ka jetuar populli shqiptar, që të mos përsëritet më. Ka ende njerëz që janë akoma gjallë që i kanë përjetuar ato ndodhi, të cilët janë akoma në pritje të një më falë.

Për interpretuesen Valentina Myteveli, pjesëmarrja në teatër për të luajtur një shfaqje tek e cila është protagoniste ishte hera e parë, ndërsa kënaqësia e realizimit të rolit të vogëlushes ‘Sajza’ është e papërshkrueshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco