VIDEO/ Zhvarrosja e 'Lule Sajzës' në teatër, Bulku: Shqiptarët ishin kundër njëri - tjetrit

21:17, 30/03/2024
A+ Aa A-

Vogëlushja 8-vjeçare Sajza, që ndërroi jetë në kampin famëkeq të Tepelenës, është marrë nga regjisori Endri Çela nga një prej tregimeve drithëruese të Agron Tufës, për të treguar terrorin e makabritetet, parë nga sytë e një fëmije.

Kasti i aktoreve Raimonda Bulku, Adriana Tolka dhe Valentina Myteveli sjellin me zërin e tyre historitë prekëse të fëmijëve, grave dhe të moshuarve që jetuan nën lëkurë torturat e kampit të Tepelenës.

Në emisionin ‘Odeon’ në Syri Tv, aktorja Raimonda Bulku u shpreh se shfaqja ‘Lule Sajza’ nën konceptim regjisorial të Endri Çelës është një homazh, për të gjithë ata që u shuan, por edhe për të mbijetuarit e Kampit të Tepelenës, që terri nuk arriti t’i mbulonte tërësisht.

Bulku tha se Kampi i Tepelenës me gjithë torturat, urinë e vuajtjet e tejskajshme u iniciua nga shqiptarët për shqiptarët, e kjo është më shumë se e trishtë. Aktorja sjell historinë drithëruese të së mbijetuarës Kolë Mirakaj, që u internua së bashku me nënën e saj.    

Egla Xhemalaj: Zonja Bulku, një shfaqje shumë tronditëse , rrënqethëse që na kthen në kohët kur shqiptarët kanë kaluar një kohë shumë të errët, atë të komunizmit e përkatësisht në kampet e terrorit të Tepelenës, aty ku shumë gra, shumë fëmijë e të moshuar kanë vuajtur për shumë kohë. Një shfaqje që ju sjell ashtu sikurse dhe të tjerat mrekullisht në skenën e Teatrit, një shfaqje që ju tregon atë aspektin që ju e keni thellësisht, e keni gjithmonë atë të bukurën njerëzore, atë ndjeshmërinë e thellë. Ç’është kjo shfaqje ‘Lule Sajza’? Si vijnë këto rrëfime tronditëse të sjella nga ju?

Raimonda Bulku: M’u propozua nga Teatri Eksperimental kjo shfaqje. E pranova menjëherë vetëm nga kjo tematikë edhe nga ky trajtim i veçantë. Është vërtetë i rëndë, është shumë i dhimbshëm sepse nuk e ka shkruar një autor, por autorët janë ata që e kanë vuajtur vet dhe ne jemi fjala e tyre. Herë e pësojmë në vetën e parë, herë tregojmë për ta dhe është tronditëse.

Për mua kampi i Tepelenës është një Holokaust shqiptar, që për fat të keq ne ia kemi bërë njëri-tjetrit, nuk na e bëri Hiteleri. Nuk duhet harruar sepse aty nuk janë ata që bënë ‘gabimet’ me pushtetin, të burgosurit apo të vrarët, por lufta e klasave shkoi deri te gratë, te njerëzit e moshuar, te fëmijët e vegjël, te gratë shtatzëna.

Bota merret me Holokaustin, por ne harrojmë që i kemi më të tmerrshme vet. Në një vend të vogël janë bërë makabritete të llahtarshme, dhe po doja të isha një zë në këtë lloj teatri, në teatrin eksperimental, një teatër dokumentar dhe e pranova me kënaqësi e me dhimbje, me shumë respekt për dhimbjen e tyre, që për fat të keq komunizmi ishte i rëndë, njësojë si të gjitha dikaturat e tjera. Më vjen mirë që njerëz vijnë, por synimi jonë nuk është për të ardhur ata që kujtojnë, ata faleminderit dhe ne kujtojmë bashkë me ta dhe na prekin shumë.

Na thonë edhe faleminderit, ne u themi 100 herë na falni dhe faleminderit, por duam rininë të vijë, duam të vijnë ata të dëgjojnë, ajo rini që nuk ka pasur në rrethin e vet, që nuk është folur për këtë periudhë. Mund të jetë shkolla e mesme, e larta. Duam këtë kontigjentë spektatori dhe do përpiqemi ta bëjmë sepse aty ka vlerë, që të kuptojnë çfarë ka qenë, çfarë ka ndodhur dhe pse duhet respektuar ajo klasë që ne i themi të persekutuar.

Aktorja Raimona Bulku theksoi domosdoshmërinë e njohjes së brezave të rinj me historinë, me të vërtetat e hidhura e kërkoi nga institucionet shtetërore, në veçanti nga shkollat t’i japin vëmendje periudhës së regjimit diktatorial. 

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco