VIDEO/ Tingujt me ngjyra të Orion Shimës, piktori në 'Odeon': Veprat kaluan në shumë dilema e dyshime, në bërje e çbërje

21:37, 16/03/2024
A+ Aa A-

Ekspozita e emërtuar “Brio” shkrinë magjishëm dy arte, që nga ana linguistike flasin ndryse. Nga njëra anë, muzika që nuk ka kuptim pa instrumentat e pa tingujt, nga ana piktura që flet përmes ngjyrave, lëvizjeve të konceptuara nga artisti. Titulli i ekspozitës i referohet një termi teknik të dirigjentit, që drejton formacionin në Opera. Orion Shima i flet në një mënyrë elegante përmes penelatave të bukurës estetike dhe dashurisë si fuqi që përligj ekzistencën.

Pjesë nga biseda:

Orion Shima: Të bësh bashkë dy arte që në fund të ditës kanë linguistika të ndryshme gjuhësore, vizuali flet nëpërmjet shenjës, gjestit, penelit, lëvizjes, vizatimit dhe muzikës që flet nëpërmjet tingujve, notave, pasazheve muzikore diku të gëzueshme, diku më dramatike ka qenë e vështirë dhe sfiduese, megjithatë impakti që ka pasur ekspozita në publik dhe në shumë miq të mi ka qenë ky, kushdo që hynë në galerinë FAB, për të parë ekspozitën, më thotë frazën, që tani ka filluar të më pëlqejë shumë. Nëpërmjet kundrimit të pikturave perceptojmë tingujt, sound-in. Mendoj që kjo ka qenë qëllimi përse kjo ekspozitë u krye.

Egla Xhemalaj: Nga një anë shoh në piktura gjithashtu edhe ankthin e krijuesit. Në këtë rast të instrumentistëve, që kanë përgjegjësinë e një publiku që i ndjek, nga një anë shoh çifte të dashuruar, të cilët nuk e konceptojnë jetën pa dashurinë e njëri-tjetrit, po dhe pa muzikën. Kjo në vetvete ka ardhur si një ngacmim i atypëratyshëm apo ka qenë e konceptuar më gjatë nga ju?

Orion Shima: Ka qenë një lloj kërkese dhe një lloj zgjidhje për t’i dhënë momente të ndryshme këtyre zonave. Ankthi i një instrumentisti në skenë ose përgjegjësia që ai ka para një publiku, para vetes ka qenë një situatë që mua më ka pëlqyer shumë. Ashtu siç një autor vizual është në ankth para se të çeli një ekspozitë ose është i dëshiruar të kuptoj se si vepra e tij përcillet në sytë e publikut. Kanë qenë situata që edhe i jepnin një kuptim dhe e bënin shumë njerëzore veprën.

Pjesa tjetër ka qenë loja vizuale, që do ndërtonim telajo pas telajo me imazhin. Sigurisht, muzika përfton gjendje të ndryshme, ashtu siç piktura duhet të përftonte gjendje të ndryshme. Unë jam përpjekur që përmes ngjyrës e lëvizjeve të shpalos një gjendje më dramatike, që luhet. Në telajot e tjera ose në pikturat e tjera, kam dashur të theksojë pikërisht atë butësinë, anën njerëzore dhe anën dashurore në kuptimin jo fizik, por ndjesor që vet muzika ta përcjell.

Egla Xhemalaj: E keni emërtuar këtë ekspozitë “Brio”. Mos është kjo një mënyrë mjaft e qëlluar nga qëmtimi që keni bërë, besoj për tituj edhe me miqtë tuaj apo me njerëz që e njohin e përqafojnë, e duan pikturën tuaj, krijimet tuaja, një mënyrë që të shprehte, po e them në mënyrë magjike, metaforike atë që donit të shpalosnit ju, harenë, ngjyrat e ndezura të bukura e të krijonit këtë kozmogoni ngjyrash.

Orion Shima: Po, është e vërtetë. Me miqtë dhe me kolegët e mi në studio, duke parë pikturat paraprakisht se ekspozita të hapej vendosëm që ta emërtonim “Brio”. Brio ka të bëjë me një term teknik të dirigjentit, që drejton orkestrën. Do përkthehej ose do shqipërohej me gjallëri, me pasion, me vrull. Ne e gjetëm shumë të përshtatshme duke i parë pikturat dhe duke parë dinamikën që ato kanë t’i vendosim këtë titull.

 “Brio” që ka çelur portat e ëndërrimeve u ka lënë një shije të veçantë artdashësve, ngase soditjet nëpër tri dhomat e galerisë kanë qenë të gjata.

Shumë prej tyre, ashtu sikurse dhe drejtuesja e emisionit “Odeon” janë shprehur se sapo shohin pikturat ndjejnë muzikë që bashkëshoqëron ekspozitën.

 “Momenti më i bukur ka qenë ky dhe që ia ka vlejtur, kur hymë në sallë e shohim veprat ne dëgjojmë muzikë. Kjo ekspozitë u bë për këtë qëllim. Unë jam një autor ose një njeri që i përjetoj shumë veprat gjatë procesit. Veprat kalojnë në shumë dielma, dyshime, bërje, çbërje. Në rastin tim kjo ka qenë një ekspozitë që ka përsituar në dyshimin për t’i dhënë vetes mundësinë dhe racionalitetin, që ajo që po ndodhte të ishte pikërisht ajo finalja”, tregoi Orion Shima.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco