Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

VIDEO/ Nga Ferri i Dantes te konfliktet, Gëzim Myshketa në 'Odeon': Cila familje shqiptare nuk ka probleme pronësie?

21:19, 09/03/2024
A+ Aa A-

Triologjia “Il trittico” e rikthen baritonin Gëzim Myshketa në shtëpi, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në  një intervistë për emisionin “Odeon”, artisti tregon për shumëngjyrësinë e personazhit atipik, rrugëtimin e ndritur në Operan shqiptare dhe në skenat ndërkombëtare, në të cilat ka rrokur ovacione e është vlerësuar nga artdashësit. Baritoni tregon në emisionin “Odeon” në Syri Tv, arsyen pse personazhi i tij që mban dhe peshën kryesore të shfaqjes operistike Gianni Schicchi i flet realitetit në Shqipëri.

Pjesë nga intervista

Gëzim Myshketa: Triptiku është një vënie kolosale sepse janë tri opera, që kanë një lidhje. Është elementi vdekje në të gjitha operat, megjithatë kanë histori të ndryshme. Është një vënie goxha kolosale.

Egla Xhemalaj: Dua të ndalem pak te Triptiku. Ju jeni në pjesën e tretë të tij, në pjesë që për shumë studiues e muzikolog është pjesa më qendrore e Triptikut, ngase ka rëndësi më të madhe.

Gëzim Myshketa: Është ajo që mbetet në mendjen e spektatorit. Me epilogun tim në fund, mbyll këtë vënie kolosale prej tre orësh. Është një nga këngët, këntikët e Dantes, i cili flet për këtë personazh që kishte këtë inteligjencë, të personifikonte e të imitonte njerëzit. Ky është Gianni Schicchi. Personazhi futet në një rrjedhë, në një çështje familjare dhe me atë zgjuarsinë e tij (ai nuk kishte studiuar, por kishte një inteligjencë natyrale, ai nuk kishte lexuar shumë por kishte atë shkollën e jetës) ndërron krejtësisht rrjedhën e ngjarjeve, bënë të lumtur të bijën e tij, e cila dashuronte djalin e kësaj familjeje të pasur dhe me një gjetje finoke, ai ridikton testamentin e familjes Donatti duke i dhuruar këtyre të rinjve një të ardhme të ndritur dhe të mirëqënë. Ai thotë që për këtë palaçollëk që bëra, më dënuan edhe në ferr, po kështu qoftë, nuk ka problem, se paratë e Buozës (të ndjerit të pasur) nuk mund të shkonin më mirë se sa për dashurinë e këtyre dy të rinjve. Mbrëmja pas kësaj tragjidisë së Tabarros, xhelozisë, mbas gjithë vuajtjeve të Suor Anxhelikës le të themi mbyllet me një buzëqeshje apo ndjesi, që besoj publikut do t’i vijë mjaft mirë.

Egla Xhemalaj: E duket sikur nga elementët bazë apo nga shtresat më kryesore të shfaqjes është ajo të të përcjellit të mesazheve njerëzore, për të mbërritur thellësisht te vetja e te tjetri, për të lumturuar tjetrin në këtë rast.

Gëzim Myshketa: Kjo është aryseja pse ne dalim në skenë, në fund të fundit. Për të emocionuar dhe për t’u emocionuar.

Egla Xhemalaj: Ky personazh që do ta quaja ngandonjëherë edhe atipik. Një personazh i ravijëzohen ca tipare që rrallëherë i gjenë në personazhe të tjera. Këta të fundit janë personazhe më të ngurosur, pak më klasik pak më të përpunuar, të themi metaforikisht, Si je shpirtëzuar me të? Sa e vështirë ka qenë puna? Ky rol kaq i rëndësishëm i këtij triptiku, sa i shkon përshatat realitetit apo gjithçkaje që ndodh në kohët moderne, në bashkëkohësi e sa i flet shoqërisë shqiptare sot?

Gëzim Myshketa: I flet goxha, pasi Gianni Schicchi e kanë vënë me regjinë time, para gati 10 vitesh dhe ishte i vënë jo në atë mesjetën danteske, por më pranë bashkëkohësisë. Unë do kisha dëshira ta vendosja në regji në vitin 2024 – 2025 sepse në fund të fundit, konfliktet janë të ditëve të sotme. Gianni Schicchi është personazh tepër aktual, i ardhur nga provinca, me një prejardhje tepër modeste, i cili lufton të zërë vend në këtë shoqërinë e re. Konfliktet pastaj janë të prekshme. Cila familje shqiptare nuk ka probleme pronësie? Dashuria e këtyre dy të rinjve është e luftuar nga para gjykimet klasore, ngase ne jemi të pasur dhe të vjetër, kurse këta janë të rinj e janë të varfër e të tjera. Gjenialiteti i tij si personazh zgjidh çdo gjë dhe përmbys çdo prekoncept shoqëror. Forca e Puçinit dhe forca e Operas lirike, të cilën Puçini e trajton shpesh qëndron pikërisht në këtë efekt, që nuk flitet vetëm për personazhe përrallorë, për mbretër e mbretëresha, por për njerëz që janë pjesë e jona, për personazhe në të cilët mund të pasqyrohemi e të shohim vetveten shpesh.  

Shfaqja u shoqëruar në të gjitha netët me duartrokitje të zjarrta nga publiku që e ndoqi nga afër të tre netët në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco