VIDEO/ ‘Nëna’, drama therëse e ikjes dhe harresës, regjisori në ‘Odeon’: U kërkoj falje prindërve se...

21:12, 10/02/2024
A+ Aa A-

Nën lojën e dritëhijeve që është ndërtuar skenografia, një grua e përhumbur rreket të tejkaloj kohën duke komanduar një robot dyshemeje.

E ulur dhe e dorëzuar, Ana, gruaja e vetmuar dhe një nënë lënë vetëm që vjen mjeshtërisht nën interpretimin e Ema Andreas, përjeton ardhjet e ikjet e birit dhe bashkëshortit, e bërtet për dashurinë njerëzore, atë të munguarën. Nën konceptimin regjisorial të Met Xhelilit shfaqja vjen me skena dinamike, që futen thellë në psikologjinë dhe në ndjesitë e personazheve.

I ftuar në emisionin ‘Odeon’ në SYRI TV, regjisori iu përgjigj pyetjeve të gazetares Egla Xhemalaj për këtë vështrim të ri në skenën teatrore, e për veprën që i flet shumëkohësisë, në veçanti kohëve që po jetojmë sot.

‘Ky autor e sheh dramën nga brenda, pra e detyron spektatorin, në të njëjtën kohë edhe personazhet e tjerë të dramës që ta shikojnë gjithçka me sytë e nënës. Sytë e saj, të cilët e kanë humbur në këtë moment logjikën shkak-pasojë, ku gjërat janë të qarta, lineare dhe të kuptueshme bota e saj është bërë shumë komplekse. Na detyron edhe ne ta shohim botën me sytë e saj. Kjo krijon vështirësira në sensin e zbërthimit, të analizës, të përplasjes së skenave. Skenat shpeshherë përsëriten, po kanë një vlerë tjetër’, u shpreh regjisori Met Xhelili.

Ikjet e vazhdueshme të familjarëve, përkatësisht të birit dhe bashkëshortit e dërrmojnë shpirtërisht Anën, e cila gjen një mënyrë për t’iu përvjedhur realitetit, ndonëse jo rrallëherë shpërthen në të qara apo ngre zërin lartë për të treguar se sa të vështirë e ka të përjetojë deri në asht atë që po ndodh. Sa herë që kthehet i biri ajo është e gatshme të luaj me të, të përkujdeset, e në të njëjtën kohë të llastohet, ngase i shoqi e ka harruar dhe e gënjën shpesh, Nga palumturia ajo ngatërron rolet. E fton birin e saj në kafe për t’i shpëtuar monotonisë. Met Xhelili tha në ‘Odeon’ se drama është një formë për t’i kërkuar falje prindërve që braktisen nga fëmijët, e për rrjedhojë edhe prindërve të tij.

‘Është një mesazh që bën thirrje që të kthejmë sytë nga prindërit tanë dhe ndoshta ne që nuk i kemi prindërit, unë për shembull që nuk i kam më as mamanë e as nënën, sot edhe përmes kërsaj shfaqjeje kërkoji një lloj falje, që dikur kur ata mërziteshin që ne nuk shkonim në shtëpi, ngase merreshim me jetën tonë, ishim të zënë, ne nuk i kuptonim ato vuajtjet e tyre shpirtërore na dukeshin ndonjëherë të paarsyeshme. Kjo shfaqjeje është një lloj faljeje që i kërkojmë prindërve tanë, që ndoshta nuk i kemi kuptuar. Të rinjve t’u themi që nuk duhet t’i braktisin prindërit e tyre’, tha regjisori.

Nisur nga realiteti i çdoditshëm, nga dëshira për të qenë në vëmendje të të tjerëve shpesh njerëzit harrojnë se më shumë se gjithçka vlen ajo që kanë, njerëzit e afërt, ndaj Xhelili thotë se:

‘Duhet ta fenojmë pak rendjen pas gjërave materiale, pas ambicieve personale dhe të shohim se njerëzit që kemi pranë ndoshta janë gjëja më e rëndësishme që kemi pasur në këtë botë.’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco