Histori shqiptarësh me famë në historinë mbarë europiane

Histori shqiptarësh me famë në historinë mbarë europiane

12:04, 10/02/2024
A+ Aa A-

Nga Ndriçim Kulla

Një komb që të ketë tagër për pavarësi politike, s’mjafton që të jetë i sundueshëm, ose i pajisur me cilësi mendore e praktike që e bëjnë të aftë jo vetëm për dobitë por edhe për barrët e vështirësitë e jetës shoqërore moderne, por lipset që në gji të tij të ketë sundimtarë të zotë që ta drejtojnë anijen e shtetit nëpër trazimet e mëdha të kohës dhe politikës. 

Në këtë kuptim, një komb duhet të ketë njerëz të aftë për ketë drejtim të vështirë, njerëz që me cilësinë e tyre e jashtëzakonshme të dijnë të mbajnë rend e qetësi përbrenda, dhe çmim e nderim përjashta.

Përsa i përket Shqipërisë, me të gjitha dyshimet e rezervat e kundërshtarve të vjetër e të rinj, pa droje përgënjeshtrimi mund të pohojmë me siguri se historia e Shqipërisë është një histori personalitetesh, që kanë arritur të shpalosin kudo mentalitetin e saj të spikatur juridik, duke qenë në gjendje t’i dhurojë botës sundimtarë të vlertë e të pashoq!                                

Shqiptarët qenë dhe mbetën të dalluar në shekuj nga fqinjët e tyre, qoftë për kulturën e tyre shpirtërore ashtu dhe atë materiale. Edhe në thellësi të shekujve, studiues të tjerë autoritarë vlerësojnë se “në parahistori ilirët, tashmë të gjithëpranuar si të parët e shqiptarëve, ishin kulmi i kulturës europiane".

(11) Ndriçimin e rrethanave të zhvillimit të arsimit dhe edukimit në këtë periudhë historike, mund të na e ndihmojë shkenca e arkeologjisë, edhe pse që nga shekulli i parë p.e.s kur ndodhi dhe shkatërimi i shumë qyteteve ilire, ndodhi edhe dëmtimi i shumë gjurmëve të kësaj kulture. Hulumtimet e shumta dokumentojnë se dëshmitë e shkrimit ilir janë zhdukur, sepse materialet që ishin përdorur në atë kohë ishin të paqëndrueshme. Është argumentuar, gjithësesi, se në Nikoja dhe Antigone kishte njerëz të ngarkuar me punën e mësuesit. Duke gjykuar p.sh. “në bazë të një guri varri të mësuesit Mark Lukari nga Apolonia, që ka jetuar në shekullin II dhe I p.e.s., shohim të skalitur pjesët e punës të nxënësit dhe mësuesit…”.

(12)“Asht e pamundun të ringjallim këtu historinë e atyne kohve të lashta, por nji gja qi s’mund të lehet pa e përmendun asht se edhe ajo kohë thjesht ilire s’ka qenë si e përshkruejnë armiqt e Shqipnisë, por e ka pasun edhe ajo nji farë lulzimi e qytetnimi qi dëshmon aftsitë e mundsitë e mëdhaja të racës ilire”.

(13) Kështu do të shkruante Zef Valentini në veprën e tij të vlertë “Shqipërija etnike”(1944), duke saktësuar edhe një fakt mjaft interesant mbi shkallën e ndryshme të përparimit së kulturës së fiseve të shumta ilire në fillim të shek. III para Krishtit . “Kah vitit 300 para Krishtit, shkruan C. Becker, “Ilirët e Shqipërija Veriore kishin nji shkallë kulture më të lartë se Ilirët e Epirit. Kur Pirroja ( rreth vitit 290 p.k.) merr pjesë në dasmën e djalit të madh të Glaukut, Mbretit të Shkodrës, ai mbeti i mahnitur… jo vetëm nga jeta ekonomike e cila ishte në një lulëzim të madh, por edhe nga zhvillimi i shkencave dhe arteve. Madje Pirroja  gjeti në Shkodër disa piktura e trupore t’auktorëve nga më të përmendurit e Greqisë....”

(14) Kjo vizitë në kryeqytetin e Ilirëve qe nji nxitje e madhe për të, ndaj me t’u ngjitur në fron t’Epirit, ai  i dha shkas një lëvizjeje të jashtëzakonshme zhvillimi material dhe kulturor të kësaj zone. “Themeloi”, përsëri sipas C.Becker, “tri soje bujarije: bujarinë e armve, bujarinë e pasurisë e bujarinë e shkencave dhe të arteve. Këta tituj ishin vetjakë dhe u jepeshin vetëm atyre që ishin gjykuar të zotë e të denjë nga tri Akademitë përkatëse. Ndërtoi edhe do treme të posaçme, ku filozofët mundnin të  mësonin shkencat dhe moralin, duke u porositur të përdorin në mësim të tyne gjuhë ende të gjalla, pse, thonte, s’leverdis me mbushë e me lodhë mendjen e nxënësve me gjuhë të vdekura! “Kjo ishte shkalla e lartë e përparimit dhe e kulturës së Epirit në fillim të shek. III para Krishtit, e prej saj mund të kuptojmë edhe gjendjen e lulzueshme të mbretërisë ilire të Shkodrës, mbasi Pirroja e gjeti më të përparuar se Epirin dhe, nga shembulli i Shkodrës, u frymëzua në veprimtarinë e tij rigjallëruese”.

(15) Mbështetur në gjetjet epigrafike, arkeologjike dhe veprat e autorëve antikë, studiuesit shqiptarë kanë arritur të strukturojnë edhe sistemin edukativ dhe arsimor të ilirëve. Besohet se ky sistem kishte ngjashmëri të mëdha me Athinën antike, ku  vëmendje e veçantë i kushtohej edukimit ushtarak, intelektual dhe atij të punës. “Dëshmi të shumta historike flasin se në epokën e tyre më të përparuar, ilirët  kishin edhe universitete antike, si në Apoloni, Butrint e Durrës. P.sh. në Skolinë Eleniste të Apollonisë në vitin 44 p.er.s. ishte student nipi i perandorit Jul Cezar, Kajo Otaviano, “ngase në këtë shkollë jepnin mësim dijetarët më të zotë të kohës”.

(16) Ciceroni Durrësin e cilësonte si “qytet i madh hijerëndë”, e besohet se ne të kishte edhe një shkollë të filozofisë dhe oratorisë.

Edhe pas pushtimit, falë trashëgimnisë së tyre kulturore, romanizimi i ilirëve ishte i ngdalshëm, por i shoqëruar me një ndikim të fuqishëm të kulturës dhe shkrimit latin, çka do të ndikojë shumë edhe në formësimin e tyre përgjatë këtyre shekujve. Dy trajektore të rëndësishme historiko-kulturore, ose ndryshe, dy periudha të gjata historike të njëkulture të caktuar, do të spikasin në forcimin e komponentëve të epërm shpirtërorë dhe administrativo-juridikë, brenda mentalitetit të tyre të pasuruar nga “kodi burimor etnik”.  “Ajo çfarë kanë qenë për nji kohë të gjatë Shqiptarët për Perandorinë Otomane”, shkruan i përmenduri historjan german Theodor Mommsen, “kanë qenë të Parët e tyre për Perandorinë Romake, kur kjo e fundit pat mbritur  në nji pikë shkatërimi dhe barbarie të pazakontë”.

(17) Rindërtimi ilirik i Perandorisë Romake nuk ishte tjetër veçse mbajtja në këmbë ushtarakisht e një Perandorije plotësisht të përdhosur prej qeverimit të keq të krerëve të dalë prej fiseve bujare”. “Pas krizës së madhe të shekullit III” , shkruen F. Zeiller, “erdhi dita në të cilën burrat e dalë nga këto krahina të luajnë njërol kryesor në Perandori e kërcënuar romake; me zotësinë e tyre ata dijtën t’a shtyjnë rrënimin e saj”.

(18) Perandorija do të zhdukej, e në qoftë se ndejti në këmbë për gati një shekull, i detyrohet rimëkëmbjes ilirjane të qeverisë perandorake. “Perandorët Ilirë”, shkruanUeber, “ishin burra plot energji, bijtë e Ballkanit, të malevet të tij të egra (të Ballkanit) ... të cilët prunë me vehte gjakun e ri, parimet e reja e veprat e reja.... Ata nuk qenë njerëz klasikë; ata shikonin  gjithçka nga pikpamja luftarake... pse vetëm me shtrëngesë e rreptësi mund të mbaheshin të bashkuara ato që lirija dhe qytetnimi kishin shkëputë prej njëra-tjetrës...E në qoftë se nuk donin t’ia dinin  për hollimet e bisedimet e përparshme të Senatit dhe vetëm rrallë interesoheshin për bukurinë e kulturës së moçme, arsyja ishe se ata nuk patën kohën e nevojshme e se ai lulzim asokohe ishte vyshkë”.

(19) Më i njohuri prej tyre, përgjatë gjithë kësaj periudhe, ishte Konstandini i madh.  Shartimi i Krishtërimit me shtetin romak dhe themelimi i Konstantinopojës kishin për të mjaftuar t’a shënjonin si të madhërishme fytyrën e ndritur të Konstantinit. Por ai ka dhe shumë meritime të tjera. “Plotësoji  veprën e Dioklecjanit duke realizuar  atë organizim qytetar e ushtarak, që do të qëndronte për shekuj të tërë në pjesën lindore të Perandorisë”.

(20)  Ai pat lindur ndër krahina tona, në Nish (Naissus), në vitin  280, e prandej qe ilir, ashtu siç qenë ilirë një plejadë e tërë Perandorësh Romakë përpara tij, si Deci (249-251), Klaudi II (268-270), Aureljani (260-275), Probi (276-282), Maksimjani, Dioklecjani (284-305) e Konstanc Klori, babai i Konstantinit. Mirëpo ky varg i gjatë, nuk përfundoi këtu. As vepra themel-hedhëse e Konstandinit nuk mbeti pa vijim. Nëse Perandorija Romake e Perëndimit u zhduk prej sulmeve të barbarëve, në fron të Konstantinopojës që ai ndërtoi me shpejtësi dhe përuroi me bujë të madhe që në vitin 330, do të  shkëlqente Justinjani I (527-565), kënduar edhe nga Dante Alighieri në kryeveprëne tij “Komedia Hyjnore”.

Veprat e këtij Perandori janë përnjimend të mëdha e të pamorte. Më e para prej tyre është kodifikimi i tagrit romak. Kjo punë kërkoi shqyrtimin e mëse 2000 librave dhe 3.000.000 teksteve, për të arritur në përpilimin e Corpus Juris,  që është themeli i jurisprudencës moderne. Në ketë vepër vigane Justinjani, nën ndikimin e Krishtërimit, zbuti shumë pika të tagrit të moçëm, si atë të pushteti atëror, përmirësoi gjëndjen e gruas dhe shpalli barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit. EdheJustinjani qe gjak ilir. Ndokush e pretendon të jetë sllav, por pa kurrfarë baze, pasi Jeta e Justinjanit prej kah nxirret ky fakt, është nji vepër e vonshme, botuar në vitet e para të shek. XVII, e pa kurrfarë vlere historike, siç e ka dëshmue J. Brice dhe siç është  pranuar tashmë nga të gjithë studiuesit e sotshëm.

Një shpjegim shkencor për origjinën e Justinianit, ka dhënë edhe Zef Valentini, kur thotë: “Vetë historiani i madh  modern rus A. A. Vasiliev (nji sllav pra, e prandej pa sympati të shtyeme për Shqiptarë), në veprën monumentale me titull L’Histoire de l’Empire Byzantin, i pshtetun ndër burime të moçme e të sigurta, thotë me siguri se  tre Perandorët Byzantinë Justini I, Justinjani e Justini II, që mbretëruan ndër vjet 518-568, kanë qenë ilirë a shqiptarë…këta Perandorë kanë lemun nga nji familje bujqish në nji katund afër Shkupit, qi atëherë shkonte me Maqedoni, e ato vende, si kemi pa ma nalt, ishin banue nga popullsi ilire. Prokopi na tregon se Justinjani tue dashtë t’a shndrrojë në nji qytet të lumnueshëm vendlindjen e tij Tauresium, ndër rrethe të Skupit në Dardanje, i a ngjiti emnin Justinjana Prima, dhe e bani qënder të Prefekturës dhe seli metropolitane për dioçezat e Illyrikut lindor. Po të kishin lindun këta Perandorë në ndonji vend popullsije të përzime, a t’ishin qenë bir të ndonji zyrtari a oficeri, ndoshta mund të dyshohej për xanafillen ilire të tyne, por tue qenë bir katundarësh, çdo dyshim asht i pa arsyeshëm dhe i pa temel. Justinjani, pra si edhe ungji e nipi i tij Justini I e Justini II janë sigurisht gjak ilir e me veprimtari të tyne provojnë mundësitë politike të rracës arbnore ». 

Referencat

11-Kauziho Yamamoto »The Ethical Struktur Oh Homeric Society »,2002

12-Lufti Alia »Kodi i se drejtes zakonore shqiptare(3) Albsprit

13-Gjergj Fishta « A jane te zot shqiptaret me mbajt shtet per vedi,Hylli Drites,1913

 14 - Bumci,Shqiptaret dhe te drejtat e tyre,fq 14

15-Rose Wilder Lame Majat e Shales ,1922

16-Lufti Alia  Kodi i se drejtes zakonore shqiptare(3) Albsprit

17- Kauziho Yamamoto »The Ethical Struktur Oh Homeric Society »,2002

18- Lufti Alia  Kodi i se drejtes zakonore shqiptare(3) Albsprit

19-Kauziho Yamamoto »The Ethical Struktur Oh Homeric Society »,2002

20- Po aty

21-G.Valentini,Studime dhe tekste juridike ll,fq 140

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco