'Të mbyturit dhe të shpëtuarit' nga Primo Levi

'Të mbyturit dhe të shpëtuarit' nga Primo Levi

12:56, 05/02/2024
A+ Aa A-

Titulli: Të mbyturit dhe të shpëtuaritImage

Titulli në origjinal: I sommersi e i salvati

Autori: Primo Levi

Përktheu: Aida Baro

Zhanri: Ese

Numri i faqeve: 276

Çmimi: 8 euro

Botimi i këtij libri u realizua falë kontributit të Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Ky botim u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Ka ndodhur, ndaj mund të ndodhë sërish: ky është thelbi i gjithë asaj çka mund të themi”.

Në tetë kapituj të thukët, Primo Levi i rikthehet përvojës së Lager-it nazist për ta analizuar jo si një fakt të kryer tashmë, një ngjarje të paparashikueshme e të kufizuar, domethënë si një aksident të Historisë, por si një ngjarje shembullore përmes së cilës mund të kuptojmë deri ku mund të arrijë njeriu në rolin e xhelatit dhe në atë të viktimës.

Levi, me një ekuilibër dhe kthjelltësi të jashtëzakonshme, u përgjigjet pyetjeve që përballen me problematikat e sotme, por edhe ju flasin brezave të ardhshëm, për të cilët parabola naziste sa vjen e bëhet më e largët. Cilat janë strukturat hierarkike të një sistemi autoritar dhe çfarë teknikash përdorin për të asgjësuar personalitetin e një individi? Çfarë raporti krijohet mes dhunuesve dhe të dhunuarve? Cilat janë qeniet që enden në “zonën gri” të bashkëpunimit? Si formohet një përbindësh? A ishte e mundur të kuptohej nga brenda logjika e makinerisë së shfarosjes? Kishte gjasa që të ngrije krye ndaj saj? Dhe sërish: si funksionon kujtesa gjatë një përvoje kaq të skajshme? Çfarë dinin, apo donin të dinin, gjermanët?

“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” ndahet në tetë kapituj. I pari i kushtohet “Kujtesës së poshtërimit”, shtrembërimeve dhe mangësive të saj. Por strumbullari i librit përbëhet nga kapitujt e dytë dhe të tretë, të titulluar respektivisht “Zona gri” dhe “Turpi”. Levi argumenton që hapësira mes kategorisë së viktimave dhe të xhelatëve nuk është bosh, por “aty ka figura të poshtra ose mjerane (ndonjëherë i zotërojnë të dyja cilësitë njëkohësisht), që është e domosdoshme t’i njohim nëse duam të njohim specien njerëzore”.

Levi heton dhe përshkruan, por nuk gjykon; me bisturinë e tij verbale, rrëmon në mishin e gjallë të fakteve. Hetimi i tij nxjerr në dritë një ndjenjë paradoksale: “turpin e të mbijetuarit”, ndjenjën e fajit të “të shpëtuarit”, i cili arrin deri aty sa të besojë që ka mbetur gjallë në vend të një tjetri, më të dobëti, më fatkeqi e më të ndershmi se ai, të cilit ai me sa duket, i ka marrë diçka.

Ky është libri i një njeriu që do të donte të fliste me indiferentët, ish-xhelatët, por ndien drojë dhe neveri njëkohësisht; është libri i një njeriu që rreket të arsyetojë me mendjen e xhelatëve të tij, për t’i kuptuar dhe kjo lojë e përbindshme rolesh i shkakton një vuajtje të padurueshme. “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” ia detyron madhështinë e vet pikërisht kësaj: ai është një ushtrim çnjerëzor objektiviteti, një udhëtim mes të vdekurve që shndërrohet në një udhëtim në vdekjen e vet.

Autori

PRIMO LEVI është shkrimtar italian me origjinë hebreje, një prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit hitleriane. U diplomua si kimist në vitet e para të vendosjes së regjimit fashist, i cili, më 1938 shpalli ligjet racore, që sollën diskriminimet e rënda ndaj qytetarëve italianë “të racës hebreje”. Të gjitha këto e shtynë Levin të hynte në radhët e antifashistëve dhe të merrte pjesë në disa çeta partizane. U arrestua në dhjetor 1943 dhe, prej shkurtit 1944 deri më 27 janar 1945, përjetoi tmerrin e pafund të kampit të shfarosjes në Aushvic. Përvoja në kampin e përqendrimit e tronditi si fizikisht, edhe psikologjikisht dhe e shtyu të hidhte në letër makthin e jetuar prej tij e miliona njerëz të tjerë, përmes shkrimesh të paharrueshme si “A është, vallë, njeri…?”, “Armëpushimi” dhe “Të mbyturit e të shpëtuarit”.

Fragmente nga libri

Ka ndodhur, prandaj mund të ndodhë sërish; ky është thelbi i gjithë asaj çka duhet thënë.

Mund të ndodhë, dhe kudo. Nuk kam për qëllim, as mund të them që do të ndodhë; siç e kam përmendur më lart, ka pak gjasa që të përsëriten sërish dhe në të njëjtën kohë të gjithë faktorët që çuan në shpërthimin e marrëzisë naziste, megjithatë, disa shenja paralajmëruese po ravijëzohen. Dhuna, “e dobishme” ose “e padobishme” qoftë, na shfaqet para syve: gjarpëron, në episode të parregullta dhe private, ose shfaqet nën petkun e veprimeve të paligjshme të shtetit, në të dyja ato që përcaktohen si bota e parë dhe e dytë, domethënë në demokracitë parlamentare dhe në vendet e zonës komuniste. Në botën e tretë është endemike ose epidemike. Pret vetëm histrionin e ri (kandidatët nuk mungojnë) që ta organizojë, ta legalizojë, ta shpallë të nevojshme e të domosdoshme dhe të ndotë gjithë botën. Të pakta janë vendet ku mund të garantohet paprekshmëria nga një valë e ardhshme dhune, e gjeneruar nga intoleranca, nga etja për pushtet, nga arsye ekonomike, nga fanatizmi fetar ose politik, nga mosmarrëveshje racore. Prandaj, lypset të mprehim shqisat, të mos u zëmë besë profetëve, njerëzve që të magjepsin, atyre që thonë e shkruajnë “fjalë të bukura” të pabazuara në arsyetime të forta.

“Të shpëtuarit” e Lager-it nuk ishin më të mirët, të paracaktuar nga fati për të bërë vepra të mira, bartësit e një kumti: gjithë sa kisha parë e kisha përjetuar tregonin krejt të kundërtën. Mbijetonin më shumë më të ligjtë, egoistët, të dhunshmit, të pandjeshmit, bashkëpunëtorët e “zonës gri”, spiunët. Nuk ishte rregull e sigurt (nuk kishte, as nuk ka rregulla të sigurta në çështjet njerëzore), por gjithsesi ishte një rregull. Ndihesha i pafajshëm, por duke qenë pjesë e të shpëtuarve, isha në kërkim të përhershëm të një përligjjeje, në sytë e mi dhe të të tjerëve. Mbijetuan më të ligjtë, domethënë ata që ditën të përshtateshin: më të mirët vdiqën të gjithë.

Kalimi i heshtur nga mashtrimi në vetëgënjim është i dobishëm: kush gënjen me ndershmëri, gënjen më mirë, e luan më mirë rolin e vet, është më i besueshëm edhe për gjykatësin, për historianin, për lexuesin, për gruan, për fëmijët.

Nuk ekziston asnjë problem që të mos zgjidhet kur njerëzit ulen në tavolinë, mjafton që të ketë vullnet të mirë dhe besim reciprok: ose edhe frikë reciproke, siç duket se po tregon situata e ngrirë aktuale që vijon pa fund e në të cilën fuqitë e mëdha përballen me njëra-tjetrën fytyrëqeshura ose kërcënuese, por nuk ngurrojnë që të shpërthejnë (ose të lënë të shpërthejnë) luftëra të përgjakshme mes “të mbrojturve” të tyre, duke dërguar armë të sofistikuara, spiunë, mercenarë dhe këshilltarë ushtarakë në vend të gjyqtarëve të paqes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco