'Histori e shpirtit shqiptar' nga Ndriçim Kulla vjen për të gjithë lexuesit në 'Panairin e Librit', Tiranë

'Histori e shpirtit shqiptar' nga Ndriçim Kulla vjen për të gjithë lexuesit në 'Panairin e Librit', Tiranë

09:37, 16/11/2023
A+ Aa A-

Këto janë vepra që mbeten. Që në konceptim gjej një ideal , gjej histori dhe identitet. Popujt që kujdesen për shpirtin nuk humbasin. Sot ka nje vrull te çmendur kundër identitetit. Janë batalionet e mediatizuara qe paraqesin si heronjtë budallenjtë, njerëzit e barsoletave dhe dembelet shpirtëror. Te faleminderit Ndriçim....do ta marrë sa më shpejt. Mentalitetin Juridik shqiptar e kam përfshirë në librat që u rekomandoj studentëve...!

 Kështu më shkruante në Facebook-un tim dje një nga ndjekësit e mi Prof. Përparim Kabo, studiues dhe petagog universiteti  i njohur, për librin tim më të ri , që Plejad sapo hodhi në treg për lexuesin shqiptar, “Historia e Shpirtit Shqiptar”.

Duke u shprehur me dëshpërim të thellë  në këtë rast për kolerën që i ka rënë për mbi  10 vjet me radhë kulturës dhe sidomos librit të varfër shqip, i cili  po nxinë nga viti në vite prej indiferencës dhe armiqësisë që i ka shpallur ky kryeministër dhe kjo qeveri, shpresoj se me këtë botim me vlerë për studimet dhe kulturën shqiptare, mbetem me shpresën  që  ‘Panairi  i Librit’  në Tiranë që u çel dje ,do ta  ndryshoj sadopak  në mënyrë modeste  atmosferën e zbehtë, me tituj të çerek-fishuar brenda një dekade,pa mbështetje financiare, pa kujdes shtetërorë,pa promovim dhe pa programe leximi .

Në gjetjen e rrënjëve të kulturës dhe identitetit tonë, nuk duhet të bazohemi as në komponentët gjeopolitikë të zgjidhjeve të sotme, as në lulëzimin apo vlerën e ndonjë kulture apo rajoni në krahasim me një tjetër, në një periudhë të caktuar kohe.

Përkundrazi, rrënjët e kulturës sonë kombëtare, e rrjedhimisht edhe të identitetit shqiptar, mund të na i japë vetëm shqyrtimi i trashëgimisë që na ka  lënë historia e plazmimit të saj përgjatë shekujve dhe produkti i tyre i drejtpërdrejtë: mendimi, gjuha, zakonet e poezia popullore dhe e lëvruar.

Me këtë ide udhëheqëse disa dekada më parë projektova të krijoja një trilogji të identitetit shqiptar, ose e thënë ndryshe, të krijoja një pasaportë të përfaqësimit të shpirtit, mendjes dhe zemrës shqiptare, për këdo që do të njohë thellësisht dhe në mënyrë thelbësore njeriun shqiptar që nga thellësia e shekujve e deri në personalitetin që ai trashëgon sot.

Mirëpo një projekt i tillë nënkupton  një hulumtim që kërkon disa kushte të caktuara që të arrijë të piqet e të shpaloset në atë lloj kuptimi e synimi që u projektua. U desh një punë e jashtëzakonshme studimore e analitike që kjo gjë të bëhej e mundur. Çdo histori, në një parim të përgjithshëm, që të shkruhet mirë dhe shkencërisht, duhet të kalojë nëpër tri faza: në fazën e parë të grumbullimit të të dhënave dhe burimeve, në fazën e dytë të hartimit të monografive për secilin prej burimeve të saj më përfaqësuese, dhe vetëm më pas të hartimit të një historie të përgjithshme ndër-burimore, ndër-dimensionale dhe ndër-disiplinore.

Nëpër këtë parim kaloi edhe strukturimi i kësaj trilogjie. Për tre dekada me radhë Shtëpia Botuese që unë drejtoj, synoi një ndërmarrje historiografike të mbledhjes dhe sistemimit të mendimit shqiptar të traditës dhe të viteve 30-të të shekullit XX, të shoqëruara këto me dokumente të së drejtës dhe studime mbi kodin tonë zakonor, historiografi kjo që nga regjimi komunist ishte dënuar ose lënë në heshtje në mënyrën më armiqësore të mundshme.

Pas kësaj, u synua një lëvizje e tërë me përmasat e një akademie të mirëfilltë për evidentimin dhe sistemimin e materialeve autentikë të historisë së mendimit dhe mentalitetit juridik shqiptar, sidomos të veprave të albanologut më të madh shqiptar, Zef Valentinit, të shoqëruara këto edhe me disa studime historiko-letrare që për nga metodologjia përbënin një risi të mirëfilltë të studimeve shqiptare.

I gjithë ky material historiografik, i sistemuar në një “Enciklopedi të mendimit shqiptar” në tri vëllime voluminoze dhe të shtrirë për një periudhë deri 200 vjeçare kohe të historisë së Shqipërisë, krijoi mundësinë e kalimit në fazën e dytë, atë të hartimit të monografive të veçanta , të ndara për autorët më përfaqësues dhe për tematikat më të veçanta të historisë së mendimit dhe mentalitetit shqiptar. Vetëm pas përmbushjes së të dyja këtyre fazave në një përpjekje shumë vjeçare, u arrit që të kalohej në fazën e tretë, në fazën e krijimit sot të historisë së kulturës shqipe në një trilogji përfaqësuese, të hartuar për herë të parë në shqip, që të përmbajë në vetvete “Një histori të mendimit shqiptar” (nga fillimet deri në shekullin XXI), “Një histori të mentalitetit juridik shqiptar” (që nga lashtësia e deri në ditët tona) dhe pjesës së tretë të kësaj trilogjie, që po prezantojmë në këtë projekt, me titull  “Një histori e shpirtit shqiptar”, ku shpirti, kodi i burimit etnik shqiptar dhe psikika e tij kënd vështrohet në raport me letërsinë që ajo prodhoi nga shkrimi i parë shqip deri në epokën e letërsisë së realizmit socialist.

Nëse për mua, ky botim do të qe shpërblimi më i paktë i gjithë dijes së grumbulluar në dekada dhe përpjekjes kolosale që kjo dije mundi të shpaloset në një sintezë të përgjithshme dhe analitike, të gatshme për ta përfaqësuar kudo Shqipërinë, në çdo eveniment apo zyrë politike e diplomatike,  kundra të gjitha tabuve që i kanë veshur, si komb pa histori mendimi, pa mentalitet autentik dhe të përjetshëm juridik dhe pa shpirt gjuhe, estetik e lirik të krahasueshëm me prodhimet më të vyera të letërsisë botërore, atëherë do të kisha ndërtuar edhe një vlerë të shtuar të gjithë vizionit dhe perspektivës më afatgjatë të historisë shqiptare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco