Prezantohet libri ‘Beteja për 20 përqindëshin’, me autor drejtorin e Arkivës, Ardit Bido

Prezantohet libri ‘Beteja për 20 përqindëshin’, me autor drejtorin e Arkivës, Ardit Bido

15:14, 11/10/2023
A+ Aa A-

Një ditë më parë u prezantua libri ‘Beteja për 20 përqindëshin’, nën autorësinë e profesorit të asociuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Ardit Bido.

Ky prezantim, i moderuar në formën e një forumi prej gazetarit Aleksandër Çipa, u zhvillua në praninë e ish-presidentëve të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Z. Bamir Topi, të nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, të një grupi parlamentarësh të mazhorancës dhe të opozitës, të akademikëve, të studiuesve të historisë, të përfaqësuesve të klerit dhe të qarqeve diplomatike.

Libri i referohet tematikës së vetidentifikimit etnik, të përqindjes së pakicave greke në Himarë dhe në Konispol, si edhe të  ndërhyrjeve të huaja potenciale në procesin e censit të popullsisë dhe të banesave, që përbën ngjarjen statistikore më të rëndësishme të vendit. Në panelin e diskutimit, krahas autorit, morën pjesë Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Irakli Koçollari, Prof. Dr. Eva Hyskaj dhe Prof. Dr. Fatmir Mema.

Në fjalën e marrë autori shpjegoi se shtysa për realizimin e këtij studimi ishte identifikimi i grupimeve të caktuara të popullsisë shqiptare me identitet fluid. ‘Fluiditeti i identitetit etnik është një koncept shkencor, shumë pak i trajtuar në Ballkan, nuk është vetëm tek ne. Në Ballkan është shumë pak i trajtuar, ku ne lidhim automatikisht popullsinë me origjinën. Për të dalë rrjedhimisht në përfundime statistikore të besueshme, të cilat na japin një ide më të qartë se sa janë individët që ndihen në një etni të caktuar’, tha Bido.

Ai theksoi riskun e vetëdeklarimit të rremë në censusin 2023, siç ka ndodhur në një fshat në censusin e vitit 2011, duke rrëfyer implikimet politike që do të kishte Shqipëria nëse artificialisht numri i pakicës greke tejkalon 20%, që statistikisht është e pamundur edhe përmes vetëidentifikimit.

Më tej, Bido u ndal në çështjen e vetëidentifikimit etnik, duke pohuar se libri ka përfshirë në trajtesë qasjen klasike primordialiste dhe atë moderniste, me qëllim pasqyrimin sa më objektiv të problematikës. ‘Unë nuk i përkas vetë shkollës primordialiste, unë nuk besoj se ato që kemi të regjistruar në gjendje civile janë të sakta. Por, unë në libër i qëndroj në mënyrë shumë të qartë të gjitha koncepteve, qoftë primordialiste, qoftë moderniste të vetëidentifikimit’.

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi theksoi se përgjegjësia për vetëdeklarim objektiv i përket organeve shtetërore. ‘Nuk mund të thuash ti që unë jam kinez, tajlandez se kështu më mbushet mendja mua tani, por duhet objektivisht të vërtetosh dhe kjo është detyrë e shtetit, në këtë rast e zyrave civile dhe të autoriteteve të tjera që janë të ngarkuara me këtë çështje’ shprehu Krisafi. 

Në vijim të diskutimit Prof. Dr. Milo nënvizoi se problematikat e adresuara në libër duhet të gjejnë zgjidhje nga elitat politike dhe akademike. ‘Ne duhet të jemi realistë mbi disa realitete lokale, veçanërisht në tre fshatrat greqishtfolëse të Bashkisë Himarë dhe duhet të nisemi gjithnjë nga parimet e Konventës Kuadër për Pakicat’ tha z. Paskal Milo.

Profesori Irakli Koçollari këtë botim e cilësoi si një hap mjaft të rëndësishëm për vendin. Gjatë diskutimit, në fjalën e tij Koçollari tha: ‘Deri tani në realin e studiuesve shqiptarë nuk ka qoftë edhe një të vetëm që të jetë marrë me çështjet nacionale, të origjinës së kombit tonë, në mënyrë specifike të identitetit nacional të shqiptarëve. Sigurisht, kjo nuk është e vetmja zgjidhje, e fundit dhe përfundimtare në atë që ka bërë. Ky është një hap, është siç thonin dhe latinët e lashtë ‘një dallëndyshe’’.

‘Pyetësori duhet të shtrohej në debat për mendimin tim, me studies, me grupe studiuesish të fushave të ndryshme, pasi kemi studiues shumë të mirë dhe pastaj do të dinim nëse duhet të ishin apo jo këto dy pyetje’ tha mes të tjerash Prof. Dr. Fatmir Mema.

Prof. Dr. Eva Hykaj vlerësoi që ky botim do të jap ndihmesë dhe kontribut në njohjen e problematikave të shqyrtuara. ‘Duke u ndikuar nga politika, njerëzit vetëndjehen, vetëdeklarohen rrejtazi ose jo. Normalisht, nëse kjo është çështje e përditshmërisë, ose nëse është e pritur të ndodhë, njerëzit do ta kuptojnë më mirë nëpërmjet botimit të Arditit’ shprehu në diskutim Prof. Dr. Eva Hykaj.

Në përmbyllje të forumit, moderatori z. Aleksandër Çipa çmoi se përmes këtij botimi faktik, kontribuohet në rikthimin e ‘Shqipërisë e mendimit’. ‘Shqipëria, në rastin konkret, përmes akteve dhe natyrisht forumeve të tilla, të rikthejë atë që quhet senteca e Branko Merxhanit, Shqipërinë e mendimit. Arditi jep një kontribut për të rikthyer përmes të dhënave dhe fakteve logjike, Shqipërinë e mendimit’ përfundoi z. Çipa.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco