Gramoz Krasniqi, me aftësi të kufizuara, një yll në skenat gjermane

Gramoz Krasniqi, me aftësi të kufizuara, një yll në skenat gjermane

10:30, 21/09/2023
A+ Aa A-

Gramoz Krasniqi është një këngëtar i ri i muzikës rep. 27-vjeçari jeton në Mülheim an der Ruhr në Gjermani, është djali i Dr. Shkëlzen Krasniqit, cili gjithashtu prej kohësh merret me muzikë. Gramozi ka aftësi të kufizuara fizike, por kjo s’e pengon aspak për t’u bërë një këngëtar i dashur për publikun jo vetëm gjerman.

Në fillim të muajt maj ai ishte mysafir në emisionin e drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror gjerman ZDF, te moderatorja Nadine Krüger, në programin e mëngjesit.

Shkak i ftesës nga ky televizion ishte projekti i radhës në fushën e repit, por kësaj here në bashkëpunim me “Eko Fresh”, një reper i njohur në Gjermani.

Gramozi paraqitet me emrin artistik “Rolling G” dhe çdo herë e më shumë është duke u bërë pjesë e emisioneve të ndryshme në Gjermani.

Ai, përveç këndimit, ka edhe një dhunti oratorinë. Kjo shihet edhe në atmosferën që krijon në shoun “Rap am Mittwoch”, i cili mund të shikohet në You Tube. Në një prononcim për albinfo.at, në mes tjerash, ai tha:

“Jam lindur më 1996 në Trier të Gjermanisë dhe i rritur në Mülheim an der Ruhr. Muzikën e kam pasur gjithmonë pasion, talentin e kam trashëguar edhe nga babai. Për shkak të problemeve shëndetësore, më është dashur të qëndroj shpesh dhe gjatë nëpër spitale dhe nganjëherë edhe nga koha e tepërt dhe monotonia aty, shkruaja tekste këngësh. Më 2009 dëgjova për herë të parë Hip – hop muzikë. Në moshën 13-vjeçare shkrova tekstin e parë për vajzën që e doja. Pastaj shpesh me shokët e mi këndonim jashtë, në natyrë. Më 2018 paraqitja ime në një Hip – hop Battle në Köln u bë virale. Prej këtij momenti, vendosa te merrem profesionalisht me muzikë.

Projektet më të suksesshme të Gramozit deri më tash janë: “Hip – hop Battle”, me 30 milionë klikime në Facebook në eventin muzikor të njohur si “E mërkura e Repit”, mbajtur në Köln. Lansimi i këngës sime të parë solo ishte: “Smile und bleib sitzen”. Së fundi bashkëpunimi me reperin e njohur gjerman “Eko Fresh” në këngën “Neue Wege” me idenë e organizatës së njohur gjermane për projekte sociale “Aktion Mensch”, thotë Gramozi për albinfo.at.

Image

Aftësitë e kufizuara nuk e pengojnë Gramozin të gjejë rrugë të reja për t’i kaluar të gjitha vështirësitë. Ai thotë: “Kur ke talentin, mund të arrish të gjitha”.

“Në tekstet e mia muzikore unë përshkruaj të gjitha ato që ndodhin në jetën time, jo gjithmonë të lehta, por edhe gjëra të tjera me rëndësi për mua dhe shoqërinë në përgjithësi. Tekstet dhe muzika janë terapia ime”, shton ai.

Mesazhi i Gramozit për të gjithë të rinjtë është: “Pavarësisht se çfarë ju sjell jeta, mos u ndalni asnjëherë duke kërkuar suksesin. Përpiquni t’i shihni gjërat pozitivisht në jetë dhe shijoni çdo sekondë të jetës”, thotë ai.

Reperi “Rolling G” falënderon të gjithë përkrahësit e tij, veçanërisht ata shqiptarë, kudo që jetojnë, për të cilët thotë se janë forca dhe energjia e tij për të vazhduar edhe me suksese të tjera muzikore.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco