Dita kur lindi martiri Dom Lazër Shantoja, esperantisti i parë shqiptar

Dita kur lindi martiri Dom Lazër Shantoja, esperantisti i parë shqiptar

11:19, 02/09/2023
A+ Aa A-

Përkujtohet sot kleriku, martiri, intelektuali, përkthyesi, publicisti Dom Lazër Shantoja (2 shtator 1892 – 5 mars 1945)​

Lindi në Shkodër, aty ku mori dhe mësimet e para në Seminarin Papnor të Etërve Jezuitë. Ndërmjet viteve 1912-14 vazhdon studimet për teologji në Insbruk të Austrisë me rezultate të larta. Shugurohet meshtar më 29 maj 1915, fillimisht në Katedralen e Shkodrës, e më pas në fshatin Sheldi, ku hapi dhe një shkollë fillore për fëmijët. Ka shërbyer si famullitar edhe në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll. Më 1922 u caktua sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës.​

Krahas detyrës si klerik, Lazër Shantoja njihet si redaktor i organit “Ora e Maleve”, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Patër Anton Harapin dhe Luigj Gurakuqin. Përkrahës i Avni Rustemit dhe një nga organizatorët e Lëvizjes së Qershorit të vitit 1924.

Me rikthimin e Legalitetit, Lazër Shantoja u mbajt për disa muaj në burg dhe më pas u fal nga Ahmet Zogu. U largua nga Shqipëria për shumë vite, fillimisht në Jugosllavi, në Austri e më pas duke shërbyer si famullitar në Bienne dhe në La Motte të Zvicrës.

Me pushtimin fashist kthehet në Shqipëri, duke u pozicionuar në krah të politikës italiane. Sëbashku me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Patër Anton Harapin, është një ndër themeluesit e Institutit të Studimeve Shqiptare. Me largimin e Italisë fashiste, tërhiqet nga jeta politike. ​

Me ardhjen në pushtet të komunistëve, Lazër Shantoja arratiset në malët e Sheldisë. Arrestohet nga forcat e ndjekjes në dhjetor të 1944. I akuzuar si bashkëpunëtor i Mustafa Krujës, “element kryengritës”, “reaksionar”, bashkëpunëtor i Gjon Markagjonit, fashist i flaktë.

Gjykata Ushtarake e dënoi me vdekje. U pushkatua më 5 mars 1945 në Tiranë. ​

Lumturimi si pjesë e Martirëve të Kishës Katolike Shqipërisë u krye më 5 nëntor 2016, në sheshin para Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.

Si njohës i gjermanishtes, italishtes dhe frëngjishtes, ka sjellë në shqip vepra të Shilerit, D’Annunzios, Gëtes, Leopardit, Uajlld, De Musset etj. Njihet si esperantisti i parë shqiptar. Zhvilloi poezinë lirike, duke botuar përmbledhjet si “Çinarët”, “Prifti i Malësisë”, “Kanga e Paqes”, “Hasan Riza Pasha”, “Kuvendi i Dëshmorëve”, “Për një puthje të vetme”. Ka bashkëpunuar me revistat “Illyria”, “Leka”, “Lajmtari i zemrës së Jezu Krishtit”, “Kalendari i Veprës Pijore”, “Ora e Maleve”, “Hylli i Dritës”, dhe ka botuar studimet “Grueja” apo “Peshku në det e tava në zjarm”.​
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco