Si sot në 1948, kryengritja antikomuniste e Zhapokikës

Si sot në 1948, kryengritja antikomuniste e Zhapokikës

11:50, 08/10/2022
A+ Aa A-

Sot përkujtohet Kryengritjen e Zhapokikës e 8 tetorit 1948.

Lëvizja e armatosur e Zhapokikës ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës së Tepelenës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe një përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial. Ishte një revoltë e armatosur e mirëorganizuar dhe me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara.

Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, një i ri 30-vjeçar, ish-partizan, me arsim fillor dhe i martuar me dy fëmijë,. 

Të mbi 20 burrat që morën armët ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës dhe me barrën e dy luftrave botërore mbi shpinë.

Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës e nëpunës të administratës lokale. Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vendosej në fuqi një qeveri demokratike. Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-ushtaraku 59 vjeçar, Bajram Kamberi. 

Më 10 tetor në qafën e Gllavës zhvillohet beteja vendimtare me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës.

Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin: 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Si përfundim, çeta antikomuniste u shpartallua. Një nga figurat kryesore, Xhemal Brahimi, u arratis fillimisht në Greqi e pastaj në SHBA. 

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor.

Komandant Bajram Kamberi u dënua me pushkatim e u ekzekutua në Gjirokastër më 21 korrik 1949.

Të tjerë pjesëmarrës u dënuan me burgime të rënda e dikush vdiq në burg. Numri i të ekzekutuarve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arriti në nëntë.

Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg.

Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991. 

Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe humbën të drejtën elektorale. Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri por edhe në jug të vendit.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco