Vrimëzat dhe vijëzimet e dorëshkrimeve të periudhës mesjetare

Vrimëzat dhe vijëzimet e dorëshkrimeve të periudhës mesjetare

09:10, 15/12/2021
A+ Aa A-

Kur studiojmë dorëshkrime apo shohim në ekspozita dokumente të periudhës mesjetare, qofshin ato bizantine apo evropiane, gjasat janë që në skajet e dokumentit të vërejmë dhe një seri vrimëzash (angl. pricking marks) të rregullta, zbulon Arkivi i Shtetit dhe sipas tij, kjo dukuri është më e zakontë për librat e dorëshkruar në pergamenë. Për shkak të prerjes së njëtrajtshme të fletëve për t’u përshtatur në vëllim (procesi i rriskimit), vrimëzuat pranë buzëve anësore të fletëve rrallë ruhen, kurse ato pranë buzëve të sipërme dhe të poshtme hasen më shpesh.

Po ashtu, në sipërfaqen e fletës vërehen edhe vijëzime horizontale dhe vertikale, në formë të thellimeve të lehta. Nuk është dëmtim i dokumentit, por është pjesë organike e tij, dukuri që shoqëron dorëshkrimin që në lindje.

Përmes këtyre shenjave, libërshkruesi arrinte të ndërtonte sistemin e asaj që më pas u quajt mise-en-page, sot hasur më shpesh si page layout, në shqip faqosje. Vijat i shërbejnë kopistit si shenja orientimi, që shkrimi të jetë i drejtë, të respektojë kufijtë e duhur, kurse germat nistore dhe dekorative, zakonisht më të mëdha se ato të shkrimit, apo dekoret e ndryshme, të kenë vendin e tyre të mirëpërcaktuar.

Kuriozitet: parimet e faqosjes në çdo formë shtypi të epokës moderne respektojnë, në thelb, estetikën dhe standardet e përcaktuara që në dorëshkrimet mesjetare.
Në figura: vijëzime vertikale dhe horizontale në një fletë të pa shkruar të Kodikut të Vlorës nr. 10, shek. 14; dhe vrimëzuat (në rreth të kuq) bashkë me vijëzimet vertikale (treguar me shigjetë të blertë) në një fletë të Kodikut të Beratit nr. 13, shek. 14.

ImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco