Lajmi i fundit

LIVE/ 'Opozita në Aksion', takim me demokratët e Lezhës

Lidhja me klanet mafioze për të blerë votat e kërcënuar votuesit

Lidhja me klanet mafioze për të blerë votat e kërcënuar votuesit

Nga Kastriot Islami - 07/10/2017

Raporti final i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, me një gjuhë të kujdesshme dhe stil diplomatik, bën një panoramë të qartë të situatës së zgjedhjeve të 2017 në Shqipëri. Më konkretisht të mekanizmave të tjetërsimit të votës i) përmes shit-blerjes me paratë e korrupsionit, krimit e narkotrafiqeve dhe ii) kërcënimit të votuesve nga individët me rekorde kriminale në Shqipëri. Zgjedhjet në Shqipëri në dukje janë të lira por ato nuk janë aspak të ndershme. Zgjedhjet mund të plotësojnë disa standarde teknike por ato nuk janë demokratike, ose thënë ndryshe nuk plotësojnë standardet demokratike të vendeve perëndimore. Misionet monitoruese ndërkombëtare janë shprehur me doreza për “parregullsitë” në zgjedhjet e 2017 por në fakt Shqipëria është i vetmi vend i NATO dhe kandidat për në BE ku manipulimet në zgjedhje dhe tjetërsimi i votës janë faktorët përcaktues të rezultatit zgjedhor, pra maxhoranca e qeveria e dalë prej tyre janë ilegjitime. Shqipëria është një vend me drejtim “oligarkik” të lidhur me klanet mafioze që manipulon zgjedhjet.

1. Qeverisja oligarkike e zgjedhjet e manipuluara, një ndërlidhje e faktuar dhe logjike…

Shqipëria që nga 1991, pothuajse gjithnjë, ka zhvilluar zgjedhje me probleme, por duke filluar nga 2005 (me alternimin e pushtetit) deri në 2013 (me alternimin tjetër të pushtetit) ka pasur një progres të lehtë në arritjen e standardeve demokratike për zgjedhjet, duke krijuar shpresën se gradualisht po vendoseshin standardet demokratike perëndimor. Ndërkohë që në zgjedhjet e 2015, zgjedhjet e pjesshme 2013-2017 dhe ato të 2017 është shënuar një rrënim i qartë i standardeve demokratike dhe një degradim i cilësisë së zgjedhjeve me ndikim të qartë në rezultatin zgjedhor. Kjo ka ardhur se Shqipëria, që nga 2013 është një vend me qeverisje klienteliste dhe drejtohet nga një kupolë oligarkike ku liritë dhe të drejtat themelore nëpërkëmben haptas apo në mënyrë të maskuar, ku media është nën kontrollin e kësaj kupole, ku bizneset e mëdha dhe qeverisja klienteliste janë aksionere, ku krimi dhe klanet mafioze janë bërë njësh me shtetin, ku shoqëria civile është vënë në shërbim të kupolës së korruptuar, ku është paralizuar mendimi e veprimi opozitar, ku po tentohet të eliminohet a asgjësohet opozita politike, ku deri edhe një numër jo i vogël zyrtarësh ndërkombëtarë në pozicione kyçe ku përgatiten raporte për Shqipërinë janë blerë e kompromentuar për të heshtur për të gjithë bëmat e kësaj qeverisjeje. Situata është alarmante sepse shqiptarët nuk kanë më as besim dhe as shpresë, dhe as duan të sakrifikojnë për të ndryshuar një situatë të tillë dhe të vetmen zgjidhje e gjejnë te emigracioni.

2. Shit-blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve me ndikim në rezultatin zgjedhor…

Në Raportin e OSBE/ODHIR të zgjedhjeve 2017 të dalë pak ditë më parë, evidentohen shumë më qartë sesa në zgjedhjet e përgjithshme të 2013, në zgjedhjet vendore të 2015 dhe në të gjithë zgjedhjet e pjesshme të periudhës 2013-2017, tri dukuritë kryesorë që kanë ndikuar në tjetërsimin e votës e për rrjedhojë edhe në tjetërsimin e rezultatit zgjedhor (ndonëse ky përfundim s’thuhet në trajtë eksplicite por ai është një rrjedhim logjik i këtij raporti). Në fakt një arsye përse në Raportin e OSBE/ODHIR s’jepet në mënyrë eksplicite ky përfundim vjen edhe nga fakti që të gjithë partitë politike opozitare me qeverinë s’arritën të grumbullonin fakte e prova të pakundërshtueshme për të provuar këto përfundime. Ndoshta arsyet janë të shumta por mbi të gjithë në publik ekziston perceptimi se të gjithë faktorët që imponuan marrëveshjen e 18 majit imponuan edhe heshtjen ndaj të gjithë manipulimeve që do të “hidhnin në erë” zgjedhjet e ndotura të 25 qershorit.

3. Pas 2013 ka një rrënim të standardeve demokratike të zgjedhjeve…

Përse në Shqipëri që pas zgjedhjeve të 2013 e alternimit të pushtetit, kë një rrënim të standardeve demokratike të zgjedhjeve? Përse tri dukuritë e i)shit-blerjes së votës; ii) kërcënimit të votuesve dhe iii) përdorimit të mjeteve të administratës publike nga partia në pushtet janë bërë prioritare dhe janë sofistikuar në funksion të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor në favor të qeverisë? Arseyeja është e thjeshtë: Shqipëria, është një vend që drejtohet nga një pakicë njerëzish të pasur e të korruptuar dhe qeveria e të cilët është ndërtuar me individë të klientelës e mediokër, për rrjedhojë e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet përmes një konkurrimi të lirë e të ndershëm. Prandaj kjo qeveri i është drejtuar për të mbajtur me çdo kusht pushtetin tri mekanizmave:

i) shit-blerjes së votës duke përdorur paratë e korrupsionit qeveritar, të krimit të lidhur me shtetin dhe të narkotrafikut që është në lidhje të ngushtë me policinë dhe elitën politike;

ii) kërcënimin e votuesve përmes mjeteve qeveritare administrative dhe veprimit të individëve me rekorde kriminale dhe iii) kandidimit të individëve me rekorde kriminale apo familjarëve të tyre. Në raportin e OSBE/ODHIR evidentohen edhe shumë “parregullsi” të vjetra e të reja, por që janë në plan të dytë krahasuar me këto elementë që përcaktojnë jo vetëm ecurinë e procesit zgjedhor por në mënyrë direkte apo indirekte edhe në përcaktimin e rezultatit zgjedhor.

4. Në vend të një përfundimi…roli i opozitës….

As rekomandimet e OSBE/ODHIR për të kryer një reformë që shmang shit-blerjen e votës, kërcënimin e votuesve, përdorimin abuziv të burimeve shtetërore, e tjerë nuk janë në gjendje të garantojnë një konkurrim të barabartë dhe zgjedhje të standardeve demokratike. As deklaratat e fuqishme të ambasadorit amerikan për klanet mafioze nuk mjaftojnë për të shpëtuar zgjedhjet nga shit-blerja, nga kandidimi i individëve me rekorde kriminale dhe nga kërcënimi i votuesve. As futja e teknologjive moderne nuk do ti shpëtojë zgjedhjet nga thonjtë e kësaj qeverisje. Natyrisht ato mund të ndikojnë në reduktimin e këtyre dukurive, në frenimin e disa prej tyre, në shmangien e disa të tjerave. Në këtë kontekst, është urgjente që opozita të përqendrohet në dy reforma të

rëndësishme, realizimi i të cilave duhet realizuar me konsensusin real maxhorancë-opozitë,

i) reformës territoriale dhe

ii) reformës zgjedhore me fokus zgjedhjet vendore të 2019. Zgjedhjet 2019 duhet të jenë testi i fundit i rikthimit në rrugën drejt realizimit të standardeve demokratike.

Ndërkohë opozita duhet të bashkohet për të

i) ndëshkuar ashpërsisht klanet mafioze,

ii) për të shpërbërë lidhjet e tyre me kupolën politike qeverisëse, dhe

iii) për të çuar para drejtësisë anëtarëve të gjithë anëtarët e korruptuar dhe të lidhur me klanet e familjet mafioze të kupolës qeverisëse. Roli i partnerëve ndërkombëtarë është i rëndësishëm por opozita duhet të ndërgjegjësohet se detyra e saj është lidhja e fuqishme me qytetarët për ti dhënë shpresën dhe besimin se ky është një objektiv i realizueshëm.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp07/10/2017 14:46

Opozites i rekomandoni z.Islami qe me konsensus real me mazhorancen te perqendroen ne dy reforma.1.Reformen territoriale.2.Reformen zgjedhore.z.Islami ,pse opozita nuk u angazhua ne reformen territoriale dhe pse opozita dhe mazhoranca per nji vite nuk mblodhi komisionin e reformes zgjedhore me dy kryetar z.Taulant Balla dhe z.Bylykbashi ?.Nen driten e henes gjerat nuk shquhen mire, por nen driten e diellit, vetem te verberit nuk shikojne.Mazhorance dhe opozite kane qene ne akord dhe vazhdojne te jene.Ketij teatraliteti i mengoni vetem ju sot.Si mund te kete nje reforme zgjedhore me konsensus mazhorance-opozite kur shumica e shqiptareve nuk marin pjese ne zgjedhje dhe se gjysma e shqiptareve kane ikur nga syte kembet neper bote?.Kur nuk pranoni as fraksione ne parti, si mund te pranoni ujdi qe dy partite kryesore PS-PD me dy lider qe nuk bejne zgjedhje as ne parti, te vendosin per gjithe shqiptaret se si duhet votuar, se si duhet manipuluar, se se si duhet deformuar vullneti i shqiptareve, vetem se si interesat klienteliste, oligarkike dhe personale te parise se Tiranes perfshi dhe ato ambasadoriale te dominojne krejt interesat e qytetareve te vendit.Konsensusi nuk mund te kerkohet jashte forcave politike qe jane jashte parlamentit dhe pa konsensusin e qytetareve qe nuk jane te perfaqesuar kurrkund.

Shto koment

Denonco