Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Çfarë duhet të bëjë Evropa me fëmijët që kthehen nga ISIS?

Çfarë duhet të bëjë Evropa me fëmijët që kthehen nga ISIS?

Nga Charlotte McDonald-Gibson - 25/07/2017

Djalit 9-vjeçar nuk i pëlqente shkolla. Nuk i pëlqenin as fëmijët e tjerë, sepse e dinte çfarë ishin ata: të ligj pa fé që meritonin të vdisnin. Ndaj bëri atë që e kishin mësuar të bënte: I sulmoi. E larguan nga godina që ditën e parë pasi ishte kthyer.

Ai kishte kaluar dy vjet larg vendit të tij evropian në një vend ku numërimi mësohej me goditjet e kamzhikut mbi shpinën e një viktime që torturohej; ku prania në prerjet e kokave ishte pjesë e programit shkollor; ku roli i tij i vetëm ishte të bëhej xhihadist i ardhshëm, ose “këlysh luani i Kalifatit”. Vitet në fortesën e Shtetit Islamik, Raqqa të Sirisë, e kishin shndërruar në një djalosh konfuz thellësisht të radikalizuar e brutalizuar.

Ai është një ndër 5000 evropianët – burra, gra, fëmijë – që besohet të kenë udhëtuar drejt territorit të Shtetit Islamik që nga viti 2012, për të luftuar përkrah islamikëve apo për të jetuar në kalifatin e tyre. Tani, teksa rikthehen, qeveritë po fokusohen në çështjet e sigurisë afatshkurtra, duke injoruar nevojat e mëdha të fëmijëve të dëmtuar.

Djali u kthye në shtëpi në fillim të 2016-ës bashkë më të ëmën – e konvertuar muslimane, aktualisht në gjyq – dhe e pa veten në një botë të cilën ishte mësuar ta urrente, ku nuk i besonte asgjëje dhe askujt.

“Ndihej i rrethuar nga njerëz të ligj”, thotë Daniel Koehler, studiues në Programin mbi Ekstremizmin në George Washington University dhe këshilltar familjar me bazë në Berlin. “Këta fëmijë janë vendosur nën stres të vazhdueshëm, u është thënë se do të digjen e torturohen nëse nuk bëjnë këto gjëra - nëse nuk vret të pabesët, do të përfundosh në ferr, edhe nëna jote. Është një torturë e vazhdueshme psikologjike”.

Historinë e djalit ma tregoi zoti Koehler, të cilit i ishte kërkuar të ndërtonte një strategji re-integrimi pas përpjekjeve katastrofike për ta rikthyer në shkollë. Z. Koehler nuk e tregoi vendin evropian ku jeton djali.

“Ka një qëndrim shumë të ashpër karshi tyre”, thotë ai. “Shumica e njerëzve do t’i donin të vdekur apo të dënuar pas hekurave për gjithmonë. Është vërtet problem që shumica e popullsisë janë komplet të pavetëdijshëm që këta janë fëmijë dhe nuk kanë asnjë faj”.

Omar Ramadan, kreu i qendrës së BE për vetëdijen karshi radikalizimit, beson se janë qindra fëmijë evropianë në territorin e Shtetit Islamik, ndonëse është e pamundur ta thotë me siguri. Ndërsa qeverita kanë disa të dhëna për numrin e fëmijëve që kanë ikur bashkë me prindërit, Shteti Islamik i ndalon kontraceptivët dhe detyra e grave është të krijojnë brezin e ri të luftëtarëve. Kur një fëmijë lind në Shtetin Islamik, hyn në një botë pa kombësi. ISIS lëshon certifikata lindjeje, por asnjë vend nuk i njeh ato.

Fëmijët e nisin shkollën që në moshën 4-vjeçare, duke iu ekspozuar një programi brutal. “Një libër i thjeshtë aritmetike ka portokalle e mollë, si dhe tanke e pushkë në të njëjtën faqe”, thotë Nikita Malik, kërkues në Henry Jackson Society, një think tank me bazë në Londër, ku ai ka studiuar materialet shkollore të Shtetit Islamik. “Niveli i vlerësimit, sidomos me djemtë, varet nga aftësia për t’u normalizuar me dhunën. Pra me pjesmarrjen në varje, ekzekutime publike, rrahje me kamzhik – fëmijët mësojnë të numërojnë me fshikullimat e kamzhikut”.

Për vajzat shkolla mbaron në moshën 9 vjeç, kur konsiderohen si të rritura mjaftueshëm për t’u martuar. Në të njëjtën moshë, djemtë nisin stërvitjen luftarake, ndonëse përdoren edhe më herët në video propagandistike. Një video tregon një djalë rreth katër vjeç që i shtie me armë një robi të lidhur pas lodrave.

Jan Kizilhan, psikolog kurdo-gjerman, e ka parë vetë se çfarë dëmi mund të bëjë indoktrinimi i Shtetit Islamik. Ai trajton ushtarë fëmijë në Irak dhe djem nga minoriteti Yazidi, të cilët janë marrë si refugjatë në Gjermani pasi u regjistruan në listat e luftëtarëve nga Shteti Islamik. Këta fëmijë kanë parë përdhunime, tortura, vrasje, disa herë kanë qenë detyruar të merrnin pjesë edhe vetë në krime.

“Agresiviteti është një nga problemet kryesore”, tha ai, përveç “maktheve, problemeve me gjumin, përqendrimin, ndoshta kanë edhe probleme neurologjike. ISIS i ka stërvitur të mos njohin ndjenja”.

Dr. Kizilhan është i bindur se duhen e pakta dy vjet me ndërhyrje të përditshme nga punonjës socialë, psikoterapistë, mësues dhe profesionistë të tjerë për t’u dhënë këtyre fëmijëve shansin për jetë normale. “Ata kanë nevojë për siguri, stabilitet dhe orientim”.

Por ajo për të cilën shqetësohen shumica e qeveria nuk është sigura e fëmijë të kthyer, por siguria e shtetit. Shtetasit francezë e belgë që kanë kaluar kohë me Shtetin Islamik kanë kryer sulme terroriste në të dyja këto vende dhe primar për autoritetet është monitorimi i ish-luftëtarëve për shenja se ata mund të mbjellin terror në vendet e tyre, ose fundja t’i ndalojnë të kthehen. Fëmijët e kapur në mes të zjarrit thjesht nuk përbëjnë prioritet.

Qeveritë nuk bëjnë përpjekje për evakuimin e qytetarëve të tyre nga zona e konfliktit. Jessika Soors e shpjegon kështu: “Kush do ta merrte përsipër përgjegjësinë e kthimit të një ujku me lëkurë deleje?”. Zonja Soors drejton skuadrën e anti-ekstremizmit në bashkinë belge Vilvoorde, nga rezidentët e së cilës janë lindur të paktën tetë fëmijë në territorin e ISIS. “Politikisht do të ishte e vështirë t’i shpjegoje opinionit publik se si shtet po ndihmon kthimin e luftëtarëve të huaj”, thotë ajo.

Por ata që duan të kthehen e gjejnë rrugën dhe politikat e frikës dhe paragjykimit e injorojnë përfitimin e një ndërhyrjeje të hershme në jetën e fëmijëve të radikalizuar dhe thjesht i shtyjnë në situata edhe më të rrezikshme.

Për momentin, ata që ikin nga Shteti Islamik rrezikojnë vdekjen ose robërimin, pastaj detyrohen të udhëtojnë përmes territorit të mbajtur nga milicia drejt Turqisë. Vetëm kur hyjnë në një konsullatë apo ambasadën e vendit të tyre marrin ndihmë. Atje, kombësia e fëmijë të lindur në Siri e Irak duhet konfirmuar, shpesh përmes testit të ADN-së. Shumë fëmijë i kanë prindërit nga vende të ndryshme, duke krijuar probleme kujdestarie. Kur fëmija kthehet në shtëpi, njëri ose të dy prindërit shkojnë në burg, duke ngritur pyetjen se kush do të jetë kujdestar i tij. Pastaj fëmija duhet të hyjë në sistemin arsimor.

Këto komplikime të shumta – dhe mundësi e një vale kthimesh teksa ISIS po humbet përherë e më tepër terren – kërkojnë një trajtim të kujdesshëm dhe strategji mbarë-evropiane për manaxhimin e këtyre fëmijëve. Duhet të ketë trajnime për mësues e punonjës socialë dhe vija drejtimit të qarta, si rifillimi i shkollës dhe kush ka më tepër mundësi për t’u kujdesur për fëmijën. Politikat duhet të pëqendrohen më tepër në mbrojtjen e fëmijëse se sa në demonizimin e familjes.

Në vitet e fundit, fëmijët në video ekzekutimi janë bërë subjekt i titujve masturbues dhe lajmeve sensacionale në televizion. Tabloidët britanikë i vunë nofkën “Jihadi Junior” një djali 4-vjeçar. Zyrtarët evropianë të sigurisë fokusohen te mundësia që fëmijët e radikalizuar të bëhen brezi i ri i terroristëve. Një zyrtar francez i përshkroi të rinjtë si “bomba me sahat”.

Por nuk ka asgjë më të rrezikshme se sa stigmatizimi i mëtejshëm i këtyre fëmijëve. Për 9-vjeçarin që sulmoi shokët e klasës, ishin krahët e dashur e të sigurt të gjyshit, shtrënguar pas tij teksa rrinin ulur në sheshin e lojërave, që e lejuan t’i shihet fëmijë e tjerë si shokë lojërash dhe jo armiq. Pas një viti nën mbikqyrje të kujdesshme, ai u kthye në shkollë dhe nisi procesin e të qenit sërish fëmijë.

Fëmijët si ai janë viktima të pafajshme lufte, të njohur si të tillë nga ligjet ndërkombëtare. Por kur vjen puna te lufta kundër Shtetit Islamik, shumë njerëz duket se e kanë harruar këtë të vërtetë të thjeshtë.

Marrë nga New York Times - Përgatiti: SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

dikush26/07/2017 10:21

Me ben pershtypje se nga mediat ne gjuhen shqipe, vetem ne Zerin e Amerikes e gjen fjalen Europe te shkruar alla grekshe "Evrope". Nuk kam degjuar ndonje shqiptar qe te shqiptoje monedhen europiane si "evro". Mesa duket Lapsi kerkon te imitoje jo vetem politiken e New Jork Tims e Zerit te Amerikes, por edhe shqipen e tyre.

Shto koment

Denonco