Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Realiteti i shtrembëruar i Turqisë mund të mos kthehet më pas

Realiteti i shtrembëruar i Turqisë mund të mos kthehet më pas

Nga Ece Temelkuran - 23/07/2017

Imagjinoni sikur merrni telefonin për të bërë një telefonatë dhe në anën tjetër ju përgjigjet presidenti. Të shtunën e kaluar, çdo qytetar turk ishte i detyruar të dëgjonte mesazhin e presidentit Recep Tayyip Erdogan me rastin e përvjetorit të puçit të dështuar, para se të vazhdonin me telefonatën që donin të bënin. Ai i kujtoi edhe një herë vendit gjithëfuqinë e tij, në rast se qytetarët e kishin harruar për një moment.

Sivjet, ata që nuk janë përkrahës së Erdoganit i rregulluan pushimet në mënyrë të tillë që të shmangnin festimet e fundjavës së kaluar në Stamboll. Çdokush që jeton në një vend me problemet e autoritarizmit   apo të populizmit në rritje e njeh atë ndjesinë e mosqenies në gjendje të bësh asgjë para fytyrës invazive dhe gënjeshtrave të qarta të një sundimtari që vazhdimisht shpik armiq të rinj për të mbajtur pushtetin. Mjaft prej tyre që nuk arritën të largoheshin, thjesht fikën televizorët para fjalimit të Erdoganit.

Por për ne që e pamë tek deklaronte “do t’ua presim kokat tradhtarëve” ndërsa turma i përgjigjej në kor “duam ekzekutime”, ishte një nga momentet e panumërt që pyesnim veten: “Populli im është ky? Vendi im është ky?”. Kur urrejtja e përpunuar e shndërron vendin tënd në një koshere armiqësie, ti ndihesh pa atdhe.

Përgjigjja e Erdoganit për pyetje të tilla është shumë e qartë. Përvjetori ishte një deklaratë se Turqia e vjetër është zëvendësuar nga Turqia e Erdoganit. Ai madje deklaroi se popullsia është pakësuar me 30 milionë. “Shpëtuam 50 milionë (turqit) natën e puçit”, tha ai. Popullsia e Turqisë është 80 milionë.

Flamuri turk u zëvendësua me një simbol të ri që përfaqëson 15 korrikun. Himni kombëtar është zëvendësuar praktikisht nga Dombra, kënga e fushatës e Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP) në pushtet, me korin që përsërit “Recep Tayyip Erdogan” dhjetë herë. Për shkak të gjendjes së emergjencës, zgjatur sërish pak ditë më parë, sistemi i sakatosur i drejtësisë është dobësuar edhe më tepër. Që nga referendumi i zhvilluar në mënyrë të dyshimtë për sistemin presidencial, në prill, parlamenti efektivisht është zëvendësuar si seli e pushteti politik nga  pallati përrallor i Erdoganit, të cilin ai e konsideron si shumë të përulët krahasuar me Buckingham Palace.

I gjithë kompleksiteti i politikës turke është reduktuar njëkohësisht në polarizimin më banal. Tensionet midis kurdëve e turqve, sunitëve dhe alevëve apo të majtës e të djathtës janë reduktuar në një dallim të vetëm: midis përkrahësve të devotshëm të Erdgoanit dhe “tradhtarëve”,  ku tani futen edhe adoleshentët që hetohen për postime kritike në Twitter.

Ndërkaq, zëvendësimi de facto i sistemit sekular me atë islamik u shënua në mënyrë simbolike me recitimin e Kuranit gjatë ceremonisë së përvjetorit në parlament.

Në Turqi, epoka e post të vërtetës nuk është e sofistikuar. Ajo që nisi si një ndryshim i lehtë i faktve për të krijuar të vërteta të volitshme për partinë në pushtet është shndërruar në gënjeshtra të pastra që të përplasen fytyrës. Kur më tepër se dy milionë njerëz u mblodhën në Stamboll me pankarta që shkruani “Drejtësi”, më 9 korrik, në vijim të një marshimi proteste nga Ankaraja, Erdogan këmbënguli se turma ishte vetëm 145 mijë njerëz, pavarësisht se i gjithë vendi mund ta shihte mitingun në televizor me sytë e vet. Teksa media e shtypur përsëriti shifrat e Erdoganit, turqit mësuan edhe një herë se nuk ke ç’i do sytë kur nuk mund të shprehësh atë që sheh.

Sot, shumë ngurrojnë të bëjnë parashikime për të ardhmen e Turqisë, thjesht sepse thellësisht e dhimbshme t'i japim zë frikës sonë. Që kur opozita formale politike është bërë praktikisht e pamundur, gjysma e popullsisë që kundërshton Erdoganin ka vetëm një opsion: politikën e rrugës. Dhe Erdogan ka lënë të kuptohet disa herë se nëse njerëzit dalin në rrugë, pasojat mund të jenë shumë më të përgjakshme se sa masat e ashpra për protestat e Gezit më 2013, ku pati disa të vdekur dhe mbi tetë mijë të dëmtuar rëndë.

Askush nuk dëshiron të imagjinojë një konfrontim midis gjysmës më të edukuar të vendit me turmën që thërret “duam ekzekutime”  sa herë që Erdogan nxjerr një armik të ri si mënyrë për të konsoliduar pushtetin. Po flasim për një turmë që vërtet beson se përmbytjet e kësaj në Stamboll nuk u shkaktuan për shkak të infrastrukturës së keqe që vjen nga vite korrupsioni e nepotizmi, por për shkak të një komploti tradhtarësh të orkestruar nga opozita.

“Zoti na shpëtoftë nga të ligjtë dhe të shkolluarit”, tha imami gjatë funeralit simbolik të organizuar nga qeveria për ata që humbën jetën duke iu kundërvënë puçit. Përkrahësit e Erdoganit u përgjigjën: “Amen.”

Viti pas puçit shërbeu për largimin e intelektualëve – mësues, lektorë, etj – nga sfera publike, por është parë edhe si përpjekje për të shtypur apo vrarë aftësinë bazike njerëzore për të arsyetuar. Si rezultat, Turqia është nën mëshirën e gjendjes shpirtërore të Erdoganit. Gjendja e tij shpirtërore është ajo ku ai nuk sheh asnjë arsye se pse duhet të ketë zëra të tjerë veç të tijit.

Si shumë njerëz të tjerë në Turqi, ndihem si një orë që është zbërthyer dhe rimontuar nga një orëndreqës i ri. Ne jemi pjesët e mbetura jashtë. E qartë që sahati nuk punon më. Pyesim veten se kur do të shihet kjo e vërtetë e dhimbshme apo nëse do të shihet vërtet.

Marrë nga The Guardian-Përktheu: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Adnani25/07/2017 13:03

Shume e cuditshme qe nje portal i djathte, te pakten ashtu vetekonsiderohet, sa here behet fjale per partine ne pushtet ne Turqi, normalisht edhe per liderin e saj, R. T. Erdogan, i ben jehone sulmeve te majtisteve ekstreme. Paraardhesit politike te ketyre qe sulmojne Erdogan-in sot, para rreth 100 vjetesh kane vrare njerez ne Turqi vetem sepse nuk pranonin te vishnin kapelen e republikes, simbol i emancipimit, por deshironin te mbanin fesin e zi, simbol fetar, tradicional, kulturor.

Shto koment

Denonco