Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Letër e hapur drejtuar: simpatizantëve të PD, kryesisë, kryetarit në detyrë, elitës ...

Letër e hapur drejtuar: simpatizantëve të PD, kryesisë, kryetarit në detyrë, elitës ...

Nga Dr. Erion Piciri - 27/06/2017

Të dashur demokratë!

Si sot e 25 vjet më parë Partia Demokratike fitoi për herë të parë zgjedhjet parlamentare me 57% te votave, me 1 milion e 50 mijë votues dhe 92 deputetë. Ishte përfaqësimi më dinjitoz në historinë e parlamentarizmit shqiptar, me elitën e intelektualitetit të kohës, me ideale, shpresa dhe ëndrra për një Shqipëri Europiane. Sot, mbas 25 vjetësh Partia Demokratike nuk mund të krenohet me një performancë të tillë. Përkundrazi, ka më pak se 25% të votave, 38 deputetë dhe afro 450 mijë votues. Një rënie drastike nga zgjedhjet në zgjedhje. Po thyhet bërthama e fortë pa të cilën nuk mund të qëndrojë në këmbë një parti e madhe. Vetëm në katër  vitet e fundit ka humbur, si parti dhe koalicion, afro 200 mijë votues. Për ironi të fatit, shqiptarët e kanë votuar sa ish-Partinë e Punës, në kohën e rënies së saj në vitin '92, ndërsa bijat e saj (PS-LSI+), kanë sot rreth 70% të votave, me afro 1 milion votues.  

Si arritëm në këtë nivel, në rezultatin më të dobët në gjithë historinë tonë kundrejt qeverisë më të paaftë, më të korruptuar dhe të kriminalizuar në të gjithë historinë e shtetit shqiptar? Si mundet që një parti historike të përfundojë kështu?

Lidershipi bën diferencën. Humbja e thellë e zgjedhjeve i dedikohet një drejtimi të dobët, përjashtues dhe kaotik të PD-së, e kombinuar  me një krizë besimi dhe pozicionimi të lidershipit. Humbja e thellë erdhi si pasojë e lënies së kauzave, e marrëveshjeve të fshehta me kundërshtarin, listave jokonkuruese të mbushura me njerëz pa rezonancë politike, me një fushatë miqësore me qeverinë dhe që ndërronte drejtimin nga frynte era. Njerëzit nuk mund t’i bashkohen një lidershipi të dobët, të paqëndrueshëm dhe sipërfaqësor. Njerëzit duan liderë karizmatikë që luftojnë për idetë e tyre jo që jepen me çdo mënyrë mbas pushtetit.

E para fushatë që në vend të mobilizonte, demoralizoi, në vend të luftonte qeverinë, luftoi strukturat dhe njerëzit e zgjedhur në parti. Ishte fushatë për spastrim të konkurrencës, jo për fitimin e zgjedhjeve. Ishte fushatë që kishte në bazë absurditetin ideologjik dhe aritmetik - me taksa të ulëta dhe shpenzime të larta. Njerëzit e kuptuan dhe e abandonuan. Fjala e Linkolnit, nuk mund t'i gënjesh të gjithë njerëzit, gjatë gjithë kohës. Indiferenca ndaj opozitarizmit nxiti absenteizmin e afro 300 mijë zgjedhësve, krahasuar me vitin 2013. Kjo ndodhi për herë të parë në 25 vjet. Këta njerëz të lirë nuk u shitën dhe nuk  u blenë, thjesht bojkotuan. Hipoteza e blerjes së votës nga paratë e pushtetit dhe drogës mund argumentojë qëndrueshmërinë e votave të së majtës por nuk shpjegon dot absenteizmin dhe votën e munguar të së djathtës. Ky është një sinjal izolimi, përjashtimi dhe prag rrënimi të PD-së nga elektorati i saj tradicional. Kolonat e të djathtës historike - antikomunistët, pronarët e vërtetë, intelektualët, të rinjtë dhe shtresa e mesme – humbën besimin dhe nuk e ndoqën lidershipin drejt aventurës si shoqëruese e parë e së majtës të Edi Ramës.

Mbi këto fakte dhe të vërteta duhet të nisë reflektimi dhe ndryshimi. Asnjë forcë politike nuk mund të përballojë beteja të reja nëse nuk kupton realitetin dhe nuk kuron sëmundjet që e kanë prekur në kohë. Kemi humbur statusin e një partie të madhe dhe rrezikojmë që në 4 vjet të dalim nga skena politike. Nga parti e shpresës së madhe përfunduam në një parti e zhgënjimit të madh, që nuk frymëzon, nuk ngjall besim, nuk i nxjerr dot njerëzit në votime. Kjo është zonë e rrezikshme, zona e humnerës politike dhe asgjesimit. 

Sot është momenti që ne demokratët, që e kemi lidhur jetën me këtë vend dhe me këtë familje politike, të ngrihemi, ta modernizojmë dhe ta shpëtojmë partinë dhe Shqipërinë. PD ka njerëz të ditur, të mirë shkolluar, me përvoja administrative dhe qeverisëse, me eksperienca pune dhe jete brenda dhe jashtë vendit. Ne mund të gjejmë zgjidhje. Fillimisht me parimet, me kornizën statutore, pastaj me përzgjedhjen e njerëzve përmes votës, me frymëzimin, me politikat qeverisëse dhe ushtrimin e pushtetit.

Në këtë moment krize të thellë, më shumë se një rendje mbas fronit të kryetarit, për ta mbajtur apo për ta marrë, më shumë se rendja në shtratin e pushtetit, na duhet një frymë e re,  një kulturë dhe mendësi perëndimore. Ne na duhet një reformë demokratike dhe një statut që vendos simpatizantët në krye të procesit të rinovimit të elitave dhe përcaktimit të përfaqësimit politik. Gara e lirë dhe e ndershme, vota masive i jep çdo partie moderne alternativat, kandidatët dhe fituesit me potencialin më të lartë elektoral të kohës. Gara e lirë dhe e ndershme i ka bërë partitë amerikane të mbijetojnë në rreth 200 vjet, nxjerrin fitues dhe humbës të përkohshëm, jo të përhershëm, rinovon energjitë, gjeneron ide, vizione dhe lidership konkurues gjatë gjithë kohës.

Për këtë transformim duhet sot të kërkohet:

  1. Dorëheqja e menjëhershme e  kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike, për humbjen më të thellë të arritur ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare. Qëndrimi i tij cënon imazhin, besueshmërinë dhe simbolikën e PD-së;
  2. Hapja e rrugës për një modernizim total, statutor, garues, strukturor, me ndarje menaxhuese dhe politike të partisë;
  3. Pozicionimi i qartë të Partisë Demokratike si parti opozitare dhe ndalimin e përfshirjes së kundërshtarëve në punët e brendshme të saj. Mungesa e koherencës dhe flirti me pushtetin po shkatërron opozitën shqiptare;
  4. Krijimi i një komisioni të posaçëm me mandat dy mujor, me figura përfaqësuese dhe pa konflikt interesi, për administrimin e debatit dhe përpilimin e një statuti të ri që i kthen vendimmarrjen anëtarësisë për funksionet partiake dhe shtetërore;
  5. Vendosja me statut të primareve për kandidatët për këshilla bashkiake, kryebashkiakë, deputetë dhe kryeministra;
  6. Kalimi me referendum i statutit të ri të partisë në shtator 2017;
  7. Organizimi në nëntor 2017 i zgjedhjeve të reja për të gjithë lidershipin e partisë, me parimin një simpatizant/një votë, sipas modelit Amerikan.

Çdokush të kandidojë në kushte të barabarta dhe pa u diskriminuar, përfshi edhe ish-kryetarët. Askush i përjashtuar, askush i paragjykuar, të gjithë të vlerësuar me votë masive. Kështu fitohet besimi, ngjallet shpresa, ndalohet rënia, frenohet shpërbërja, rritet solidariteti, rregullohet funksionimi i karrierës politike, afrimi i burimeve më të mira njerëzore të kohës. Kështu cdokush fiton dinjitetin e munguar, zgjon liderin e fjetur brenda vetes. Gara, vlerat, ideologjia dhe uniteti funksional duhet të jenë shpirti që bashkon njerëzit rreth kësaj partie. Mbi drejtësinë, vërtetësinë dhe ndershmërinë të hedhim themelet e një lidershipi ndryshe, nën miratimin periodik të anëtarësisë. Nëse grupet që janë konturuar tashmë, kacafyten për fronin, PD do shpërbëhet. Nëse konsolidohen kollonat e demokracisë, kjo ndërtesë e hijshme klasike, nuk do bjerë kurrë. Këtu rolin historik e ka edhe lideri-themelues. Atë që nuk bëri në 25 vjet mund ta bëjë tani. Fati i këtij institucioni është pjesë e trashëgimisë së tij, rënia pjesë e dobësisë së lidershipit të tij.   

Të gjithë ju që ndani mendimet e mia për modernizimin e Partisë Demokratike, jeni të ftuar të bashkoni zërin tuaj dhe të shpëtojmë një parti historike, një pasuri kombëtare, shpresën e modernizimit të Shqipërisë. Nuk është koha të mbajmë me dhunë partinë apo ta kapim me djallëzi kreun e saj, por të forcojmë themelet e partisë me rregulla dhe parime të qarta sipas modeleve euroamerikane. Koha për të rindërtuar kulturën dhe mendësinë dhe më pas me votë masive të zgjedhim një lidership të ri.

Bashkimi i njerëzve me të njëjtat ideale është rruga drejt ringritjes, pushtetit dhe transformimit të kombit tonë...

Me respekt,

Dr. Erion Piciri

Votues i PD-se nga viti 1991

Antar i PD-se nga viti 2003

Kandidat për deputet në Tiranë, viti 2017

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ronald01/07/2017 20:42

Mbeshtetje maksimale per ju Z. Erion!! Perfaqesoni vlerat ideale te nje patrioti dhe personi te formuar ne fryme amerikane. Shpresojme qe njerez si ju do kthejn Shqiperine per mire.

Me respekt,

Ronald

I.K.28/06/2017 16:57

Te gjithe simpatizantet demokrate te vjeter e te rinj, neqofte se duam qe PD te mbijetoje duhet qe pikat ose kerkesat qe parashtron Dr. Piciri, ti bejme realitet, sigurisht me drejtimin e nje lidershipi te ri te PD. Tek shkrimi juaj demokratet duhet te rigjejne forcat, shpresat e humbura...
Domani e un altro giorno......

I.K.28/06/2017 16:52

Shkrimi juaj dr. Piciri eshte i shkelqyer. Nuk do ti levizja asnje presje.

Sam28/06/2017 15:16

Karizem, klas, artikulim. Dr.Piciri ju adhuroj. Ja lideri qe i duhet opozites.

ajo28/06/2017 13:01

Z.Piciri,
Te sugjeroj te shpallesh kandidaturen per kryetar.
Jozefinat, Gencat, Eduadrdad apo Majlindad nuk kane c'ti japin me PD, perkundrazi do ta fundosin perfundimisht po e moren drejtimin e saj.
PD i duhet nje politikan i mirefillte( me shkollim adekuat dhe jo nje diletant), ti perkase shtreses se djathte dhe per me teper i pakonsumuar politikisht ose me mire i pa korruptuar politikisht.
Suksese!!!!

landi28/06/2017 08:33

Te shpresojm .

Daj Jaku28/06/2017 08:04

Mendoj që riorganizimi i PD duhet të mbështetet në rihapjen e degëve dhe zyrave të saj në gjithë territorin e vendit, të sharrohen drynat e ndryshkur që rrijnë mbyllur prej 12 vjetësh në çdo skaj të territorit. Kontakti me popullin në çdo skaj të territorit është në themel të politikës, është besimi i tij në pjesmarrjen aktive në politikë dhe në qeverisje ose në opozitë, pa këtë rrënjëzim në popull nuk mund të arrihet asgjëkundi. Luli i vocërr është demagog profesionist por nuk ka asnjë lloj aftësie organizative si domosdoshmëri për sukses në çdo ndërmarrje konkrete, aq më tepër në punët e një partie që pretendon të qeverisë. Bashkinë e Tiranës për 4 vjet e drejtoi Bozgo. Ndërsa Luli nuk dihej ku ishte. Punët nuk bëhen vetiu. E njohur edhe paaftësia e tij për ta rrethuar veten me njerëz të aftë për punë, por vetëm mashtruesa dhe punëpambaruar. Populli demokrat në territor mbeti pa pika referimi dhe përfundoi në thashethemet e kafeneve. Mendoj se Luli duhet të japë dorheqjen me efekt të menjëhershëm e të pakthyeshëm. Përgëzime Dot.Piciri, të këshilloj të hidhesh në veprime konkrete mbas shkrimeve, është koha. Mos me leju që nallone të vjetra e të konsumuara të përvehtësojnë PD.

krasasi tp27/06/2017 20:40

Shkelqyshem Dr.Piciri.Pika e fundit e sygjerimeve eshte qershija mbi torte.Suksese.Solidaritet.

Shto koment

Denonco