Lajmi i fundit

LIVE/ 'Opozita në Aksion', takim me demokratët e Lezhës

'Mburoja magjike' e Edi Ramës

'Mburoja magjike' e Edi Ramës

Nga Poli Hoxha - 11/10/2016

Diçka e keqe e madhe po ndodh. Opozitarizmi, revolta ndaj pushtetit që po degradon në një sekt autokratik është lodhur. Nuk e kemi fjalën thjesht për opozitarizmin politikë, partinë që kërkon të rikthehet në pushtet. Kjo është histori më vete.

Por bëhet fjalë sidomos  për shoqërinë civile dhe medien të cilat duket janë dorëzuar përballë kundërsulmeve me “të njëjtën monedhë”, që kryeministri dhe shpura e tij ndërmerr sa herë gjendet përpara akuzave dhe kritikave.

Por çfarë është ajo “magji”, ajo forcë e madhe absurde në pamje të parë, e cila bën që në vend që të ulin kokën dhe të reflektojnë për të mirën e tyre dhe 1 milion votave që përfaqësojnë, ky grusht njerëzish që drejton vendin çdo ditë e më shumë të bëhet arrogant dhe të shpall armiq pikërisht ata që ambasadori Lu ka dëshirë ti quajë, si e vetmja shpresë e këtij vendi, shoqërinë civile dhe medien e lirë?

Gjithçka është kthyer në një betejë absurde, e trishtuar plot dekurajim. Nuk janë të paktë ata që shkruajnë e analizojnë me fakte atë që po ndodh, por të gjitha të kthehen mbrapsht me një egërsi dhe cinizëm demoniak, duke demonstruar një fuqi “të çuditshme” që e shesin sikur vjen pikërisht prej andej, nga qytetarët shikojnë shpresën e vetme.

Prandaj nuk na ngelet gjë tjetër, veçse të nisim e të tregojmë “përrallën” e radhës me kalorës e mburoja magjike… 

***

Që Edi Rama i ka mbushur mendjen vetes se duhet me se s`bën, të hyjë në histori si shpëtimtar i Shqipërisë, kjo nuk diskutohet më. Dhe që do të hyjë në histori, në mos tashmë e ka kryer këtë mision, përsëri nuk ka vend për diskutim. Çështja është vetëm, se si dhe përse do të mbahet mend.

Veçanërisht kohët e fundit, meqenëse është përfshirë nga ankthi për të fituar edhe 4 vite të tjera kohë, i ka hipur kalit të Rilindjes, ka dalë në fushë të hapur, ka ngritur shpatën mbi opozitën dhe kujtdo tjetër që i thotë “nuk e ke mirë kështu o trim”, ka shtrënguar fort në gjoks si mburojë mikun e madh të shqiptarëve SHBA-të dhe e ka transformuar veten në Kryekalorës.

Duket hapur se këto momente historike për vendin siç është aderimi në BE dhe Reforma në Drejtësi, Edi Rama po i konsideron më së shumti “historike”, për vetveten dhe shpurën që e rrethon. Prandaj edhe këtë proces, e ka shndërruar një fushëbetejë me armiq të shumtë përballë, të maskuar si kazanë mbetjesh, me “hamzakastriotër” (herë shfaqen si Ilir Meta, e herë si Koço Kokëdhima) dhe natyrisht, edhe me mercenarë profesionistë në anë të tij.

***

Deri këtu panorama është e qartë, por një Kryekalorësi, në një betejë “vendimtare” i duhen edhe kalorësit. Dhe Edi Rama i ka gjetur, edhe ata. Madje prej kohësh i ka futur në fushëbetejë të armatosur fortë, me pajime që shkëlqejnë për së largu. Populli rri dhe vështron, nuk bën dot as tifozllëk, sepse as që është duke kuptuar, se përse bëhet në të vërtetë kjo luftë, për “jetë a vdekje”. Por ai ama mund të vështrojë ushtritë e rreshtuara në të dy anët.

Përballë vetë Edi Ramës dhe shpurës së tij të armatosur rëndë që mbajnë pajime rrëzëlluese, qëndrojnë një mori e madhe kazanësh. Ata që janë brenda tyre, duket janë edhe armiqtë e vetëm të ushtrisë që ka si mision të ndryshojë njëherë e mirë, të ardhmen e vendit.

Kazansit ulërijnë që nga brenda; kanabis, plehra, tendera, koncesione, varfëri, loto amerikane, çadra kampesh gjermane...

Kryekomandanti turfullon, tund shpatën dhe urdhëron ajdutantët që e rrethojnë; mbylluani kapakun, ti lajmë hesapet dhe të ecim përpara. Lëshohet Tahiri i pari, por nuk e lë i qetë Veliaj, i cili e shpon kalin me gjithë fuqinë jo të vogël që ka. Gjithsesi të dy kthehen të djersitur te kryekomandanti dhe të prerë në fytyrë i raportojnë, se nuk i mbyllin dot të gjithë kapakët e kazanëve; “Janë shumë, shumë kapiten, më shumë se sa duken”.

 ***

Por ti lemë armiqtë në kazanët e tyre derisa t`u bëhet vizita e radhës dhe të drejtojmë dylbitë nga kalorësia e Rilindjes. Të shmangim Kryekalorësin, sepse ashtu si është mbuluar ai kokë e këmbë me mburojën Lu-Vlahutin, momentalisht nuk kemi çfarë t’i shikojmë. Mbase është koha t’u hedhim një sy disa prej kalorësve që mban krenar rrotull, gjithmonë të gatshëm për luftë.

Natyrisht më të rëndësishmit pas atyre të Thesarit, janë ata që po çojnë përpara Reformën në Drejtësi me ligje e vota në momentin e duhur.

Në krah të djathtë dallohet fare qartë Fatmir Xhafa. Themi dallohet më kthjellët se të tjerët, sepse bërtet dhe përbetohet më shumë se të gjithë. Me fjalë, duar dhe këmbë, udhëzon jo vetëm kalorësit e tjerë, por u jep mesazhe miliona sehirxhinjëve për rëndësinë që ka beteja. Natyrisht te të gjithë ata që ndjekin këtë skenë, lind pyetja: Për çfarë po lufton me kaq përbetim Fatmir Xhafa? Sigurisht  për një të ardhme më të mirë të atdheut, vjen përgjigjja. Dhe Reforma në Drejtësi e sjell atë. Për këtë të gjithë jemi dakord. Por çfarë është atdheu, pyesin sehirxhinjtë e luftës? Përgjigjja dihet që kur është artikuluar për herë të parë “nocioni atdhe”; është celula e tij, shtëpia jote, familja, nëna, babai, fëmijët, motrat, vëllezërit…dhe kështu me radhë. Pra Xhafa ashtu si kryekomandanti, po lufton për familjen e tij dhe kjo është një gjë që duhet duartrokitur.

 Por këtu ka edhe diçka që nuk shkon fare. Kazansit përballë pretendojnë se një nga pjesëtarët e kësaj celule të atdheut, pikërisht i vëllai i Xhafës, kërkohet nga gjysma e Evropës dhe shumë vende të botës, si një “kryekalorës” në trafikun ndërkombëtar të drogës. Bëhet fjalë për një person që e kërkojnë agjencitë ligj-zbatuese të shumë vendeve perëndimore dhe jo vetëm, por që çuditërisht për drejtësinë shqiptare është i pastër. Por nuk ka gjë, Reforma në Drejtësi për të cilën ka hipur mbi kalë përbri Ramës, do ta “zgjidhë” edhe këtë çështje.

***

Më në hije, po jo të harruar, shohim një grup tjetër kalorësish, të cilëve kryekomandanti nuk lë rast pa ju shkelur syrin. Më “madhështor” shfaqet Tom Doshi. Po ky sikur ishte në ”listën e zezë” të SHBA-ve, kur dolën listat për deputet, si ka mundësi që tani fut kokën prapa mburojës ku është gdhendur vula “Lu&Vlah” që mban Kryekalorësi, pyet e çoroditur turma rreth shesh betejës?

Por një lëvizje e vogël e këtij mjeti lufte magjik që shtrëngon fort Rama, i bën ata të heshtin si me urdhër, kurse poterja e madhe që vjen nga kazanët kthehet në zhuzhurimë.

Hedhim vështrimin pak më tej. Një tjetër kalorës “i çuditshëm”, rri prapa prapanicës së kalit madhështor të Kryekalorësit. Themi i çuditshëm, sepse në vend të kalit i ka hipur një gomari “made in Peqini”, markë e njohur botërisht që nga koha e Haxhi Qamilit. Rama i buzëqesh ëmbël herë pas here, sa herë i kujtohet fitorja madhështore që as Skënderbeu nuk e realizoi dot në Dibër. Buzëqeshje po aq të ëmbël pas këtij rikujtimi, merr edhe Sadri Abazi dhe kjo e bën që të hungërojë edhe më fort se të tjerët, kundër “armiqve” përballë.

Po ky qenka Qifja i Peqinit (deputeti i PDIU Aqif Rakipi), pëshpërit turma. Kush nuk e njeh për bëmat e tija, që nga mënyra si u gdhi pasanik nga ca punë që si di vetëm ai, që nga mënyra si u bë deputet, si dhunon dhe rreh me leva kundërshtarët politik etj.etj. E njeh mirë edhe mburoja e kryekalorësit…

Jo papritur, në krah të Kryekalorësit shfaqet vrullshëm një kalorës tjetër, i veshur si kaubojs duke shkrehur pisqollën në ajër. Sehirxhinjtë tërhiqen me frikë prapa dhe bëhen gati t`ja mbathin. Por kryekomandanti nxjerr sërish mburojën përpara dhe i qetëson.

Gjithsesi zhuzhurimat-pyetje nuk i ndal dot. Mos është ky ai Armando Prenga që bëri namin me pistoletë në dorë, kundër një fisi të tërë peshkatarësh në Laç? Po edhe ky sikur ishte në “listën e zezë” të mburojës magjike, po ai tjetri, tjetri...?

Kryekalorësi sa shikon që belbëzimet e turmës rrezikojnë të kthehen në britma revolte, ju drejton sërish mburojën e çeliktë dhe ata jo vetëm që heshtin, por edhe nisin e vrasin mendjen se ndoshta e kishin gabim pasi jo më kot, ai është i pajisur me këto fuqi të mëdha.

***

Pas kësaj, kryekomandanti i qetë kontrollon për siguri xhepin e vogël ku thotë se ka rehatuar Ilir Metën, hedh një sy nga ana tjetër e fushës ku janë rreshtuar kazanët dhe përsëri i bën shenjë Tahirit dhe Veliajt. Të marrin edhe Gjiknurin, Beqen e Ahmetajn dhe të lëshohen edhe njëherë e t`u mbyllin sa më shpejt kapakun, sepse historia po i pret.

Kurse turma me sytë e fiksuara te mburoja magjike qëndron aty, në pritje të përfundimit të kësaj beteje që nuk e kupton përse bëhet kundër kazanëve, kur ata kanë plot armiq të tjerë që Kryekalorësi i Rilindjes, u premtoi 3 vite më parë se do ti zhdukte nga ky vend.

SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco