Simone Inzaghi pas humbjes ndaj Milanit: Lodhja ndikoi, por nuk duhet të jetë një justifikim

Simone Inzaghi pas humbjes ndaj Milanit: Lodhja ndikoi, por nuk duhet të jetë një justifikim

08:28, 24/04/2025

Pas eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Milanit, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, komentoi me zhgënjim paraqitjen e skuadrës së tij. Në një intervistë për Mediaset, ai tha:

“Keqardhja më e madhe është për pjesën e parë – aty meritonim diçka më shumë. Nuk arritëm të shfrytëzonim rastet tona, ndërsa ata në të parën mundësi shënuan një gol të bukur. Duhet të ishim më të kujdesshëm. Më pas, në fillim të pjesës së dytë, morëm menjëherë golin e dytë. Nuk patëm as shumë fat – Maignan bëri një pritje të shkëlqyer ndaj goditjes me kokë të De Vrij që mund ta kishte rihapur ndeshjen. Bëmë më pak se në pjesën e parë dhe munguam në momentet vendimtare të ndeshjes, si në zonën tonë ashtu edhe në atë kundërshtare.”

Inzaghi nuk ngurroi t’i jepte meritë edhe Milanit: “Duhet t’i japim meritat e tyre – në të pesë derbit e këtij sezoni na kanë vënë në vështirësi. Të gjithë duhet të kishim dhënë më shumë, unë i pari. Ata e merituan finalen – nga ne duhej më shumë.”

Sa i përket lodhjes, trajneri e pranon, por kërkon të mos përdoret si justifikim: “Lodhja është aty, qoftë fizike apo mendore – nuk mund të mohohet. Kemi pasur një kalendar më të ngarkuar se të tjerët, por kjo nuk mund të jetë një alibi. Kemi zgjedhur këtë rrugë vetë, një rrugë që na ka sjellë shumë gëzime, por edhe ndonjë zhgënjim të madh, si ky sonte. Nuk jemi mësuar të humbasim dy ndeshje rresht – do t’i analizojmë mirë.”

Për përgatitjen në prag të kampionatit dhe Champions-it, ai tha: “Do të punojmë më pak në stërvitje, do të luajmë dhe do të ecim përpara. Na pret një muaj i fundit shumë i rëndësishëm, që duhet përballuar me besim dhe me ndihmën e tifozëve dhe të klubit.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco