Kombëtarja e Francës është përfshirë në një debat jashtë fushës së lojës, pasi sipas një raportimi të gazetës britanike ‘The Guardian’, ajo ka përdorur për udhëtimet e saj në Shtetet e Bashkuara një kompani charter të lidhur me operacionet e deportimit të emigrantëve të paligjshëm.
Sipas medias britanike, "Les Bleus" kanë udhëtuar të paktën në tri fluturime të brendshme mes qyteteve ku kanë zhvilluar ndeshjet e Botërorit dhe bazës së tyre në Boston me kompaninë ‘Global Crossing Airlines’.
Kjo kompani ka qenë një nga operatorët kryesorë të përdorur nga agjencia amerikane e emigracionit (ICE) në kuadër të programit të dëbimeve masive të administratës së Donald Trump-it. Sipas ‘The Guardian’, Global Crossing Airlines ka realizuar rreth gjysmën e fluturimeve të deportimit të ICE gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Raporti shton se avioni me të cilin kombëtarja franceze udhëtoi pas ndeshjes ndaj Paraguait kishte kryer 44 fluturime deportimi vetëm gjatë këtij viti, ndërsa që nga viti 2022 numri i përgjithshëm i misioneve të tilla kishte arritur në 950.
Raportimi ka ngjallur diskutime, edhe pse nuk ka asnjë indikacion se Federata Franceze e Futbollit ka pasur ndonjë rol në aktivitetet e mëparshme të kompanisë apo në përdorimin e këtyre avionëve për operacionet e emigracionit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: