Truri i Botërorit 2026: qendra teknologjike në Miami që kontrollon çdo detaj të turneut

Truri i Botërorit 2026: qendra teknologjike në Miami që kontrollon çdo detaj të turneut

17:56, 09/07/2026

Pas çdo ndeshjeje, çdo udhëtimi të skuadrave, çdo hyrjeje të tifozëve në stadiume dhe çdo situate të paparashikuar në Kupën e Botës 2026, ekziston një qendër që kontrollon gjithçka. Bëhet fjalë për Qendrën e Operacioneve dhe Komandën Teknologjike të Botërorit në Miami, ku FIFA dhe partneri i saj teknologjik, Lenovo, kujdesen që turneu më i madh në histori të zhvillohet pa probleme.

Gazeta spanjolle AS ka pasur mundësinë të hyjë në ambientet e kësaj qendre, e cila në pamje të parë ngjan me një dhomë kontrolli ushtarake apo sigurie, si ato që shfaqen në filma. Hyrja është e kufizuar dhe askush jashtë stafit nuk lejohet të futet me telefon apo pajisje që mund të regjistrojë informacionet delikate.

"Detyra jonë është të jemi të padukshëm dhe që gjithçka të funksionojë normalisht", shpjegon Nacho Fresco, drejtor i Teknologjisë në FIFA.

Nga kjo ndërtesë në Miami kontrollohet çdo detaj i një Botërori jashtëzakonisht kompleks, me 48 kombëtare, 16 stadiume në tri vende të ndryshme (SHBA, Kanada dhe Meksikë), rreth 600 qendra zyrtare, 5 mijë punonjës dhe 65 mijë vullnetarë.

Image

Inteligjenca artificiale në zemër të Botërorit

Brenda qendrës, qindra teknikë punojnë para kompjuterëve, duke përpunuar një sasi të jashtëzakonshme të dhënash në kohë reale. Sistemet teknologjike të Lenovo-s, të mbështetura nga inteligjenca artificiale, analizojnë informacionin dhe e shfaqin atë në ekrane gjigante që mbulojnë muret e ndërtesës.

Në një prej ekraneve shfaqeshin pamje ajrore nga dronët që ndiqnin autobusët e kombëtareve drejt stadiumeve. Në një rast, ekipet e sigurisë kontrollonin automjetet me qen të specializuar, ndërsa në një tjetër autobusi ishte tashmë në rrugë dhe sistemi sinjalizonte çdo problem të mundshëm gjatë itinerarit.

Një ekran tjetër tregonte pamje të stadiumit dhe të zonës përreth tij. Sistemi monitoronte numrin e tifozëve që kalonin kontrollet e sigurisë, sa persona ndodheshin brenda stadiumit dhe sa të tjerë pritej të mbërrinin.

"Të gjitha këto të dhëna u dërgohen edhe pajisjeve të punonjësve të ndarë sipas departamenteve: nga biletaria, logjistika, udhëtimet, deri te siguria e koordinuar me autoritetet e vendeve të ndryshme", shpjegohet nga qendra.

Image

Një ndryshim i vogël mund të ndikojë në gjithçka

Në ekranet e tjera shfaqen kode që përfaqësojnë kombëtaret, stadiumet dhe udhëtimet e tyre. Çdo ndryshim mund të krijojë një efekt zinxhir në organizimin e turneut.

Nëse një fluturim vonohet për shkak të motit apo anulohet, kjo ndikon menjëherë në transportin tokësor, oraret e stërvitjeve dhe shumë aspekte të tjera të përgatitjeve.

Dy vite punë për një Botëror perfekt

Myles Spittle, drejtues i sektorit të dorëzimit, instalimit dhe mirëmbajtjes në Lenovo-s, tregon se përgatitjet kanë zgjatur për vite.

"Ne dërguam 25 mijë laptopë dhe tableta të konfiguruara paraprakisht, si dhe një sasi të madhe pajisjesh të tjera në stadiume dhe qendra të ndryshme. Katër javë para ndeshjes së parë, inxhinierët tanë mbërritën për të instaluar gjithçka", shpjegon ai.

Procesi nisi dy vite më parë dhe përfshiu instalimin e pajisjeve, konfigurimin e sistemeve, punën me inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e programeve të posaçme për turneun.

Santiago Manso, drejtor i sektorit sportiv të Lenovo-s, thekson presionin e madh në ditët e para të kompeticionit.

"Dita e parë duhet të funksionojë gjithçka. Hapja në stadiumin Azteca ishte një sfidë e madhe. Kishim 16 debutime në 16 stadiume dhe në secilin prej tyre gjithçka duhej të funksiononte në mënyrë perfekte", thotë ai.

500 milionë sulme kibernetike çdo ditë

Një nga sfidat më të mëdha është siguria kibernetike. Krahas organizimit në terren, FIFA duhet të mbrohet nga kërcënimet që vijnë nga jashtë.

Sipas Nacho Fresco, qendra përballet me rreth 500 milionë sulme kibernetike çdo ditë.

"Në Botërorin e Katarit 2022 patëm rreth 1.1 miliard sulme gjatë gjithë turneut. Tani numri është edhe më i madh, edhe për shkak të situatës gjeopolitike në botë", shpjegon drejtori i teknologjisë së FIFA-s.

Megjithatë, deri tani gjithçka ka funksionuar sipas planit.

"Kemi kënaqësinë të themi se gjithçka po ecën mirë", thonë drejtuesit e kësaj qendre, prej së cilës dalin miliona lidhje dhe procese që mbajnë në funksion Botërorin 2026.

Vetë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e përmblodhi rëndësinë e kësaj qendre gjatë vizitës së tij para fillimit të turneut:

"Ju jeni përgjegjësit për të koordinuar gjithçka dhe për t'u siguruar që çdo gjë të funksionojë pa pengesa dhe në mënyrë perfekte. Ju jeni bërthama. Jeni zemra e Botërorit."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco