FIFA ka nxjerrë në shitje rreth 1 200 bileta të kategorisë së dytë për finalen e Kupës së Botës, e cila do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin ‘MetLife në East Rutherford’, New Jersey.
Çmimi i këtyre biletave është 7.380 dollarë secila. Platforma zyrtare e FIFA-s për shitjen e biletave të minutës së fundit, e cila në disa momente e shfaqte ndeshjen si të shitur plotësisht, tani tregon 1 178 vende të lira në pesë sektorë të tribunave të sipërme, përgjatë vijave anësore të fushës.
Përveç këtyre, FIFA ka vënë në dispozicion edhe 68 bileta të kategorisë së parë në rreshtat e parë të tribunës së poshtme. Çmimet për këto vende variojnë nga 19.995 deri në 32.970 dollarë.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit nuk ka dhënë menjëherë një shpjegim për arsyen se përse këto bileta shtesë janë bërë të disponueshme, pasi më herët finalja ishte konsideruar e shitur.
Interesi për finalen e Botërorit mbetet jashtëzakonisht i lartë, ndërsa çmimet rekord të biletave pasqyrojnë kërkesën e madhe për të qenë të pranishëm në ndeshjen që do të përcaktojë kampionin e ri të botës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: