Shpëtimtari i Realit, Vinicius Junior: Prisni një tjetër mbrëmje magjike

Shpëtimtari i Realit, Vinicius Junior: Prisni një tjetër mbrëmje magjike

10:15, 01/05/2024

Reali i Madridit shpëtoi nga humbja në Mynih përballë Bayernit. “Los blancos” nuk kanë bërë ndeshjen e tyre më të mirë, megjithatë ia kanë dalë të marrin një barazim 2-2 që lë gjithçka të hapur për sa i përket biletës për në finalen e Londrës.

Por tashmë me avantazhin e lehtë se kualifikimin do ta kërkojnë në shtëpinë e tyre në “Bernabeu”.

Heroi, ose më saktë shpëtimtari i mbrëmjes së Realit ka qenë ai, Vinicius Junior.

Ai ka shënuar dy golat e Madridit, i pari pas një pasimi të shkëlqyer të Toni Kros, i dyti nga pika e bardhë e penalltisë e fituar nga Rodrigo.

Dy gola që e çojnë në 20 numrin e golave të shënuar prej tij në Ligën e Kampioneve, 10 prej të cilave në fazën e eliminimeve direkte.

Duke folur pas ndeshjes, Vinicius i ka bërë një analizë barazimit 2-2. “Ne nuk kënaqemi me barazimin, kjo është e qartë. Ne gjithnjë kërkojmë të fitojmë, por jo gjithnjë mund të fitohet. Për më shumë që përballë kishim një skuadër të shkëlqyer. Liga e Kampioneve nuk është shaka. Kemi mbërritur në një fazë ku përballë ke më të mirët e më të mirëve.

E pamë këtë dhe me Bayernin. Të gjithë mendonin se ata nuk janë në formën e tyre më të mirë, por e patë se çfarë niveli shfaqën. Ekipe si Bayerni janë të tillë që nuk mund t’i dhurosh asnjë top, nuk mund t’i lësh asnjë hapësirë, sepse të dërmojnë. Me ato pak mundësi që i lejon ata mund të ndëshkojnë. Por edhe ne nuk jemi më pak. Reali është i tillë. Tani na nevojitet pak pushim dhe të përgatitemi për takimin e kthimit. Duam të japim gjithçka për të shkuar në finale”, theksoi ai.

Vinicius Junior ka folur dhe për golat e tij, ku vëmendja ka qenë te goli i parë dhe pasimi i jashtëzakonshëm i Toni Kros.

“Për të gjithë ata që i shohin nga stadiumi apo nga televizioni duken golat të lehtë.

Por në fakt nuk është ashtu. Duhet të jesh i përqendruar në maksimum për të pritur një top të tillë si ai i Krosit. Kros ta bën gjithnjë më të lehtë detyrën. Praktikisht goli i parë ishte një dhuratë e tij. Por jam i kënaqur vërtet me dy golat, jam i kënaqur për veten dhe ekipin. Kemi ende për të përmirësuar, por nëse vazhdojmë kështu e kapim finalen”, shtoi ai.

Pikërisht duke u ndalur te ndeshja e kthimit në Madrid, Vinicius paralajmëroi për një mbrëmje magjike.

“Detyra ime dhe argëtimi im është të shënoj gola. Tani shpresojmë në një mbrëmje magjike në shtëpinë tonë. Në këtë kompeticion është e rëndësishme të mos humbasësh, për këtë jemi këtu”, deklaroi braziliani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco