Kriteret e UEFA-s / FSHF, informon klubet shqiptare për procesin e licencimit

Kriteret e UEFA-s / FSHF, informon klubet shqiptare për procesin e licencimit

21:04, 14/12/2021

Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit do të organizojë ditën e mërkurë një workshop në lidhje me Licencimet e klubeve për vitin 2022-2023, ku të pranishëm do të jenë drejtues dhe financierë të klubeve të “Abissnet Superiore” si dhe katër kandidatë nga Kategoria e Parë për të qenë pjesë e këtij kampionati dhe dy klube nga kampionati i femrave.

Ky workshop që do të drejtohet nga specialistë të këtij Departamenti ka si qëllim t’u shpjegojë klubeve se çfarë dokumentacioni duhet të paraqesin për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për t’u pajisur me licencë, duke i asistuar dhe ndihmuar në këtë proces që më pas të kenë mundësi të jenë pjesë e kampionatit të “Abissnet Superiore” si dhe pjesë e Kupave të Europës, duke filluar me kriterin sportiv, atë infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me peshë specifike në raport me kriterët e tjerë.

Përpara këtij workshop-i që do të zhvillohet ditën e nesërme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, menaxheri i këtij Departamenti, Eduard Gjini, në një prononcim për fshf.org ka shpjeguar se FSHF-ja ka zhvilluar disa workshop-e me qeverinë e futbollit europian, duke theksuar se disa kritere kanë pësuar ndryshime, sipas kërkesave që UEFA ka shtuar për çdo kriter, përveç atij financiar, që ka mbetur i pandryshuar.

"Gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor, ne kemi zhvilluar me UEFA-n disa workshop-e, në të cilat janë sqaruar të gjitha kriteret e pjesës së licencimit të klubeve që do të marrin pjesë sezonin e ardhshëm në Abissnet Superiore dhe UEFA. Te të gjitha kriteret ka disa shtojca, rregulla që UEFA i ka shtuar si kërkesa për sezonin që vjen.

Në kriterin sportiv kanë shtuar, klubet që do të marrin pjesë për sezonin e ardhshëm (2023-2024) nuk duhet të kenë më katër skuadra në sistemin zinxhir të fëmijëve, por duhet të kenë gjashtë. Përveç pjesës nga U-9 në U-14, kanë shtuar edhe U-21, që praktikisht, shumë skuadra tonat e kanë, pasi ne kemi Kampionatin U-21. Përveç kësaj kanë shtuar edhe kualifikimin e trajnerëve, pra për gjashtë skuadra, dy trajnerë do të jenë me UEFA A dhe katër trajnerë me UEFA B. Kjo është pjesë e kriterit sportiv.

Në kriterin e infrastrukturës, kanë shtuar një kërkesë, në të cilën, të gjitha ndeshjet e Kupave të Europës nuk do të luhen më gjatë ditës dhe ne e përmbushim këtë kriter pasi në pesë prej stadiumeve tona mund të luhet edhe gjatë natës.

Në kriterin e tretë, atë të administratës dhe personelit janë shtuar dy oficerë. Pra, çdo skuadër që do të marrë pjesë në kompeticionet e UEFA-s, duhet të ketë një oficer për menaxhimin e ndeshjes dhe një oficer tjetër që do të merret me grupet vulnerabël. Gjithashtu, duhet të ketë një trajner për portierët për pjesën e akademisë. Pra, nëse një klub ka Akademi nga U-7, U-9, deri në U-19, duhet të ketë edhe një përgatitës portierësh.

Në pjesën e kriterit të katërt, që është kriteri ligjor, shumë klube duan të ndërrojnë pjesën e formës juridike. Por kjo do një process tre vjeçar dhe në rast shndërrimi të formës ligjore, kjo e ndalon klubin të marrë pjesë për tre vite në Kupat e Europës.

Kriteri financiar nuk ka ndryshuar, është po e njëjta që ka qenë si vitet më parë” – përfundoi Eduard Gjini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco