'Kam qenë vetëm një herë në Uembli', Reja bën rrëfimin unik para ndeshjes me Anglinë

'Kam qenë vetëm një herë në Uembli', Reja bën rrëfimin unik para ndeshjes me Anglinë

12:17, 12/11/2021

Shqipëria përballet mbrëmjen sotme me “Tre Luanët”, në Uembli. Të luajturit në një stadium mitik si Uembli padyshim që është një privilegj i veçantë për kuqezinjtë tanë, por edhe trajnerin Edy Reja.

Për trajnerin e përfaqësuese kuqezi, do të jetë ndeshja e parë që do të drejtojë një ekip në stadiumin e famshëm londinez, ku ka qenë vetëm një herë më parë, në rol vëzhguesi.

Madje, edhe në tokën angleze, trajneri ynë i kombëtares thotë se ka qëndruar vetëm një fundjavë, falë vajzës së tij. Këto detaje dhe të tjera, Reja i zbulon në intervistën e dhënë për “Gazetta dello Sport”:

“Unë kam qenë vetëm një herë në Uembli, si vëzhgues. Në Londër kam kaluar vetëm një fundjavë, falë vajzës sime, Elizabeth. Profesioni dhe pasioni për detin më kanë mbajtur gjithmonë larg ishullit britanik”, – thotë trajneri i Shqipërisë në vigjilje të intervistës së mëposhtme.

E mbani mend Anglinë si futbollist?

Më kujtohet një ndeshje e 20 dhjetorit 1967, në Nottingham. Në fund të ndeshjes u kthyem në hotel, britanikët dolën me gratë dhe të dashurat. Ne e kishim zili lirinë e tyre. Në atë kohë ne duhej të silleshim si fretër, ndërsa në Angli ishin vitet e “Beatles”.

Pra, nuk mbanit dot flokë të gjata…

Ne mbanim flokë më të valëzuar. Mua më pëlqenin “Beatles” dhe shpirti që buronte nga këngët e tyre.

Po futbolli në Premier League?

Burimet ekonomike dhe të huajt, lojtarët dhe teknikët, kanë lejuar që kampionati anglez të bëhet më interesanti në botë. Ka kampionë të mëdhenj në Premier League, por edhe në kohën time ka pasur futboll të nivelit të lartë. Mendoj për Bobby Charlton, George Best dhe atë mesfushor të ashpër, Stiles.

Shqipëria luan shpresat e pakta për t’u kualifikuar në ‘play-off’, por ëndrra juaj kalon edhe nga rezultatet e skuadrave të tjera në grup…

Ne ishim të pafat në dy ndeshjet me Poloninë, mes dëmtimeve, mungesave prej Covid-19 dhe një penalltie të mohuar.

Si e pritni Anglinë?

Skuadra e Southgate do të luajë pa tension. Kam përshtypjen se britanikët nuk e ndiejnë presionin në “Uembli”.

Si ndihesh të debutosh në moshën 76 vjeçare në “Uembli”?

Ky është çmim për pasionin. Pas Katanias, në vitin 2003 kisha vendosur të largohesha nga futbolli. U regjistrova në kurs për të marrë një licencë detare. Doja t’i bija rreth Adriatikut me varkë, bregdeti kroat është fantastik. Një mbrëmje mora telefonatë nga Cellino, ai më ofroi të drejtoja Cagliari. Nuk pranova fillimisht, sepse doja të shijoja detin, por po atë natë më telefonoi sërish dhe të nesërmen firmosa kontratën. Aty filloi karriera ime si trajner. Pastaj rrugëtimi i gjatë deri më sot: Napoli, Lazio, Hajduk, Atalanta, Shqipëria. Më pëlqen trajnimi, sepse je në kontakt me të rinjtë dhe mbetesh i lidhur me botën.

Miqtë tuaj të një jete?

Bruno Pizzul, Fabio Capello.

Pas Mancinit dhe Marco Ross-it, ju jeni italiani i tretë që sfidoni Southgate gjatë këtij viti…

Time out (koha shtesë). Ju përshëndes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco