Southgate: Lojtarët ishin fantastikë, përrallore të luash gjysmëfinalen në 'Uembli'

Southgate: Lojtarët ishin fantastikë, përrallore të luash gjysmëfinalen në 'Uembli'

13:12, 04/07/2021

Anglia mposhti thellësisht 4-0  Ukrainën dhe u kualifikua në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian, teksa trajneri Southgate ka arsye për të qenë i lumtur, pasi përveç mbrojtjes që funksionon në mënyrë perfekte, duke mos pësuar ende asnjë gol, ka shpërthyer në gola edhe kapiteni Harry Kane.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Ukrainën, trajneri i “tre luanëve” tha se është mjaft i kënaqur me performancën e skuadrës, teksa pranoi se nuk e kishte pritur një paraqitje të tillë në çerekfinale.

“Lojtarët kanë qenë fantastikë dhe të luash mirë në një ndeshje me kaq shumë ndalesa, ishte impresionuese. Të gjithë lojtarët kanë qenë të shkëlqyeshëm dhe është përrallore, pasi kemi arritur një tjetër gjysmëfinale. Duam të shkojmë dy hapa më tej. E di se çfarë do të ndodhë në shtëpi. Është e mrekullueshme t’i shohësh të gjithë një natë të shtune, me birra në duar. Ata duhet ta shijojnë këtë, pasi ka qenë një vit i gjatë për të gjithë. Mendoj se këto ndeshje u kanë dhënë shumë lumturi njerëzve. Është përrallore për vendin tonë, një gjysmëfinale në “Uembli”. Të gjithë mezi e presin këtë, është brilante”, tha Southgate.

Tekniku anglez është kritikuar jo pak për zgjedhjet e tij në formacion, teksa për mediat pranoi se formacioni është sikleti i tij më i madh dhe se pikërisht lojtarët e ardhur nga stoli, janë forca e vërtetë e kësaj skuadre.

“Mendoj se djemtë që futen në fushë si zëvendësues e bëjnë këtë ekip të suksesshëm, pasi shpirti i grupit është fenomenal. Kushdo që hyn bën punën, por edhe ata që nuk futen. Është e vështirë të lësh tre vetë jashtë liste para ndeshjes, megjithatë mentaliteti i skuadrës është fantastik dhe kjo është më e rëndësishme në mendjen time. Po shpenzoj më shumë energji për të vendosur për tre lojtarët që mbeten jashtë, pasi të gjithë janë lojtarë të mirë dhe asnjë prej tyre nuk e meriton të lihet në tribunë. Të gjithë po japin diçka në stërvitje dhe asnjë prej tyre nuk lihet jashtë sepse nuk është në nivel, por vetëm sepse duhet të marrim një vendim”, u shpreh tekniku anglez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco