Shpresa te të huajt, por në Shqipëri ka më pak se 10 mijë që punojnë, 1% e totalit

Shpresa te të huajt, por në Shqipëri ka më pak se 10 mijë që punojnë, 1% e totalit

07:33, 09/05/2024

Me ikjen e forcës punëtore në emigrim, sidomos të të rinjve, “shpresa” e bizneseve, por edhe e qeverisë ishte te punonjësit e huaj.

Prej më shumë se tre vitesh, sipërmarrjet po tentojnë të sjellin punonjës të huaj, por në pjesën më të madhe ky ka rezultuar një eksperiment i pasuksesshëm.

Punonjësit e huaj në shumë raste largoheshin, edhe pse u ofrohej pagë nga 600 deri në 800 euro/muaj, akomodim dhe ushqim, me qëllim mbajtjen e punëtorëve më të kualifikuar.

Shumë biznese pohojnë se janë tërhequr nga rekrutimet e aziatikëve nga frika e largimit, por edhe kostove të larta të mbajtjes së tyre deri në 600 USD në muaj që nuk justifikohen me rendimentin e punës.

Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) 2022-2023 bëjnë të ditur se pavarësisht rritjes, numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje pune në vend është i papërfillshëm në raport me tregun dhe kërkesat e tj.

Në vitin 2023, shtetasit e pajisur me leje pune në total arritën në 9,825, me një rritje prej 18.3% në raport me vitin e mëparshëm.

Për krahasim, të punësuarit në vend në fund të vitit 2023, sipas INSTAT, ishin 1.32 milionë. Duke hequr administratën shtetërore, prej 181 mijë personash, gjithsej janë 1.14 milionë të punësuar në sektorin privat dhe atë bujqësor. Si rrjedhojë, të huajt në 2023 përbënin vetëm 0.86% të totalit të atyre që punojnë në sektorin privat apo në bujqësi.

Po sipas të dhënave nga AKPA, për vitin 2023 në vend të parë është sektori i Akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 1094 miratime punësimi; i dytiështë sektori i ndërtimit me 999 miratime; në vendin e tretë sektori Aktivitete të tjera shërbimi me 985 miratime; në vendin e katërt, sektori i Tregtisë me shumicë dhe pakicë me 848 miratime dhe më pas sektori Industri të tjera përpunuese, me 788 miratime.

Për vitin 2023, të huajt me numrin me të lartë janë sipas AKPA janë nga Turqia, Bangladeshi, Nepali, India dhe Italia. Gjatë vitit 2023, numri më i lartë i lejeve unike të miratuara ishte gjatë muajit maj me përkatësisht 1,421 leje.

Së fundmi u bënë të ditura planet e qeverisë për një marrëveshje me një shtet të huaj për të sjellë 40 mijë punonjës të huaj, pa dhënë shumë detaje se si do të funksionojë kjo skemë dhe pse duhet të ndërmarrë një rol të tillë qeveria. Gjithësi, duke pasur parasysh tendencën dhe shifrat e deritanishme, vështirë që kjo skemë të funksionojë.

Inspektimet e AKPA: Punonjësit e huaj dominojnë në prodhim, tregti dhe ndërtim

Në rreth 10 mijë inspektime të kryera të subjekte të ndryshme gjatë vitit të shkuar, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka hasur 1350 shtetas të huaj të punësuar pranë tyre.

“Rritja e punësimit të punëmarrësve të huaj solli një vëmendje të veçantë në praktikën inspektuese në kontrollin e kushteve të tyre të punës për të siguruar që ata të kenë kushte të sigurta, të drejta dhe të barabarta në punë. Kjo gjithashtu thekson nevojën për Inspektoratin e Punës të vazhdojë të përqendrojë aktivitetin edhe në zbatimin e ligjit dhe në garantimin e respektimit të të drejtave të punëmarrësve të huaj”, thuhet në dokument.

Por cilët janë në fakt sektorët ku hasen më shpesh të huajt sipas inspektimeve të kryera. Inspektorati raporton se dominojnë kryesisht në ndërmarrjet prodhuese me 592 punonjës të hasur gjatë kontrolleve në 1913 subjekte.

Ndërkohë në të këto subjekte kanë qenë edhe 9 punonjës pa leje pune. Sa i takon ndërmarrjeve prodhuese kjo lidhet me fasoneritë të cilat më herët deklaruan për një nismë të tillë për shkak të mungesës së forcës punëtore vendase duke testuar punonjës nga Bangladeshi që në finale gjithsesi është cilësuar si një masë jo e suksesshme pasi kostot dhe largimet kanë qenë të larta.

Sektori i dytë është ai i tregtisë ku bëjnë pjesë hotele, bare, restorante me 195 punonjës që janë konstatuar gjatë kontrolleve në 3797 subjekte. Të gjithë të huajt kanë qenë me leje pune Në ndërtim janë gjetur 147 punonjës të huaj pas inspektimeve në 1786 subjekte teksa 5 punonjës janë gjetur pa leje pune.

Në sektorin minerar kanë rezultuar 115 punonjës të huaj nga 182 miniera të inspektuara. Ndërkohë 20 punonjës të huaj janë konstatuar gjatë inspektimeve në transport dhe telekomunikacion.

Grupi “të tjera” mban një numër prej 277 punonjësish. Në total gjatë vitit 2023 janë kryer 9820 inspektime ku kanë rezultuar 1350 shtetas të huaj me leje pune dhe 27 pa një të tillë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal./ MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco