Arjan Hoxha: Mungesë transparence për vdekjen e Lear Kurtit! Efektivët u treguan agresivë ndaj të riut

16:43, 23/10/2022

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Arjan Hoxha, komentoi në edicionin e pasdites në Syri Tv vdekjen e të riut Lear Kurti në duart e efektivëve të policisë pak ditë më parë. Arjan Hoxha deklaroi se ka mungesë transparence nga ana e drejtuesve të lartë të policisë dhe AMP.

"Deri tani s'ka një rezyme apo deklaratë të qartë të Policisë së Shtetit dhe AMP-së për rolin dhe përgjegjësinë e efektivëve të policisë gjatë shoqërimit të qytetarëve. 

Parimi kryesor i policëve është parimi i humanizmit, dhënies së ndihmës qoftë për një qytetar të thjeshtë,  një shkelës ligji apo qoftë edhe kriminel kur paraqet probleme shëndetësore. 

Përse efektivën e kanë dërguar pas disa minutash me vonesë të riun tek Trauma? Sepse aty dërgohen për goditje, për plagë me armë zjarri. Përse po ndiqej ky i ri që ndërroi jetë? S'ka rezyme të qartë çfarë shkelje kishte bërë."-tha Hoxha.

Nëse duhet ngritur një grup hetimor për veprimet e efektivëve të policisë, Arjan Hoxha tha i prerë, ‘po’. Sipas tij me rastin duhet të merret Prokuroria dhe mos të përfshihet policia.

“Marr shkas edhe nga rasti i Klodian Rashës. Policia e Shtetit dhe AMP duhet të përjashtoheshin nga veprimet procedurale në këtë rast por t’i merrte Prokuroria.

Policia s’duhet të merret me këto veprime. Kemi parë efektivë të patrajnuar, nuk i japin ndihmë edhe nëse e shikojnë në kushte të vështira shëndetësore. Sjellje agresive dhe aspak humane e profesionale.”-deklaroi Hoxha.

Më tej Hoxha komentoi edhe foton e Lear Kurtit i cili gjendet i vdekur, i shtrirë në spital dhe me pranga në duar. Sipas tij, këtë gjë s'do e bënte as një pushtues.

"Këtë nuk mund ta bëjë as një pushtues. Edhe po të jetë kriminel, kur i jepet shërbim mjekësor, i hiqen prangat. Nuk u zbatua asnjë masë humanizmi.

Ai ka dhe hematoma në trup. S'ka ende një akt ekspertimi për shenjën që duket nga pamjet e publikuara nëse është dhunë apo probleme të organizmit të brendshëm që kanë shpërthyer në sipërfaqen e jashtmePolicët janë kthyer në kamzhik për qytetarin."-deklaroi Hoxha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco