SYRI TV/ SPAK godet 7 grupe kriminale në vend, zbardhen disa atentate të bujshme, sekuestrohen 4.5 mln euro

19:23, 18/05/2024

 

48 orë pas nisjes së operacionit, SPAK ka dhënë informacion zyrtar lidhur me 50 urdhër arrestet ndaj disa prej anëtarëve të grupeve kriminale si dhe për zbardhjen e disa prej vrasjeve dhe atentateve më të bujshme që kanë tronditur vendim.

SPAK njoftoi se ka goditur 7 grupe kriminale teksa gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro.

SYRI TV

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur disa ngjarje kriminale, ku përfshihen emra të njohurt ë botës kriminale sin Arben Ndoka, Durim Bami, Preng Gjini, Shkëlezen Kastrati, Ervis Martinaj etj.

50 masa sigurie janë lëshuar ndaj 7 grupeve kriminale, ku janë ekzekutuar vetëm 20 prej tyre, 14 brenda Shqipërisë dhe 6 jashtë vendit, si 2 në Itali dhe nga një në Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.

Numri i vogël i masave të ekzekutuara, dhe moskapja e elementëve të rrezikshëm kriminal gjatë operacionit, ngre dyshime për dekonspirime të mundshme në kohë të ndryshme.

SPAK thotë se për zbërthimin e këtyre grupeve ka bashkëpunuar me EUROJUST, EUROPOL, dhe partnerët holandez, francëz, belg, gjerman, italiane dhe greke të cilët përmes sjelljes së materialeve nga aplikacionet e koduara ENCRO CHAT dhe SKY EC, deri edhe në ekzekutimin e urdhër-arresteve ishin vendimtarë. Nga një komunikatë zyrtare e Prokurorisë vërehet se si grupet lidhnin aleanca për goditjen dhe eliminimin e kundërshtarëve.

E tillë shfaqet ajo mes grupit të Ervis Martinajt që lidh aleancë me grupin e Arben Ndokës, ish-deputet socialist, i strehuar prej më shumë se një viti në Dubai që kur emri i tij u përmend në dosjen “Metamorfoza”. Sipas SPAK, Martinaj interesohej për eliminimin e Fatmir Hysenit, vlonjatit që njihet me nofkën “Doçja”. Hyseni rezulton në kërkim për atentatin që i mori jetën ish-efektivit të policisë Santiago Malkos, njeri i afërt i Ervis Martinajt.

Bota e nëndheshme e krimit kalon edhe qelitë e burgut nga ku nuk mungojnë kontaktet për të bërë larje hesapesh jashtë, i tillë si rasti i Viktor Imerit dhe Emiljano Shullazit, që u bashkuan me Grupin e Ervis Martinajt, Arben Ndokës dhe më vonë me Avdylajt e Shijakut që njihen për ashpërsinë dhe përfshirjen në aktivitet kriminal.

Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin Tesi Basho, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Por në këto rrethana pala kundërshtare nuk qëndronte duarkryq. Durim Bami bashkohet me Leonard Dukën e Fatmir Hysenin.

Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi. SPAK thotë se ka dokumentuar edhe konfliktin mes Reçëve e Gjinëve në Mirditë. Edison Reçi mësohet se kishte urdhëruar ekzekutimin e shtetasit Preng Gjinit, ku një atentat iu bë në Tiranë duke hedhur në erë me tritol makinën e tij, por që mbijetoi. Për të dhënat e lëvizjeve të tij, i gatshëm për ndihmë tregohej ish-drejtuesi I Policisë Klodian Shahini.

Hetimet kanë zbardhur edhe vrasjen e Shkëlzen Kastratit, 41 vjeç, ndodhur në shkurt 2021 në Fier. SPAK thotë se ka identifikuar vrasësit e 41-vjeçarit teksa më herët për këtë krim ka përfunduar në pranga Albert Zaja.

Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës. Po ashtu Mitri në bashkëpunim me një shteatas që ndodhet prapa hekurave për një tjetër çështje penale organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës. Ndërkohë, SPAK thotë se polici tjetër, ish-efektiv I RENEA-s, i arrestuar e liruar në pak javë në të kaluarën për 113 mijë euro, Altin Morina  bashkë me Durim Bamin kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.

Tabela e mëposhtme tregon se janë 12 plane vrasjesh, ku shumica dërrmuese kanë dfështuar me përjashtim të ekzekutimit të Shkëlzen Kastratit. Ndërkohë shenjestër janë pothuajse të gjithë emrat e mësipërm, duke nisur nga Preng Gjini, Durim Bami, ervis Martinaj, Fatmir Hyseni e Leonard Duka, Arben Ndoka etj.

TABELA: NË SHENJESTËR PËR TU VRARË:

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit Shkelzen Kastratit ngjarje e ndodhur më datë 01.02.2021 në qytetin e Fierit;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje, të mbetur në tentativë, të shtetasit Preng Gjini. dhe të shkatërrimit të pronës me eksploziv, e ndodhur më datë 15.09.2020, në qytetin e Tiranës;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim, të mbetur në tentativë, të shtetasit Durim Bami., e ndodhur më datë 04.11.2020, në zonën e Krujës;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit Ervis Martinaj, e ndodhur më datë 04.07.2020, në qytetin e Burrelit;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit H.T. dhe shkatërrimit të pronës, e ndodhur më datë 18.05.2020, në fshatin Zenisht të Matit.
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit Durim Bami, gjatë vitit 2020;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit Preng Gjini., gjatë vitit 2020;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.G, Leonard Duka dhe A.G, gjatë vitit 2020;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve F.H. dhe A.H., gjatë vitit 2020;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit Ervis Martinaj, gjatë vitit 2020;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit Arben Ndoka., gjatë vitit 2021;
 
Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve Ervis Martinaj dhe T.XH., gjatë vitit 2021;

Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale thotë Prokuroria e Posaçme.

Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco