Autobusët e ‘mbushur’ me euro, gazetari: Këto janë forma vetëm të krimit të organizuar

Autobusët e ‘mbushur’ me euro, gazetari: Këto janë forma vetëm të krimit të organizuar

07:54, 23/10/2022

Ndërsa qeveria vijon të sfidojë ndërkombëtarët për amnistinë fiskale, tentativat për të futur para në mënyrë të paligjshme në vend janë shtuar.

Një ditë pasi në portin e Durrësit u sekuestruan 522 mijë euro të padeklaruar të cilat kishin hyrë mbërritur me tragetin e linjës Durrës-Bari, sot u mësua për një tjetër sasi eurosh që janë bllokuar pasi ishin të padeklaruara.

Burimet bëjnë me dije se sot janë bllokuar 25 mijë euro të cilat janë gjetur të fshehura në një furgon me pasagjerë, ndërkohë 522 mijë eurot e vendosura në 6 qese kishin hyrë në Shqipëri të fshehura në pjesën e sipërme të një autobusit, pranë kondicionerit.

Gazetari , Elton Qyno, thotë për Ora News se forma të tilla krijojnë dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për para të krimit të organizuar shqiptar që vepron në shtete të ndryshme të Europës dhe që fitimet e tij kërkon ti investojë në Shqipëri.

"Janë rreth 547 mijë euro. Të dy ngjarjet janë të veçuara dhe po hetohen individë të ndryshëm por linja është e njëjtë. Të dy rastet kanë ardhur nga Bari, Itali, në drejtim të portit të Durrësit dhe nuk dihet ende destinacioni përfundimtar. Është një rast i përsëritur, prej 6-7 vitesh në portin e Durrësit ka fluks të madh të këtyre episodeve, ku persona të caktuara futin sasi parash. Më mediatikja ka qenë rasti i Toyota Yaris me 4.3 milion euro. U pasua me  493 mijë euro të tjera pak muaj më vonë. Rastet janë në rritje por të gjitha ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se këto para vijnë nga grupe kriminale që veprojnë në zona të ndryshme të Europës të cilat duke arritur fitime të mëdha qëllimi i tyre është që këto para ti sjellin në Shqipëri dhe ti investojnë në fusha të ndryshme në vendlindje".

Qyno tërhoqi vëmendjen se nuk kemi pasur hyrje parash në sasi të tilla përmes pikave kufitare me Greqinë.

"Kanë ardhur nga Norgjegjia, Anglia, Holanda, Belgjika dhe Italia. Nuk kemi pasur ndonjë rast që grupe kriminale shqiptare të kenë futur sasi të mëdha parash nëpërmjet pikave kufitare me Greqinë. Pavarësisht  se ka mjaft shqiptarë  që merren në territorin grek me aktivitete kriminale sërish të ardhurat e tyre nuk janë aq të mëdha sa të suportohen dhe futen në këtë lloj forme që ne i kemi parë ditën e djeshme dhe sot në Durrës. Të ardhurat më të mëdha të grupeve kriminale janë në Belgjikë, Holandë dhe Angli sepse atje është tregu më i madh i shitjes së lëndëve narkotike."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco