FOTO/ 13 qendra komunitare nga UNDP Albania: Askush të mos mbetet pas

FOTO/ 13 qendra komunitare nga UNDP Albania: Askush të mos mbetet pas

15:32, 03/06/2022

Reni është 5 vjeç. E takuam në një nga klasat e qendrës multifunksionale në Dimal, ku zhvillohej terapia individuale dhe menjëherë sapo vure re prezencën tonë, na përshëndeti me një buzëqeshje që ia hijeshoi edhe më shumë portretin.

Dy vite më parë, prindërit kuptuan që Reni nuk ishte si bashkëmoshatarët e tij. Kishte vështirësi në komunikim, nuk përqendrohej, shmangte kontaktin me sy dhe refuzonte të luante me shokët.

“Reni vuan nga autizimi. Në momentin që ka ardhur në qendër kishte sjellje agresive, të shpërqendruara, nuk pranonte të ulej në tavolinë, refuzonte të ndërvepronte apo të luante me shokët”, thotë psikologia e qendrës, Sonila Troka.

Prej gati dy vitesh prindërit e sjellin rregullisht në qendër, për trajtim terapeutik dhe rezultatet janë të dukshme.

 “Ne aplikojmë me Renin përveç terapisë së zhvillimit, terapinë në grup dhe logopedinë. Pas gati dy vitesh që frekuenton qendrën, ai arrin të thotë emrin e tij. Po ashtu, arrin të shkojë në tualet, të lajë duart, të vishet, të ulet, të njoh disa shkronja të alfabetit. Fakti që ai arrin të ndërveprojë me ne, është arritje e madhe”, tregon psikologia.

Image

Qendra në Dimal

Në qendrën komunitare të Dimalit marrin trajtim 55 fëmijë, një numër jo i vogël ky për një qytet me rreth 40 mijë banorë. Kjo qendër është ndërtuar në 2019 në sajë të UNDP (United Nations Development Programme) me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane.

“Janë 55 fëmijë me aftësi ndryshe të grupmoshës nga 3 deri në 18 vjeç që marrin në qendër terapi rehabilitimi dhe zhvillimi nga të paktën profesionistë që përfshijnë një psikologe, një punonjëse sociale, një logopediste dhe një fizioterapiste”, pohon përgjegjësja e qendrës, Frida Agalliu.

Përpara funksionimit të kësaj qendre, siç na tregon edhe kryetarja e Bashkisë Dimal, prindërit ishin të detyruar që të udhëtonin drejt Tiranës apo Fierit për të marrë shërbimin e nevojshëm për fëmijët e tyre.

“Kjo qendër i arriti pritshmëritë e saj. U projektua për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuara, një mision të cilin e përmbush me sukses prej dy vitesh falë edhe asistencës së UNDP-së. Shërbimet që ofrohen në këtë qendër janë pa pagesë.

Më përpara, fëmijët detyroheshin të dërgoheshin në Fier apo Tiranë, ndërsa prej 2020 kanë mundësi që shërbimin e nevojshëm ta marrin në territorin ku jetojnë”, tha Juliana Memaj.

Image

Qendra në Përmet

Në përfundim të vizitës në Dimal, ndalesa e radhës ishte në Përmet. Në godinën e ndërtuar vetëm pak metra larg qendrës së qytetit sërish me kontributin e UNDPsë e qeverisë zvicerane, marrin shërbim 15 fëmijë, më i vogli ndër të cilët vetëm 8 muajsh.

“Janë 15 fëmijë me aftësi të kufizuar që marrin shërbim në këtë qendër, e cila është ndërtuar në 2019. Përpara ndërtimit të saj, fëmijët dërgoheshin deri në Gjirokastër. Në këto kushte bëhej thuajse i pamundur edhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes.

Shërbimet që ne ofrojmë në qendër janë fizioterapi, terapi zhvillimi individuale, terapi grupi dhe okupacionale. Ato ofrohen falas, ndërkohë që ka raste kur shërbimi ofrohet dhe në banesë për shkak të pamundësisë së prindërve për të sjellë fëmijët në qendër”, bën me dije përgjegjësja e qendrës multifunksionale në Përmet, Suela Rizaj.

Për ekipin e profesionistëve që punojnë në qendër, bashkëpunimi me prindërit mbetet thelbësor në arritjen e rezultateve. Adriana Ismali, prej një viti e gjysmë sjellë në qendër djalin e saj 7- vjeçar, i cili ka pësuar hemorragji cerebrale. “Ka nisur të përqendrohet, të flas nga pak. Jam shumë e kënaqur nga qendra, do të vazhdojë ta sjell çdo ditë”, shprehet ajo.

Bashkëpunimi me UNDP

Sipas një studimi të kryer në vitin 2018, janë identifikuar 27 bashki pa struktura që mund t’u vijnë në ndihmë personave me aftësi ndryshe.

Në sajë të bashkëpunimit me UNDP-në, bën të ditur koordinatorja e projektit Anduena Shkurti, janë ndërtuar 13 qendra multifunksionale që iu vijnë në ndihmë kategorive vulnerabël.

Aktualisht, jemi në kushtet kur ka ende 5 bashki të vendit siç janë Rrogozhina, Himara, Memaliaj, Libohova dhe Konispoli, të cilat nuk ofrojnë asnjë shërbim për personat me aftësi të kufizuar.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco