Bardhi në Gramsh: Do të thyejmë traditën e votimit me tifozllëk

Bardhi në Gramsh: Do të thyejmë traditën e votimit me tifozllëk

17:14, 28/03/2021

Gjatë një takimi me banorë të Gramshit, ku ka prezantuar kandidatin për deputet, mjekun e njohur Fadil Mërzhegu.

Drejtuesi Politik i PD për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi është shprehur se ky qytet me 25 Prill do të ndryshojë modelin e politikës, duke thyer traditën e keqe 30-vjeçare të votimit të një partie që këtë besim nuk e ktheu kurrë në shërbim ndaj njerëzve.

"Doktor Fadili nuk ka nevojë për shumë prezantim, sepse ju e njihni, pjesa dërrmuese  e njohin dhe kanë përfituar nga shërbimet e tij. Kësaj here i ka hyrë një rruge që është me të njëjtin mision; për t’i shërbyer njerëzve, se qoftë si doktor, qoftë si deputet, do të duhet me i shërby njerëzve", tha Bardhi.

Duke u ndalur te skepticizmi i qytetarëve, Bardhi pohoi se përvoja që kanë pasur deri tani i ka bërë me të drejtë gramshiotët të jenë dyshues.

"Deri më sot, me shumë të drejtë ju mund të thoni: S’kemi parë deputetët të na shërbejnë! Duke qenë se përsërisin çdo katër vjet të njëjtat gënjeshtra këtu në Gramsh, edhe pse kanë marrë me vite të tëra besim absolut për Partinë Socialiste. Tani kanë filluar ta aplikojnë këtë modelin që i ndërrojnë kandidatët çdo katër vjet. Këtë kanë bërë edhe kësaj here! Dhe mendojnë se duke u paraqitur tek ju me fytyrë të re dhe logo të vjetër, do marrin besimin e qytetarëve të Gramshit. Realiteti është që janë po të njëjtët gënjeshtarë, thjesht ndryshojnë fytyrë, se o kanë pasur detyrim për Gramshin, o s’kanë pasur për asnjë bashki tjetër në të gjithë territorin e qarkut të Elbasanit. Dhe kjo braktisje është edhe arsyeja përse unë kam zgjedhur që jo vetëm këtë fushatë, por edhe pas zgjedhjeve, bashkë me Dr. Fadilin, të mbuloj Gramshin.

Kam konstatuar që Gramshi bashkë me fshatrat është bashkia në gjendje më të mjerueshme, krahasuar me të gjithë bashkitë e tjetra të qarkut të Elbasanit. Askund nuk e kam gjetur varfërinë dhe mjerimin në nivele të tilla siç e kam gjetur këtu. Mjerim, mjerim, mjerim!", deklaroi Bardhi.

Sipas tij, veçanërisht fshati është treguesi i keqqeverisjes në 8 vite.

"Dhe në ka një pasqyrë ku ne mund të shikojmë keqqeverisjen 8-vjeçare të Edi Ramës, është të shkosh në fshat. Gjendja aktuale e ka kthyer në emergjencë kombëtare vëmendjen ndaj fshatit, ndaj bujqësisë e blegtorisë. Kurse ata e kanë politikë: Varfëroi sa më shumë, se duke i varfëruar mendon se i nënshtron më lehtë dhe i blen ditën e zgjedhjeve më lehtë.

Këtë ka bërë edhe ky! I ka varfëruar njerëzit deri në pikën sa mendon që do t’i blejë dinjitetin në ditën e zgjedhjeve, me atë thesin e miellit apo 50 mijë lekëshin, apo do t’i frikësojë duke i kërcënuar me ndihmën ekonomike. Jam i sigurt që e bën edhe këtu tek ju! Që po shkove në miting të PD-së, të heqim ndihmën ekonomike.

Po votove PD-në, do të heqim ndihmën ekonomike. Jam i sigurt që keni dëgjuar edhe ju raste këtu. E bëjnë edhe këtu! Dhe kjo ka ardhur edhe për një arsye të thjeshtë, se kanë menduar që njerëzit janë dele, dhe mjafton t’i marrësh votën, e të fusin e të mbushin kutinë me vota, dhe ti i merr të mirëqenë, s’ke nevojë me i shërby, me parimin që këta janë tanët, s’ka problem, se këta votojnë gjithë jetën për Partinë Socialiste", u shpreh Bardhi.

Drejtuesi politik solli argumentin e nevojës jo vetëm për rrotacion, por sidomos për ndryshimin e modelit të politikës.

"Prandaj e kam thënë edhe në takimin e parë që kemi qenë; kjo nuk është betejë mes socialistëve dhe demokratëve, nuk është betejë mes PD-së dhe PS-së, që të ecin me traditë për të votuar Partinë Socialiste, se kështu ka votuar gjithë jetën familja ime, apo kështu kam votuar gjithë jetën unë. Socialistët e thjeshtë janë ndjerë të braktisur po ashtu, e kanë mllef e zhgënjim dyfish krahasuar me demokratët, edhe për faktin se i kanë dhënë besim.

Dhe ajo që të gjithë bashkë do të duhet të bëjmë, pas 30 vitesh demokraci, është shumë e thjeshtë. Vjen këtu, merr ca angazhime  përpara jush, dhe duhet pas 4 vitesh të bësh bilancin e angazhimeve që ke marrë përsipër. Qofsh demokrati më i thekur i fshatit, pas 4 vitesh, nëqoftëse unë, Dr.Fadili dhe Partia Demokratike nuk mbajmë angazhimet, nuk duhet të votoni më për PD. E njëjta gjë vlen edhe për socialistët; nëse kanë 30 vjet që i japin besim në shumicë dërrmuese Partisë Socialiste, dhe s’kanë marrë mbrapsht asnjë shërbim, nuk mund të votojnë sërish PS-në thjesht për inerci, se janë socialistë.

Se vetëm kur të gjithë ne bashkë ta konsiderojmë politikën llogaridhënie, e shërbim ndaj njerëzve, të jeni të sigurt se do të jemi të gjithë më mirë. Nuk mund të jemi më mirë qoftë se votojmë me tifozllëk. Nuk do jemi kurrë më mirë nëse votojmë për partinë duke mos menduar familjen tonë e fëmijët tanë.
Se ju pyeta herës së shkuar, a ka përfituar ndonjëri ndonjë lek nga ato 95 milionë euro që pretendon se ka shpërndarë vitin që shkoi, dhe më thatë që asnjëri prej nesh këtu në fshat, nuk ka marrë qoftë edhe një qindarkë. Ato lekë kanë dalë nga buxheti i shtetit, por i kanë marrë 5 njerëz në qarkun e Elbasanit. 5 njerëz! Që janë sot njerëzit e vetëm të interesuar që të mbajnë Ramën në qeveri. Vetëm ata!

Prandaj luftojnë dhe zihen me grushta. Prandaj i detyrojnë të futen kandidatë. Siç kanë bërë atje në Cërrik, me atë Bullarin. Ka marrë të gjithë kodrat e Cërrikut, ka marrë të gjithë subvencionet në bujqësi, e tani i thonë: ato lekë që të kemi dhënë, dil e shpenzoi për fushatë se na duhen vota. Kështu ka funksionuar skema! Ndërkohë që ajo që ne kemi planifikuar, nuk ofron mrekulli, por të paktën ofron për gjithsecilin prej jush kthim në normalitet.

Kemi bërë identik atë plan pune për bujqësinë dhe blegtorinë, që aplikohet në Maqedoni dhe Kosovë, ku subvencioni nuk jepet me burokraci e letra, që më shumë kushtojnë letrat se sa mbështetja financiare që ke për të marrë, por jepet mbi bazën e asaj që prodhon. Kriteri është aq sa ç’ke, aq të përftosh. Ke 5 krerë, të takojnë 10 lekë, do marrësh 10 lekë. Ke 50 krerë, të takojnë 100 lekë, do marrësh 100 lekë.

Që të keni mundësinë që me këto 100 lekë të blini një shtesë dhe vitin tjetër ta bëni 6, ta bëni 7, e kështu me radhë, deri sa ta çoni edhe ju 50. Do thjesht t’ju lësh të punoni, t’ju mbështetësh dhe t’ju krijosh infrastrukturën e nevojshme për të punuar. Kaq kërkon fshati! Dhe është gjëja më e lehtë për një shtet, ta nxjerrë fshatin nga mjerimi. Është më e vështirë në qytet!

Prandaj 25 Prilli është moment ku nuk mendojmë partinë, por mendojmë familjen, mendojmë veten, mendojmë t’i japim mësim cilitdo që guxon të sillet si këta; që shtyp të pamundurin për të fryrë nga xhepat 10 njerëz, që varfëron popullin me idenë që do ta blejë ditën e zgjedhjeve. Prandaj, duhet të jemi të gjithë bashkë, të mendojmë në radhë të parë për veten, të votojmë për veten e të votojmë për atë që ka plan  konkret pune", tha Gazment Bardhi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco