Tani lideri global shqetësohet për taksat e gjermanëve

Tani lideri global shqetësohet për taksat e gjermanëve

21:00, 23/03/2021

Edi Rama ka befasuar sot shumëkënd me kujdesin që ka treguar për taksapaguesit europianë, për mënyrën se si Komisioni në Bruksel i përdor këto para. Pas një bisede on-line që kreu i Opozitës, Lulzim Basha pati me komisioneren e Arsimit, Gabriel, kryeministri ynë është shfaqur i shqetësuar për eurot që popujt e bllokut prej 25 vendesh, japin për burokracinë e Brukselit, dhe se çfarë bëjnë më tej ata zyrtarë, sa e justifikojnë këtë besim.

Sipas Ramës, komisionerja e Brukselit është duke shpërdoruar detyrën kur flet me Bashën, ndërsa afërmendsh nuk do të ishte e njëjta gjë nëse ajo bisedon me qeverinë. Deliri ka shkuar aq larg sa shefi i rilindjes mendon se vetëm ai është Shqipëria. Zyrtarë të lartë të Brukselit kanë kontakte edhe me organizata joqeveritare, dhe sigurisht që mund të kenë të tilla me partinë më të madhe në opozitë.

Cicërima idhnake sot e Ramës përpos se tregon që ai ka humbur shumë në elegancë, flet po aq për nervozizëm të një niveli të lartë që ja errëson arsyen edhe më të përmbajturit.

Paradokset janë pa fund. Edi Rama për 8 vite me radhë ka përdorur raportet dhe vlerësimet e sheqerosura të Komisionit Europian, për politikë të brendshme, madje edhe në sulmet që ka bërë ndaj vendeve anëtare që kanë shtuar kushtet për integrimin. Kjo edhe për shkak të kontakteve personaleve dhe ndoshta joshjeve që ka aplikuar, si në rastin Mogerini, e cila pa asnjë kujdes diplomatik rreshtohej pro qeverisë dhe kundër PD-së në Tiranë.

Por kur një zyrtare e lartë e Brukselit flet me Lul Bashën, konsiderata e Ramës për Komsionin bie menjëherë, aq sa i quan ata abuzues me taksat e popujve të BE-së.

Këtë e thotë dikush që me siguri nisur nga vlerësimet e KLSH, apo edhe të Departamentit të Shtetit, apo të Freedom House, apo Transparancy International, është një nga kampionët në botë për shpërdorimin e taksave të popullit të tij.

Kur vetë shkon në Paris, në një takim aspak entuziast e megjithatë me Presidentin e një shteti lider, kjo nuk përbën ndërhyrje në zgjedhje. Kur merr dhurata elektorale nga Erdogan, as kjo nuk përbën një problem.

Ama ngre zërin dhe bën si më i bukuri parimor nëse dikush guxon të flasë me Bashën.

Qoftë dhe vetëm ky reagim i sotëm, dëshmon se Rama jo vetëm nuk ka më siguri për mandatin e tretë, por sondazhet e tij janë ndoshta shumë keq e bash prej andej buron gjithë kjo mungesë humori e sjellje prej gërnjari./ Mapo/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco