Ruçi i shkruan Pelosit, asnjë fjalë për kontributin e SHBA për shembjen e komunizmit

Ruçi i shkruan Pelosit, asnjë fjalë për kontributin e SHBA për shembjen e komunizmit

11:13, 15/03/2021

Gramoz Ruçi aktualisht Nr. 2 i shtetit shqiptar në postin e kryetarit të Kuvendit, me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis ShBA dhe Shqipërisë, i ka dërguar një letër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Nancy Pelosi.

Në këtë letër falënderohen, SHBA, për ndihmën e tyre vendimtare që nga koha e presidentit Wodroow Wilson, i cili ndali copëtimin e Shqipërisë, për demokratizimin e vendit gjatë këtyre 30 viteve, kontributin për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, etj…por nuk shkruhet asnjë fjalë për rolin e këtij aleati të madh në luftën ndaj komunizmit dhe diktaturës së Enver Hoxhës.

Kujtojmë se Gramoz Ruçi mund të konsiderohet, si  “dinosauri” i fundit i epokës së komunizmit në Europë, i cili ende vazhdon që të mbajë një post teje të lartë në një vend anëtar të NATO dhe në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Euopian.

Në kulmet e karrierës së tij komuniste, ai ka qenë Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit Tepelenë, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe në grahmat e fundit të regjimit, kohë kur vriteshin njerëz në kufij dhe shtypeshin demonstratat për demokraci, ministër i Brendshëm i Ramiz Alisë.

Ndaj është e kuptueshme pse, Gramoz Ruçi, nuk shkruan dot asnjë fjali në letrën drejtuar Palosit, për kontributin me të gjitha format që ka dhënë SHBA që në periudhën e Luftës së Dytë Botërore e deri në fillim të viteve 90-të, kundër komunizmit shqiptarë.

Letra e plotë e Gramoz Ruçit

E nderuara Kryetare Pelosi,
15 marsi i vitit 1991, dita e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, është për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë një ditë e madhe historikedhe një shans i madh për të ardhmen tonë.

Me rastin e 30-vjetorit kësaj ngjarjeje të shënuar, dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen e thellë timen dhe të Kuvendit të Shqipërisë, Ju, Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresit dhe Presidentit Biden, për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, demokracinë më të madhe dhe më të fuqishme të të gjitha kohërave, është për Shqipërinë një arritje dhe një stimul i fuqishëm drejt zhvillimit, mirëqenies, demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të  njeriut, si edhe rritjes së kontributit për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë.

Shqiptarët, sa herë që kanë qenë të lirë të vendosin për fatet e tyre, i kanë bashkuar ato me kauzat e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mbrojtësi dhe garanti më i fuqishëm i lirisë, stabilitetit dhe paqes për të gjithë vendet dhe të gjithë popujt e botës.

Miqësia shqiptaro-amerikane ka një histori të gjatë. Shtetet e Bashkuara mirëpritën e mbështetën emigrantët shqiptarë prej fillimit të shekullit të kaluar dhe prej kësaj mbështetjeje Diaspora shqiptare në Amerikë u fuqizua, kontriboui dhe po vazhdon  edhe sot e kësaj dite të mbështesë zhvillimin, mirëqenien, demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë.

Ishte Presidenti projektin për Wodroow Wilson që ndali copëtimin e Shqipërisë, në vitet e para të Shqipërisë së pavarur. Aleanca, partneriteti, miqësia dhe besnikëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm na ka mbrojtur, por edhe ka shumëfishuar ritmet, zhvillimin dhe rolin e kontributin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkundrejt kufizimeve të natyrshme të një vendi të vogël.

Këtë mbështetje ne e ndjemë edhe gjatë tridhjetë viteve të fundit, kur Shqipëria, iu bashkua valës së tretë të proceseve demokratizuese globale për ta shndërruar demokracinë nga një ideal në një realitet, nën lidershipin e pagabueshëm të Shteteve të Bashkuara.

Këtë mbështetje e ndjemë edhe kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën luftën për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit më të ri në Europë, Republikës së Kosovës.

Mbështetja e Shteteve të  Bashkuara është edhe sot frymëzimi dhe siguria më e madhe e thellimit të reformave të mëdha në zhvillimin e vendit, rindërtimin e sistemit të drejtësisë, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e proceseve integruese, si anëtare e NATO-s dhe drejt negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, Kuvendi i Shqipërisë ka qenë interpret i aspiratave të shqiptarëve, i dashurisë, miqësisë dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin dhe mikun më të madh të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Këtë mision Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të kryejë edhe në vitet e dekadat që vijnë.

Shpreh bindjen se bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të rritet e zgjerohet në vitet që vijnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco