Deputeti i zgjedhur nga Aleanca, Burim Ramadani, ka bërë thirrje që zyrtarët dhe vendimmarrësit publikë t’i nënshtrohen vullnetarisht testimit për përdorimin e narkotikëve, duke theksuar se një proces i tillë duhet të zhvillohet në institucionet publike shëndetësore.
Sipas tij, disa deputetë tashmë e kanë kryer testimin, ndërsa të tjerë, siç pretendon ai, po përballen me pengesa për ta realizuar atë. Ramadani shprehet se janë dhënë arsyetime të ndryshme, si zhvendosja e aparaturës apo mosfunksionimi i saj, duke ngritur dyshime se po krijohen pengesa për testimin vullnetar.
“Narko-testi nuk është shaka, as nuk mund të ndalet. Pushtetarët të mos kenë frikë nga e vërteta”, shkruan ai, duke shtuar se procesi nuk do të mund të ndalet nga askush që aktualisht është në Qeveri.
Në fund të reagimit, Ramadani rikujton rastin e vitit 2019 në Ukrainë, kur Volodymyr Zelenskiy sfidoi rivalin e tij Petro Poroshenko për t’iu nënshtruar një narko-testi, duke e paraqitur atë si shembull të transparencës në politikë.
© SYRI.net