Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se, bazuar në të dhënat që tha se i ka në dispozicion, pjesa më e madhe e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ mbështetës në veri kanë përfituar mjete financiare nga Serbia që nga viti 2017.
Duke folur për këtë çështje, Haxhiu tha se këto pagesa kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur ata ushtronin funksionet e tyre në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
“Pjesa dërmuese e tyre kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë mjete financiare nga Serbia në forma të ndryshme, që nga viti 2017 e deri më tani”, deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi se, sipas saj, lojaliteti ndaj Serbisë është shpërblyer me mjete financiare.
“Pra edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë e gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i treguar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre në dobi të qytetarëve. Ka shumë raste, disa prej tyre edhe publike, ku ish-gjyqtarë e prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi, si dhe në Kosovë, ku janë diskutuar plane e janë marrë vendime për bllokim të rrugëve”, tha Haxhiu.
© SYRI.net